E Shtunë, 31 Tetor 2026

40 vjet pritje

Filmi ‘Falja e Gjakut’, i regjisorit amerikan, Joshua Martson, që trajton një histori shqiptare, ka hyrë në mesin e 16 filmave të nominuar për çmimin kryesor në Berlinale. Për aktorët e filmit, Çun Lajqi dhe Selman Lokaj, pjesëmarrja në këtë festival është një mrekulli. Nga Albana S. Muja më 04 shkurt 2011 në ora 15:07

Pas rreth 40 viteve të kaluara në skenën e teatrit dhe të kinematografisë sonë, puna dhe mundi i aktorëve kosovarë, Çun Lajqi dhe Selman Lokaj, duket se do t’iu kurorëzohet me pjesëmarrjen në njërin prej festivaleve më të njohura botërore të filmit. Ata do të jenë pjesëmarrës në edicionin e 61 të Berlinale’s, që mbahet në Berlin, nga data 10 deri më 20 shkurt.

‘The Forgiveness of Blood’ (Falja e Gjakut), i regjisorit amerikan Joshua Marston, është një film që rrëfen një histori të hakmarrjes shqiptare në veri të Shqipërisë. Ai është futur në mesin e 16 filmave të nominuar për Ariun e Artë të edicionit të sivjetmë të Festivalit të Filmit në Berlin.

Skenarin e filmit e kanë bërë Joshua Martson dhe Andamion Murtaj, ndërkaq disa nga rolet kyçe në film i luajnë edhe pesë aktorët kosovarë, Ilire Vinca-Çelaj, Luan Jaha, Veton Osmani, Selman Lokaj dhe Çun Lajqi. Këta dy të fundit pritën shumë gjatë që puna e tyre të kurorëzohej me një nder si ky. Aq më tepër, që përmes një filmi të një regjisori amerikan, që trajton një temë shqiptare, të jenë pjesë e një festivali aq me nam. Lajqi dhe Lokaj më 10 shkurt pritet të parakalojnë nëpër qilimin e kuq në Berlin. Për një ndjenjë të tillë kanë punuar dhe pritur gjatë.

“Kjo ndoshta është hera e parë, e ndoshta dhe e fundit, sepse kam pritur shumë dhe tashmë jam në moshë, që të jem i pranishëm në njërin ndër festivalet më prestigjioze që i ka Evropa”, thekson Çun Lajqi.

Për të pjesëmarrja në këtë festival do të thotë shumë. Megjithëse, ai beson se edhe për aktorët e tjerë që luajnë në film kjo është një ëndërr. Por, për Çunin gjithsesi një ëndërr shumë më e madhe, ngaqë është hera e parë që del jashtë vendit me një film amerikan.

“Kjo është një mrekulli që po më ndodhë në këtë moshë”, thotë ai.

Ndërkaq, për Sleman Lokajn kjo pjesëmarrje në Berlinale ka një vlerë dhe rëndësi të veçantë, jo vetëm për të, por për gjithë kuadrot e aktorëve të Kosovës.

“Për mua kjo gjë ka rëndësi shumë të madhe, sepse karriera ime rreth 42-vjeçare po kurorëzohet me projektin e një regjisori i cili e ka dëshmuar edhe më herët talentin e tij”, sqaron Lokaj.

Edhe Lajqi është i bindur në suksesin e filmit, aq më tepër kur regjisori i filmit njihet për edhe me filmin ‘Maria Full of Grace’, që ishte shpallur film fitues i Berlinale’s pak vite më herët.

“Ne e dinim që Joshua ka një perspektivë të jashtëzakonshme, por edhe atë se edhe ky film i tij do të ketë sukses”, pohon Lajqi, derisa, njësoj sikurse edhe Lokaj, pret që filmi do të jetë ndër konkurrentët kryesorë për Ariun e Artë. Edhe disa prej kritikëve filmikë që e kanë parë filmin, e cilësojnë atë si njërin ndër filmat më të mirë të festivalit.

Aktorët tanë nuk presin ndonjë çmim individual, pasi që, sipas tyre, ata portretizojnë personazhe dytësore - janë prindërit e fëmijëve në gjak – por edhe për shkak se ky festival fokusohet më shumë te ata që luajnë rolet kryesore.
Megjithatë, dy aktorët tanë kanë menduar për dukje të mirë vizuale në Berlin. Qun Lajqi nuk harron ta falënderojë disa kompania private dhe Behxhet Pacollin, i cili e ka ndihmuar rreth udhëtimit dhe dukjes, e cila nuk është aq e parëndësishme për aktorin.

Filmat konkurrues

Përveç filmit ‘Falja e Gjakut’ në garë për Ariun e Artë të Berlinale’s janë edhe 15 filam të tjerë botëror: ‘A Torino Lo’, me regji të Bela Tarr; ‘Bizim Buyuk Caresizligimiz’ i Seyfi Teoman; ‘Coriolanus’. i Ralph Fiennes; ‘El premio’, me regji të Paula Markovitch; ‘Jodaeiye Nader az Simin’, me regji të Asghar Farhadi; ‘Les contes de la nuit’, i Michel Ocelot; ‘Lipstikka’, i Jonathan Sagal; ‘Margin Call’, i J.C. Chandor; ‘Saranghanda, Saranghaji Anneunda’, i Lee Yoon-ki; ‘Schlafkrankheit’, i Ulrich Koehler; ‘The Future’, i Miranda July; ‘Un Mundo Misterioso’ i Rodrigo Moreno; ‘V Subbotu’, i Alexander Mindadze; ‘Wer wenn nicht wir’, i Andres Veiel dhe ‘Yelling To The Sky’, me regji të Victoria Mahoney.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›