E Hënë, 2 Nëntor 2026

40 vjet burg tutoreve shqiptarë në Londër

18/03/2005  Viktima 15-vjeçare tentoi vetëvrasjen

Në Angli, lituanezja u shit-ble 7 herë nga tutorët shqiptarë. Prostitucioni në 50 ditë, 9 shqiptarë të dënuar me 71 vjet burg

Tre emigrantë ilegalë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, tani do t'i duhet që të shpenzojnë plot 40 vjet në burgjet angleze. Ata janë gjetur fajtorë për trafikimin dhe shfrytëzimin e një minoreneje lituaneze si prostitutë në disa qytete të Britanisë së Madhe. Gjykatësi anglez e ka cilësuar rastin e trafikimit të lituanezes se “ka tiparet e vërteta të skllavërisë, ku vajza është shitur dhe është blerë nga të tjerë persona”.

Procesi

Minorenia lituaneze u shit-ble shtatë herë, u përdhunua sistematikisht dhe u detyrua me forcë të punojë si prostitutë për llogari të shqiptarëve në disa shtëpi publike në qytete të ndryshme të Britanisë së Madhe. Ajo mundi që t’i shpëtojë shfrytëzimit prej një skllaveje të vërtetë seksi, vetëm atëherë kur me ndihmën e disa vajzave lokale i iku “skllavopronarëve” shqiptarë duke vrapur, tërësisht e stresuar dhe e traumatizuar në drejtim të stacionit të policisë. Të tre shqiptarët nga trojet etnike, janë gjetur fajtor për trafikimin dhe shfrytëzimin e 15-vjeçares, e cila tani gjendet nën mbrojtjen e policisë me një identitet të ri. Shaban Maka është dënuar me 18 vjet burg, Ilir Bajrami me 15 vjet burg dhe Xhevahir Pisha me 7 vjet burg. Ndërsa bashkakuzuesja e tyre, 28-vjeçarja lituaneze, Lina Yunel, nuk është gjetur fajtore në pesë akuzat për trafikim personi për shfrytëzim seksual. Ajo i ka thënë gjykatës se ishte viktimë në duart e shqiptarëve, të cilët i kishin bërë presion se do t'i vrisnin djalin gjashtë vjeç në Lituani, nëse shkonte në polici për të denoncuar.

Dënimi

Pas një procesi trejavor, juria ka gjetur fajtorë shqiptarët Shaban Maka, 24 vjeç, nga Maqedonia, Ilir Bajramin, 25 vjeç, nga Kosova dhe Xhevahir Pishën, 21 vjeç, nga Shqipëria. Ata së bashku duhet të vuajnë 40 vjet burg për trafikimin e minorenes lituaneze për qëllime shfrytëzimi seksual. Gjykatësi i çështjes, Roger Keen, i rekomandoi Ministrisë së Brendshme angleze "Home Office", që të tre shqiptarët në fund të dënimit të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Ai tha: ”Trafikimi i vajzave për prostitucion është një problem ndërkombëtar. Është një aktivitet, i cili degradon dhe prodhon një mizori të fshehtë për vajzat në të gjithë botën. Kjo çështje ka tiparet e vërteta të skllavërisë, ku vajza është shitur dhe është blerë nga të tjerë persona”. Duke iu drejtuar Shaban Makës me fjalë të ashpra, gjykatësi Keen tha: “Ju jeni një person me të vërtetë katil, i poshtër dhe imoral. Ju jeni një njeri batakçi”.

Dëshmia mes lotëve

Minorenia në dëshminë e saj i tregoi gjykatës, mes lotëve që i dilnin rrëke, se “në një rast i tregova atyre se doja të shkoja në banjo dhe më pas fillova të pres damarët. Doja të vdisja, nuk duroja dot më atë që po më bënin”.

Duke folur me ndihmën e një përkthyesi, ajo deklaroi se me të mbërritur në Angli, personi që e kishte sjellë e takoi me Shaban Makën, Ilir Bajramin dhe një grua lituaneze, e quajtur Lina Yunel, pranë një bari në aeroportin e Heathrowt. Nga atje, ajo dërguar çuar në Londër, ku është takuar me një person tjetër. Pyetur nga prokurorja Sarah Wright, se ato momente çfarë ajo mendonte se do të bënte, lituanezja është përgjigjur: “Nuk e imagjinoja se çfarë do të bëja, por kur ishim në bar, Lina më tha se gjithçka do të shkonte mirë. Të nesërmen pashë një burrë, i cili pagoi për mua 4.000 paund duke më blerë”. Nga korriku deri në shtator të 2004-ës, lituanezja është detyruar me forcë nga Shaban Maka dhe Lina Yunel të punojë si prostitutë në qytetet Birmingham, Coventry, Shefild dhe Londër. Sikur mos të mjaftonte e gjithë kjo, Maka dhe Yunel do ta shiste përsëri minorenen më datë 6 shtator 2004, tek Ilir Bajrami për 1500 stërlina, i cili e mbajti atë të mbyllur në një apartamet, duke e rrahur dhe përdhunuar. Pesë ditë më vonë nga blerja e skllaves së seksit, Bajrami e ka dërguar atë në "Saunën Omega", duke u munduar t'i gjente punë si prostitutë. Ajo mundi të arratisej nga një klub nate dhe të kërkonte ndihmën e policisë.

Shfrytëzimi i lituanezeve

Në 50 ditë, 9 shqiptarë të dënuar me 71 vjet burg

Dënimi i tre shqiptarëve në Shefild e ka çuar në nëntë numrin e shtetasve shqiptarë të dënuar për trafikimin e vajzave lituaneze, detyrim me forcë për të shitur trupin e tyre në Britaninë e Madhe. Muajin e shkuar, gjykata “Southwark Crown Court” në Londër, dënoi me 16 vjet burg Vullnet Ismailin së bashku me “ushtarët” e tij, Sokol Qata dhe Lorenc Roci, për trafikimin dhe shfrytëzimin e vajzave lituaneze për prostitucion. Ndërsa javën e shkuar, gjykata e “Wood Green Crown court” në veri të Londrës, dënoi me 15 vjet burg tre tropojanët Besmir Rama, Adil Jahelezi dhe Flamur Nuza, së bashku me turkun Hasan Atesogullari. Rama bleu për 4 mijë paund një lituaneze 17-vjeçare, ndërsa miqtë e tij përgatitën hapjen e një shtëpie publike.

Prokurorja Wright: “Lituanezet, prioritet për t’u trafikuar”

Në një vit të paktën 40 vajza lituaneze janë trafikuar në Britaninë e Madhe si skllave seksi. Dënimi i tre shqiptarëve nga gjykata e Shefildit në veri të Anglisë, ka shënuar rastin e parë kur persona të përfshirë në trafikim e vajzave për qëllime shfrytëzimi në prostitucion të dënohen nga legjislacioni më i ri anglez me dënime të rrepta për këtë lloj krimi. Sipas ligjit, personat e përfshirë në trafikimin e vajzave për qëllime prostitucioni ndëshkohen me 14 vjet heqje lirie. Sarah Wright, prokurorja, e cila ngriti akuzat për shqiptarët Maka, Pisha dhe Bajrami, në një prononcim të sajin pas përfundimit të procesit, u shpreh se “është shumë e lirë dhe e lehtë për të dërguar viktimat me aeroplan në Britaninë e Madhe, se sa për t'i sjellë dhe shfrytëzuar ato në vende të tjera evropiane. Vajzat lituaneze, tani janë prioritet i trafikantëve për t'i sjellë në Angli”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›