Obama dhe Mekein kërkojnë votat në shtetet republikane
Kandidati demokrat për president të SHBA-ve, Barak Obama, kërkon të fitojë votat në shtetet tradicionalisht republikane, ndërsa synimi i kandidatit Xhon Mekein janë votat e një tjetër shteti të rëndësishëm, Ohajo. Gjatë ditës së djeshme senatori Obama ka zhvilluar fushatë në Florida, Virxhinia dhe Mizuri, shtete këto që në dy zgjedhjet e fundit kanë votuar për republikanët. Anketimet e fundit kanë treguar se zoti Obama kryeson në Virxhinia. Megjithatë, gara është bërë e ashpër në Mizuri dhe Florida. Në nivel kombëtar anketat tregojnë se zoti Obama kryeson ndaj senatorit të Arizonës me gati 6 për qind. Ndërkohë, ish-presidenti amerikan, Bill Klinton, ka mbështetur në një tubim fushate në Florida kandidatin Barak Obama, duke u shprehur se ai “përfaqëson të ardhmen e Amerikës”. Ish-presidenti amerikan tha se zoti Obama duhet të zgjidhet president për filozofinë e tij, për politikat dhe aftësitë e tij, veçanërisht për potencialin për të ndryshuar jetën e njerëzve. Kandidati demokrat Obama e cilësoi zotin Klinton si një president dhe një burrë shteti të madh.
Disa orë para tubimit, kandidati demokrat për president, Barak Obama, theksoi përsëri thirrjen e tij për ndryshim në një reklamë të transmetuar nga një numër kanalesh në kohën e pikut të ndjekshmërisë. Reklama u kritikua ashpër nga rivali i zotit Obama, kandidati republikan Xhon Mekein. Në reklamën 30-minutëshe, e cila kushtoi miliona dollarë. për realizimin dhe koston e transmetimit, Obama u zotua se do të ndihmonte klasën e mesme dhe do të ulë taksat për shumicën e amerikanëve. Senatori nga Ilinoi u zotua gjithashtu se do të ndryshojë politikat amerikane ndaj Irakut dhe do të kalojë disa nga fondet që përdoren për luftën në atë vend, në shpenzime për përdorim të brendshëm. Zoti Mekein e kritikoi reklamën para se të transmetohej. Në komentet që bëri në Florida, kandidati republikan tha se rivali i tij Obama është në gjendje të paguajë për reklama të tilla, pasi ka hequr dorë nga angazhimi për të përdorur vetëm fonde publike, sepse deshi të grumbullonte fonde nga burime private. Ai tha se plani ekonomik i zotit Obama do të rriste taksat dhe do ta dëmtonte ekonominë. Të dy kandidatët i përqendruan përpjekjet në shtete kritike për votimet e 4 nëntorit.
Sara Pejlin: “Nëse humbasim, do të kandidoj në vitin 2012”
Kandidatja republikane për zëvendëspresidente të SHBA-ve, Sara Pejlin, i ka surprizuar të gjithë me deklaratën e saj. Nëse nuk do të zgjidhet këtë vit përkrah senatorit të Arizonës, Xhon Mekein, do të kandidojë për presidencën në vitin 2012 për nominimin e partisë. Deklarata e saj u bë gjatë një interviste për rrjetin televiziv “ABS”. “Nëse do të dorëzohesha pas disa goditjeve politike që kemi marrë gjatë kësaj kohe, do të kuptohej se ajo që kemi bërë deri në këtë moment nuk ka asnjë vlerë. Nuk dua të dorëzohem”, - është shprehur guvernatorja e Alaskës, e cila megjithatë shpreson se nuk ka marrë fund gjithçka, pasi ka ende kohë deri në zgjedhjet e 4 nëntorit. “Të martën çdo gjë do të shkojë mirë. Jam e bindur se maturia e amerikanëve do të jetë në maksimum atë ditë”,- tha Pejlin.
31 Tetor 2008