E Hënë, 2 Nëntor 2026

40 klandestinët në Kamëz, asnjë provë ndaj katër trafikantëve

16/05/2005  Dosja drejt pushimit, për mungesë të materialeve që ka siguruar policia

TIRANË-Prokuroria e Tiranës, po diskuton pozicionin e katër të arrestuarve nga policia, për trafik klandestinësh, afro një muaj më parë në Kamëz. Kjo, pasi ndaj katër të akuzuarve, Kalosh Lamellari, Fitim Palushi, Ilir Ibraj dhe Shaban Sheta, mungojnë provat materiale që të vërtetojnë akuzën e trafikimit të klandestinëve. Prokuroria, pritet që këto ditë të pushojë akuzat e ngritura ndaj tyre dhe të arrestuarit të lirohen për mungesë provash. Shkak i mungesës së provave, mbetet vendi i arrestimit të katër të dyshuarve si trafikantë si edhe kapja e personave që u menduan nga policia si klandestinë. Policia i gjeti të shoqëruar ata në Kamëz, qytezë pranë Tiranës, që nuk ka asnjë afërsi me pikat kufitare për jashtë shtetit. Gjithashtu, personat që policia dyshonte se ishin të destinuar për tu trafikuar jashtë shtetit, nuk e kanë pranuar një fakt të tillë para hetuesve të Prokurorisë së Tiranës.

Konkluzioni

Burime pranë Prokurorisë së Tiranës, thanë dje për gazetën “Metropol“, se është mjaft i dyshimtë dhe i pabazuar në prova, arrestimi i katër personave në Kamëz afro një muaj më parë për trafikim klandestinësh. Për këtë shkak, po hetohet dhe po diskutohen të gjitha mundësitë për gjetjen e ndonjë prove materiale, që të vërtetojë akuzat e ngritura ndaj tyre, theksojnë burimet e prokurorisë. Kjo, pasi me aktet e materialeve që ka siguruar policia, nuk mund të qëndrojë asnjë akuzë ndaj tyre, sqarojnë burimet. Vetë fakti që afro 40 personat, që sipas policisë dyshoheshin se do të trafikoheshin jashtë shtetit si klandestinë nga katër të arrestuarit, ngre një alibi të fortë për ta. Personat, që sipas policisë ishin klandestinë, u gjetën në Kamëz, që nuk ka asnjë afëri me pikat kufitare. Gjithashtu, ata nuk kanë pranuar se do të trafikoheshin nga katër të arrestuarit. Këto situata dhe mungesa e provave, e kanë bërë të pamundur vërtetimin e akuzave para gjykatës, thonë burimet e prokurorisë. Për këtë shkak, po diskutohet nëse dosja në ngarkim të tyre do të pushohet apo jo. Sipas prokurorisë, policia duhet të kishte siguruar fillimisht prova ndaj katër të akuzuarve dhe pastaj t’i arrestonte. Ka qenë e nevojshme që ata të survejoheshin dhe të ndaloheshin në pikën kufitare, ku mund të tentonin të kalonin kufirin dhe atëherë do të kishte prova të mjaftueshme, përfundojnë burimet e prokurorisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›