E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paketa e ndihmës shpëton bankierët dhe grekët e pasur

Intervista

Paketa 750 miliardë eurosh, të cilën Bashkimi Europian e miratoi javën e kaluar për t’i dhënë një nxitje të re monedhës së përbashkët është kritikuar shumë në Gjermani. Ish-shefi i bankës qendrore gjermane “Bundesbank”, Karl Otto Pohl, në një intervistë të tij deklaron se themeli i euros është tronditur thellësisht

Zoti Pohl, a jeni duke investuar ende në monedhën e përbashkët euro, apo mos vallë ajo është destabilizuar në një shkallë shumë të lartë së fundi?

Unë ende kam shumë para të miat në euro, por ka shumë mundësi që ajo të shndërrohet në një monedhë të dobët.

Shkalla e shkëmbimit me dollarin është 1.25. Cili është problemi?

Themeli i euros ka ndryshuar thelbësisht dhe si pasojë e vendimit të qeverive të eurozonës për të transformuar vetveten në një bashkim transfertash. Ky është një dhunim i çdo rregulli ekzistues. Në traktatet mbi të cilat ka qenë bazuar funksionimi i Bashkimit Europian thuhej shumë qartë dhe shkoqur se asnjë vend nuk është përgjegjës për borxhet e një vendi tjetër. Por ajo çka po bëjmë tani është pikërisht e kundërta e një parimi të tillë thelbësor. Shtoji kësaj faktin se gjithashtu në kundërshtim me të gjitha rregullat dhe në kundërshtim me ligjet e saj, Banka Qendrore Europiane është përfshirë në operacionin e financimit të shteteve. Sigurisht që e gjithë kjo do të ketë pasoja.

çfarë mendoni se do të ndodhë?

Së pari, euroja është zhytur tashmë në një situatë rënieje të lirë ndaj të gjitha monedhave të tjera. Kjo është një tendencë që do të vazhdojë, sepse ajo çka kemi bërë është garantimi i një linje të gjatë monedhash të dobëta, të cilat nuk duhet të ishin bërë kurrë pjesë e euros.

Qeveria gjermane ka thënë se nuk ka pasur alternativë tjetër për Greqinë veç paketës së shpëtimit financiar?

Unë nuk e besoj një gjë të tillë. Sigurisht që kishte alternativa. Për shembull të mos pranohej anëtarësimi i Greqisë në zonën euro që në fillim të kësaj historie.

Kjo mund të jetë e vërtetë, por ishte një gabim i bërë shumë vite më parë

Gjithsesi, ishte një gabim. Kjo është tashmë shumë e qartë. Unë do të kisha pritur që Komisioni Europian dhe vetë Banka Qendrore Europiane të kishin ndërhyrë shumë më herët në këtë çështje. Ato duhet ta kishin kuptuar se një vend i vogël si Greqia pa një zhvillim shumë të madh industrial nuk do të kishte qenë kurrë në gjendje që të paguante një borxh prej 300 miliardë dollarësh.

Në fakt, sipas planit bëhet fjalë për një borxh 350 miliardësh

Borxh që ky ende nuk ka as shansin më të vogël që ta paguajë. Një nga alternativat e zgjidhjes së situatës në të cilën ndodhet Greqia do të kishte qenë ristrukturimi i borxhit, rreth një vit më parë, apo edhe më herët.

Por sipas Kancelares gjermane, Merkel, ai do të kishte pasur një efekt domino me ndikim te shtete të tjera të zonës euro që po përballen gjithashtu me një situatë të rëndë borxhesh.

Unë nuk e besoj një gjë të tillë. është diçka krejtësisht ndryshe.

Si për shembull?

Vendimi i marrë për paketën e shpëtimit u mor për të shpëtuar bankat gjermane, por veçanërisht bankat franceze. Në ditën që u ra dakord për këtë paketë aksionet në bankat franceze u rritën ndjeshëm me 24%. Kjo shpjegon shumë qartë arsyen parësore të vendimit të liderëve të Eurozonës që sipas meje është: shpëtimi i bankave dhe grekëve të pasur.

Në situatën aktuale të krizës dhe me gjithë trazirat e tregjeve ndërkombëtare a kishte realisht mundësi për ndarjen e kostove të planit të shpëtimit me kreditorët?

Unë besoj se po.

Ekzistonte frika se investitorët nuk do të kishin prekur bonot e qeverisë greke për vite me radhë dhe jo vetëm bonot e Greqisë, por ato të të gjitha vendeve të Europës Juglindore.

Ndërsa unë mendoj se do të kishte ndodhur pikërisht e kundërta. Investitorët do të kishin parë se Greqia në të vërtetë po ndihmohet për një zgjidhje reale të problemit të saj dhe për këtë arsye do të ishte rivendosur pak nga pak besimi i tregjeve te bonot e Greqisë. Por ai moment kaloi tashmë dhe sot ndodhemi në një kaos të vërtetë.

Si është e mundur që themelet e euros, pra parimet mbi të cilat ajo u ngrit janë braktisur sot, madje brenda nate?

Në fakt, gjithçka ndodhi me një të rënë të penës dhe kjo edhe për sa i përket Parlamentit gjerman. Të gjithë nisën që të ankohen për spekulimet dhe krejt papritur çdo gjë u krye.

Kjo do të thotë se ju nuk besoni në deklaratat e përmendura vazhdimisht për të ashtuquajturat sulmet e spekulantëve ndaj euros?

Jo. Një pjesë e madhe e faktorëve të përfshirë janë tërësisht institucione të nderuara financiare të tilla si banka, por edhe kompani sigurimesh, apo investimesh dhe fonde pensionesh, të cilat thjesht po përfitojnë nga situata e krijuar në këtë rast. Kjo është tërësisht e dukshme dhe do të thosha që është pjesë e lojërave dhe e rregullave të tregut.

A mendoni vërtet se fondet e pensioneve duhet që të luajnë, siç kanë bërë deri më tani, me një koeficient shumë të lartë rreziku?

Jo. Ato duhet që t’i investojnë paratë e investitorëve të tyre në mënyrë sa më të sigurt që të jetë e mundur. Për një fond është shumë normale që të shesë bonot e këqija me një çmim më të ulët në momentin që ato shndërrohen të pasigurta. Kjo është një sjellje e zakonshme tregu.

Me ndryshimin se spekulatorët tanimë nuk ndërmarrin asnjë lloj rreziku, sepse anëtarët e Eurozonës vendosën që të garantojnë borxhin grek?

Po, dhe kjo është shumë e dëmshme. Kjo do të thotë se mekanizmi bazë balancues në ekonominë e tregut nuk funksionon më.

A është e mundur që politikanët ta kenë sajuar gjithë pretekstin e sulmit të spekulantëve ndaj monedhës, në mënyrë që të legjitimizonin vendimet që morën e që ishin në kundërshtim me Traktatin e Lisbonës dhe rregullat e vetë Bankës Qendrore Europiane?

është e mundur.

Cila do të jetë pasoja politike e kësaj krize?

Së pari, do të ndryshojë i gjithë mekanizmi i komunitetit europian. Bashkimi Europian është një federatë vendesh jo një republikë federale. Por tani Komisioni Europian do të ketë një pushtet shumë më të madh dhe një autoritet të shtuar, si dhe një potencial për të ndërhyrë në ligjet e buxheteve të vendeve të ndryshme që e përbëjnë. Kjo ndërkohë përbën një problem kushtetues për shumë vende dhe për vetë Gjermaninë.

Por ndërkohë mund ta shohësh një gjë të tillë dhe nga këndvështrimi pozitiv. Për shumë kohë, kritikët kanë deklaruar se para se të kemi një bashkim monetar duhet që të kemi një politikë të përbashkët fiskale dhe ekonomike. Një gjë është e sigurt se kjo krizë e ka çuar BE-në shumë pranë një objektivi të tillë.

Po ky është hapi logjik i Bashkimit, por ne duhet të mbajmë peshën. Për këtë duhet të shihni se cila do të jetë kostoja e Gjermanisë në këtë çështje. Unë personalisht do të kisha preferuar që gjërat të kishin shkuar ndryshe.

Në të shkuarën, bankierët e Bankës Qendrore Europiane kanë qenë kundër çdolloj ndërhyrjeje politike, për shembull kur një qeveri donte, apo kërkonte që të merrte nën kontroll stoqet e arit. Në momentin aktual janë thyer dhe prishur edhe tabu shumë më të mëdha dhe ndërkaq, reagimi ndaj këtyre veprimeve ka qenë i dobët. Përse?

Presidenti i Bundesbankës, Alex Weber, ka kohë që ka lëshuar paralajmërime në lidhje me këto zhvillime të fundit dhe ndërkohë vazhdon që ta bëjë një gjë të tillë. Por sigurisht që është e vështirë që të përballesh me shumicën politike në vend që mendon ndryshe.

Veçanërisht në një moment kur ai po aspiron për të marrë kreun e Bankës Qendrore Europiane dhe kur për këtë i duhet pa dyshim edhe vullneti politik?

Po.

Në vijim të bashkimit monetar që u krijua në Gjermani pas bashkimit të saj në vitin 1990 u tha se nëse diçka e keqe ndodh në ekonomi, për këtë faj ka edhe politika, pra është edhe gabim politik. Sipas jush, a ka një kuptim paketa për shpëtimin e Eruozonës në përgjithësi?

Gjithmonë duhet pasur parasysh se çfarë kërkohet të arrihet. Nëse qëllimi ka qenë qetësimi i përkohshëm i tregjeve, atëherë po. Por ajo nuk mund të jetë arsyeja e vetme.

Sepse ju mendoni se efektet anësore do të jenë të mëdha?

Absolutisht. Imagjinoni vetëm situatën kur Gjermanisë do t’i duhet të paguajë për shumë kohë shuma të mëdha parash dhe ndërkohë euroja do të shndërrohet në një monedhë shumë të dobët.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›