Gabimi natyror
Thelbi i gabimit natyror është midis koncepteve “është” dhe “duhet”. Ju e keni vënë re këtë, natyrisht, si shprehje të përditshme në bisedat midis njerëzve, kudo që të ndodhen. Nëse biseda, pa dashur, merr drejtimin social, po themi filozofik të ditës, me një ton pak a shumë zyrtar, atëherë bashkëbiseduesit menjëherë pas “është” fillojnë e flasin me “duhet”. Ndërkaq kudo që të ndodhen dhe sido që të jetë puna, fraza e parë tipike e bisedës fillon me “është e nevojshme që...”, “është e kohës”, “është radha të...” etj., dhe pak më pas bëhet kapërcimi, domethënë kalohet menjëherë në “duhet”. Kjo kthehet shpejt në tekë, sepse nxjerr krye pasiguria dhe bëhet i pranishëm dyluftimi mitik i gjërave të zakonshme që duan të kthehen në “teori”. Abraham Maslou (2004), ky personalisht dhe socialpsikolog i madh, e ka shqyrtuar thellë raportin e çuditshëm mes “është” dhe “duhet”, duke qëndruar në faktorë interesantë dhe të kohës, të cilin e këtillon si bazën e gabimit të natyrshëm e njerëzor.
“Nëse shumë njerëz nuk e bëjnë një gjë, kjo nuk e bën atë të gabuar. Nëse shumë njerëz e bëjnë një gjë, kjo nuk e bën atë të drejtë”. Ky postulat i rëndësishëm është thelbi i raportit mes “është” dhe “duhet”. Kështu mospjesëmarrja në protestë, në shesh, çdo mbrëmje për një problem të caktuar, nuk do të thotë se protesta është e gabuar (synimi i saj, problemet që zgjidh, kriza, ngërçi etj., por nga ana tjetër edhe nuk do të thotë aspak se, meqë e bëjnë shumë njerëz këtë protestë, atëherë kjo qenka ekskluzivisht e drejtë! Ky qëndrim është i domosdoshëm dhe i thukët, ndaj ka nevojë të kuptohet mirë. Mund të mos ketë shumë protestues dhe demonstrata nuk është aspak e gabuar. Vini re britmat histerike të fjalimeve para turmave të emocionuara e të eksituara. Të gjitha e kanë lënë pas fjalën “është” dhe merren me foljen gjysmëndihmëse “duhet”. Njerëzit nuk shkojnë në protestë, por kjo nuk do të thotë se demonstrimi është i gabuar. Njerëzit shkojnë me turma drejt protestës, aq sa nuk ke ku të hedhësh kokrrën e mollës dhe pikërisht kjo nuk do të thotë se protesta është e drejtë! Ana e jashtme e gjërave, forma, nuk mund të përcaktojë përmbajtjen. Vetëm kjo e fundit përcakton edhe se si duhet një formë, për të arritur synimin e kërkuar.
Jo, nuk ka urë lidhëse mes “është” dhe “duhet”. Dhe për më tepër këtë gjë nuk është në gjendje ta përcaktojë politika, e cila në vetvete është shërbëtore besnike e të dyja qëndrimeve. Sepse të dyja format klasike janë të mbërthyera kryesisht nga politika, që aksidentalisht ka rënë viktimë e tyre, duke anuar nga “duhet”, ka prishur ekuilibrin dhe udhëtimi i mbarë nuk ka si bëhet me ekuilibër të prishur. Ne tregojmë vlerat tona sa herë që kalojmë nga shqyrtimi objektiv i faktit në përshkrimin perspektiv të asaj që duhet të jetë. Mirëpo kjo ose nuk ndodh saktë, ose me qëllim e fsheh realitetin. Në këto drejtime, njëkohësisht të qarta dhe të errëta, vlerat personale të njeriut ndikojnë mbi punën e tij. Do të bënim mirë ta mbanin vath në vesh këtë dhe të kujtojmë se ajo që është e drejtë për ta, është e drejtë për të gjithë ne. Lidhur me këtë të vërtetë të madhe u organizuan dy anketa interesante lidhur me dy tekste të thjeshta. I pari: “është e hidhur që nuk kemi ujë. Për këtë qëllim kemi siguruar 90 milionë lekë dhe uji nga kompania SXD bëhet i pranishëm për 120 ditë. Ta gëzojmë!” Teksti i dytë: “Kjo qeveri na la pa ujë. Prandaj duhet t’ia kërkojmë ujin me protesta e me dhunë. Duam ujë, të thërrasim sa të tundet bota! Por duhet durim dhe protesta të jetë paqësore...” Në anketën e parë kishte më tepër përkrahës. Në prag të përurimit të ujësjellësit, kur të gjithë e shihnin konkretisht punën, gati 90% përkrahnin punën konkrete. Vlerat dhe supozimet tona i japin ngjyrë pikëpamjes sonë për botën. Për të kuptuar sesa ndikim kanë vlerat e supozuara dhe përfaqësitë shoqërore në dhënien e formës së asaj që e quajmë të sigurt, do duhet të përballeshim me një botë të ndryshme kulturore. Por kjo është disi e vështirë për t’u arritur. Prandaj dhe retorika e tjerrë e politikës nuk ka të mbaruar. Jo, njerëz, nuk ka të drejtë ai që bërtet “kapeni hajdutin”, sepse ka rrezik që hajduti të jetë vetë...
Nëse mendoni pa asnjë dyshim se njeriu mbi të gjitha duhet të jetë i sinqertë me vetveten, mirë, dakord jemi të gjithë me këtë tezë dhe le të punojmë për të arritur synimin tonë të përbashkët. Mirëpo në rrugë e sipër, për shembull, lind një ide për të reflektuar, se gratë qenkan të përshtatshme edhe për një grevë urie, madje edhe më të përshtatshme se burrat, kjo ka vend për të diskutuar mirë e për të reflektuar thellë. Sepse jo çdo gjë që thuhet mund të pranohet apriori, pasi kështu kemi thellim të hendekut midis “është” dhe “duhet”, kemi praninë e qeshur, jo harbute, të gabimit të “natyrshëm”. Ndërkohë, kjo thuhet të nesërmen! çfarë përfundimi arrijmë pra? Fakti që “gabimi është i natyrshëm” ka anën e tij subjektive, mos duhet të na lërë që të heqim dorë prej asaj që ndodh? Përkundrazi. Fakti që mendimi njerëzor përfshin gjithmonë interpretimin, është një arsye për të cilën na nevojitet kjo analizë. Duke kontrolluar bindjet tona të ballafaquara me faktet, sa më shumë i njohim ato, ne kontrollojmë dhe ngushtojmë prirjet tona dhe pastrojmë lupat për të parë më mirë realitetin dhe që gabimi natyror të na duket më i ëmbël...
#