Papulias në Beograd, Tadiç e falenderon për mosnjohjen e Kosovës
Presidenti i Greqisë Karlos Papulias zhvilloi një vizitë zyrtare në Beograd me ftesë të homologut serb Boris Tadiç. Papulias do të qëndrojë në shtetin fqinj deri në datën 4 korrik. Tadiç i shprehu presidentit Papulias falenderimet e tij për mbështjetjen ndaj çështjes së Kosovës. “Ju falenderoj jo vetëm personalisht si president i vendit, por edhe në emër të gjithë popullit serb për vizitën tuaj. Greqia nuk e ka njohur pavarësinë e vetëshpallur të Kosovës dhe kjo për Serbinë do të thotë shumë”,- iu drejtua presidenti Tadiç, presidentit grek. Ndërkohë Papulias tha se ishte i nderuar që ishte mes miqve dhe se Greqia do të ishte një mbështetës përsa i përket afrimit të Serbisë në Bashkimin Europian. Ai më tej shtoi se ishte bërë një kërkesë e posaçme që shtetasit serbë të mund të hynin në Greqi pa viza dhe shpresonte se kjo do të realizohej brenda vitit.
3 Korrik 2009