E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK: Shteti harroi Nënë Terezën

Demokristianët shprehin shqetësimin për mos vëmendje të shtetit ndaj figurës së Nënë Terezës në përvjetorin e vdekjes. Nënkryetarja e PDK-së, Aida Joanidhi, deklaroi dje se shteti shqiptar, institucionet e tij dhe në veçanti Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, heshtën për këtë figurë të madhe të kombit tonë, e cila së bashku me Gjergj Kastriotin, përbëjnë dy emblemat tona kombëtare. Sipas saj çdo komb në botë do të ishte krenar për përkatësinë kombëtare të shenjtores Nënë Tereza, ndërsa ne, për fat të keq, vazhdojmë të mbajmë në institucionet më të rëndësishme kombëtare individë që kanë sulmuar përkatësinë kombëtare të Nënë Terezës, individë që e kanë shpallur atë publikisht nëpërmjet pseudostudimeve një qytetare vllehe të Maqedonisë, ndërkohë që po këta individë të përdhelur të pushteteve, bëjnë që Nënë Tereza të mos përkujtohet në vendin e saj. “Në këtë ditë, ne demokristianët, lutemi që shenjtorja Nënë Terezë ta bekojë jetën tonë, të na ndihmojë që zemrat tona t’i përngjajnë zemrës së saj, që dashuria e saj për njerëzit të zërë vend në zemrat tona, që paqja, mëshira dhe mirëkuptimi që buronin nga shpirti i saj, të bëhen pjesë e jetës tonë”, - deklaroi znj.Joanidhi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›