40 vitet e Naomit
E bukur dhe tepër kapriçioze. Naomi nuk është gruaja e zakonshme bukuroshe, e mbyllur dhe e sigurt në vetvete, e veshur me shije dhe çdo gjë të kuruar në detaj. Ajo, pas trupit dhe fytyrës perfekte, të cilat i kanë dhënë çmimin “Pantera e zezë”, fsheh grintën e krijesave të egra.
Modelja e famshme, Naomi Campbell, ka lindur në Londër më 22 maj të vitit 1970. Bijë e një vajze-nënë me origjinë xhamajkane, Naomi e ka respektuar gjithmonë vullnetin e të ëmës, për të mos e kërkuar babanë e saj të vërtetë. Dhe në një farë mënyre ajo ka zgjedhur prindërit e saj shpirtërorë Quincy Jones dhe producentin diskografik, Chris Blackwell, ndërsa si gjysh që e ka birësuar, Nelson Mandela-n. Pavarësisht vështirësive, Naomi nuk është mundur kurrë nga fatkeqësitë dhe origjina që lë për të dëshiruar, por ka ditur të krijojë një familje të fortë, e cila e ka mbështetur gjatë gjithë jetës së saj profesionale. Një karrierë si modele që është e pashembullt për një vajzë me ngjyrë.
Nëna balerinë e kishte nxitur Naomin e vogël të studionte balet (për një farë periudhe edhe në Itali) dhe falë këtyre dhuntive që modelja filloi të punonte në botën e spektaklit. Ajo u shfaq për herë të parë në vitin 1978 në videoklipin e këngës së Bob Marley, “Is This Love?”.
Në moshën 15-vjeçare i bie në sy një agjenti të agjencisë së modës “Ford”, ndërsa Naomi bënte pazar në “Covent Garden”. Dhe ishte vetëm një moment kalimi nga dëshira në realitet e pasarelave të Milanos dhe Parisit. Bëhej fjalë për periudhën e viteve ’80 dhe modelet ishin në gjendjen e tyre më të mirë. Të tilla modele me karakter të fortë, të zgjuara dhe me një bukuri të paimagjinueshme (ende sot, pas 20 vjetësh janë tepër të kërkuara), nuk kemi parë më, përveç Gisele Bundchen.
Naomi, e adhuruar nga Yves Saint Laurent, më 1988-n ishte vajza e parë me ngjyrë që u shfaq në kopertinën e revistës “Vogue Paris” dhe u bë, në vitet e para të ’90-s pjesë e grupit “Big Six”, së bashku me supermodelet Cindy Crawford, Claudia Schiffer, Christy Turlington, Linda Evangelista dhe Kate Moss. Në atë periudhë arriti edhe rekordin e saj: përfundoi në kopertinën e 100 revistave të modës në botë.
Në vitin 1990 Naomi u bë një yll tepër i kërkuar dhe nga miqtë e saj këngëtarë: ajo u shfaq në videon e famshme “Freedom! ‘90”, të George Michael, ku bënin pjesë edhe femrat më të bukura të epokës, Linda Evangelista, Christy Turlington, Cindy Crawford dhe Tatjana Patitz. Më 1991-in, Naomi mori pjesë në filmin “Cool as Ice”, të Vanilla Ice dhe në videoklipin e mrekullueshëm të këngës “In the Closet” të Michael Jackson, me regji të Herb Ritts.
Pamja seksuale e Naomi-t nuk i shpëtoi këngëtares Madonna, e cila i kërkoi të ishte pjesë e videos së saj “Erotica” dhe në librin skandaloz me fotografi “Sex” (më pas Naomi do të pozonte edhe për “Playboy”). Pasioni i saj për muzikën e bëri të shfaqej në shumë klipe si në ato të këngëtarëve Nelly, Jagged Edge, Jay-Z, P.Diddy, The Notorious B.I.G., Macy Gray, Prince dhe Usher. Me vështirësinë e parë në karrierën e saj, Naomi u përball në vitin 1995 si këngëtare me këngën “Love and Tears” (albumi “Baby Woman”), disk i cili korri një farë suksesi vetëm në Japoni ku fanatizmi kundër top-modeles ishte vërtet i paimagjinueshëm.
Naomi ndjeu edhe një farë mësymje në ekranin e madh në vitin 1994, në filmin dokumentar “Catwalk” dhe në “Girl 6” të regjisorit e aktorit Spike Lee, por ka pasur frikë ta hedhë hapin e madh, siç kanë bërë shumë kolege të sajat, që me t’u afirmuar në botën e modës, i janë drejtuar kinemasë.
Një fushë ku Naomi është shumë aktive që në fillimet e karrierës së saj, ajo e bamirësisë. Campbell ka qenë ndër top-modelet e para që ka mbështetur ngjarjet e “Fashion for Relief”, që përfshijnë botën e modës në mbledhjen e fondeve për bamirësi. Fushata e fundit e organizuar nga bota e modës, e mbështetur gjithashtu nga modelja, është ajo për tërmetin e Haitit. Ashtu siç nuk tërhiqet kurrë kur bëhet fjalë për të mbrojtur kushtet e punës së modeleve, femrave në përgjithësi, atyre me ngjyrë dhe grave që diskriminohen.
Pavarësisht angazhimit në fushatat e bamirësisë, Naomi nuk arrin ta fshehë anën e saj të zezë. Nëpër vite ka qenë protagoniste e episodeve shokuese, proceseve gjyqësore dhe “skenave” publike që tashmë e kanë quajtur si vajza e keqe e pasarelave. Episodi i fundit ka ndodhur vetëm disa javë më parë, kur sulmoi një gazetare të “Abc”-së, e cila i kishte bërë një pyetje të pakëndshme mbi origjinën e një xhevahiri që kishte vënë, për të cilin dyshonte se kishte një prejardhje të paligjshme. Në të kaluarën Naomi qëlloi me shpulla një kameriere, sulmoi një polic sepse valixhja e saj kishte humbur në aeroport, ka përdorur shumë herë celularin si armë kundër asistentëve dhe shërbyeseve; gjithçka për kënaqësi të revistave rozë.
Por karakteri i keq nuk e ka ndaluar të “koleksionojë” meshkuj të bukur dhe të pasur si Joaquin Cortès, Puff Daddy, Mike Tyson, Flavio Briatore, Robert De Niro, Eric Clapton, Alberto di Monaco, Kevin Spacey, Matteo Marzotto dhe manjatin rus, Vladimir Doronin, me të cilin ka vendosur të martohet së shpejti dhe të krijojë një familje. Por para se të realizojë ëndrrën e saj (martesa), fillimisht Naomi do të organizojë në Kanë një festë të madhe në një jaht, me rastin e 40-vjetorit të lindjes. Të ftuar VIP do të vijnë nga e gjitha bota dhe do të festojnë së bashku me modelen, mes një luksi pa limit, gotave të mbushura me shampanjë, diamanteve dhe fotografive pa mbarim. Për Naomin e shtuna do të jetë një tjetër ditë.
#