Nano: Vij në Sarandë pas masakrës urbane të Gramozit

16/05/2005 Kryeministri Fatos Nano, ka akuzuar përfaqësuesin e Partisë Socilaiste, në rrethin e Sarandës, Gramoz Ruçi, si një drejtues që ka lejuar masakrat urbane në këtë zonë turistike. Gjatë një takimi me intelektualët e zonës elektorale numër 99, ku Nano tashmë kandidon për deputet, nuk ka ngurruar të sulmojë punën jo eficente që është bërë gjatë këtyre viteve në bregdetin e Sarandës, nga përfaqësues të partisë socialiste në pushtetin lokal dhe atij qendror. Nano, ka kërkuar që të fillojë procesi i verifikimit dhe regjistrimit të trojeve, si dhe të bllokohen ndërtimet në zonën turistike të Ksamilit, për t’i dhënë fund betonizimit të bregdetit jonian. Kryeministri Nano, tha se “Saranda është lakmuar dhe shumuar nga të gjithë. Ne kemi të gjithë, unë, në një mënyrë më të qartë sesa cilido tjetër, avantazhin e atij që ka qënë para nesh. Pra, na raport me Gramoz Ruçin, unë kam avantazhin që vij pas Gramozit. Ju gjithashtu, keni avantazhin e njerëzve që kanë jetuar, kanë vuajtur, kanë parë dhe kanë dëgjuar për gabimet, ose një pjesë masakre urbane, padrejtësira, abuzime, pronësime të paligjshme, shpronësime të paligjshme, që kanë ndodhur në Sarandë. Unë ju ftoj ta përdorim avantazhin e atij që vjen pas”. Ndërsa nga ana e tij, deputeti aktual i Sarandës, Ruçi, gjatë një takimi me bazën socialiste, ka pranuar se nuk ka bërë plotësisht detyrën me zonën e tij elektorale. Lidhur me fenomenin e masakrës urbane, Nano ka bërë të ditur se një grup specialistësh të ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, do të ngrijnë procesin e ndërtimeve në këtë zonë turistike. Nano tha, “nuk mund të derdhim më ujrat e zeza në detin e pastër të Sarandës, për shkak se koncepti i urbanizimit, i ndarjes së trojeve, i dëndësisë së popullsisë, i ndërtimeve pa leje, i tolerancës, i abuzimit me to, i është dorëzuar kaq kollaj vetëm idesë se secili të bëjë nga një kasolle”. Nano, gjithashtu ka rradhitur platformat e tij, për rehabilitimin e zonës turistike të Sarandës dhe Ksamilit, por këto, në sinkron dhe me zonat përreth. Sipas tij, “ky vend tashmë po hyn në brazdat e një zhvillimi normal, sipas standarteve të Evropës, me plane rregulluese, me prishje të ndërtimeve pa leje, me legalizim zonash informale, me ndërtim infrastrukture nga rruga deri te shkolla, apo qendra shëndetësore, për zonat e reja që janë ndërtuar, dhe me në fund, me banesa sociale për të pastrehët”, tha kryeministri Nano.