Raporti sekret, lufta mes Varshavës dhe NATO-s nis pa armë bërthamore
Në rast të një lufte të mundshme mes dy blloqeve më të mëdha ushtarake të botës, NATO dhe Traktati i Varshavës do të hezitojnë të përdorin armët bërthamore. Një fakt i tillë bëhet i ditur përmes dokumenteve të Pentagonit zyrtar në vitin 1975, i cili është nxjerrë nga arkiva sekrete vetëm katër muaj më parë. Në të parashtrohet e gjithë strategjia në rast të një lufte të madhe botërore mes Lindjes komuniste dhe Perëndimit. Sipas tyre, thuhet se amerikanët kanë poseduar informacione të rëndësishme të potencialit ushtarak. Po ashtu, ka pasur vlerësime për përqendrimin e kapaciteteve ushtarake të vendeve të Traktatit të Varshavës. Të dhënat për synimet e përgjithshme sovjetike të forcave detare janë të përcaktuara në Programin dhe Politikat Detare. Llogaritjet krahasuese mbi sulmin strategjik sovjetik dhe forcat mbrojtëse përmbahen në dokumentin Forcat Sovjetike për Konfliktin Ndërkontinental. Të dhënat e urdhrit të luftës dhe karakteristikave të pajisjeve, të cilat janë jashtë fushës së vlerësimit, mund të gjenden në memorandumin e përbashkët të CIA/DIA dhe në raportet dhe vlerësimet e Agjencisë Sekrete të Mbrojtjes. Më poshtë po publikojmë për lexuesit pjesë nga vlerësimet e kapaciteteve ushtarake dhe reagimeve në rast të një lufte botërore mes dy blloqeve.
Vlerësime të përgjithshme
Bashkimi i Republikave Sovjetike e konsideron themelore forcën e saj ushtarake në Europë për mbrojtjen e interesave të saj kombëtare dhe ruajtjen e pozicionit të saj strategjik përballë Perëndimit dhe në menaxhimin e politikës së saj të jashtme. Sovjetikët duket se kanë marrë përsipër të ruajnë epërsinë numerike të konsiderueshme ndaj NATO-s në disa elementë kyçe të posedimit të forcave, të tilla si: divizionet, tanket, artileria, avionët luftarakë. Megjithatë, ata nuk mund të ndajnë Europën nga konteksti më i madh i situatës në tërësi dhe burimeve të vlefshme strategjike të Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit. Ne besojmë se sovjetikët japin një pikëpamje më të gjerë të ekuilibrit ekzistues, duke konsideruar që NATO dhe Traktati i Varshavës mund të jenë të përmbajtura në ndërmarrjen e luftës. Sovjetikët, duke menduar për aspektet bërthamore të një lufte në Europë, kanë ndryshuar gjatë dekadave të kaluara dhe akoma mund të jenë duke ndryshuar. Dukshëm, sovjetikët nuk presin më gjatë se ndokush në radhët e NATO-s përdor armët bërthamore që domosdoshmërisht do të kenë përgjigje me sulme masive nukleare të Paktit përmes NATO-s në Europë.
Skema e një lufte të mundshme
Ne vlerësojmë se duke marrë konsideratat e koncepteve aktuale që karakterizojnë sovjetikët, faza fillestare e luftës në Europë mund të shfaqet në këtë mënyrë:
1- Sovjetikët besojnë se një luftë në Europë ka mundësi të nisë mes dy palëve, duke përdorur vetëm armët jobërthamore.
2- Gjithashtu, ata besojnë se Pakti do të përmbahet qetësisht ndaj një sulmi jobërthamor të NATO-s; do të ecë në sulm dhe mund të arrijë pranë suksesit në penetrimin e mbrojtjes së NATO-s.
3- Sovjetikët mund të vazhdojnë të përdorin vetëm armët jobërthamore, sa më gjatë të jetë e mundur.
4- NATO mund të ndërmarrë përdorimin e armëve bërthamore, e detyruar për të ndaluar përparimin e forcave të Paktit.
5- Nëse NATO fut në përdorim skemën, armët bërthamore do të jenë të përzgjedhura dhe të kufizuara dhe ne nuk mundet të parashikojmë me siguri përgjigjen sovjetike. Por, ata janë duke zgjeruar nivelin e opsioneve të përdorshme për të arritur tek përgjigjja. Ata mund të vazhdojnë operacione të pastra jobërthamore; ose ata mund të lançojnë një skemë të goditjeve masive bërthamore, - përgjigje të cilën ata praktikojnë më shpesh në veprimet e tyre. Por, ne nuk do të përfshijmë mundësinë që ata do të mund të përgjigjen me sulme të kufizuara bërthamore të zonave të tyre; - ata e kanë marrë në konsideratë këtë alternativë.
6- Megjithatë, nga llogaritja e sovjetikëve, rreziku i përshkallëzimit është shumë i madh sepse pala që goditet së pari, fillimisht mund të ketë përparësi. Mundësia e një përpjekjeje dorë pas dore nga pala e tjetër me sulme në shkallë të gjerë mund të rritet në shkallë të madhe.
Lufta bërthamore mes palëve
Posedimet e dokumenteve sovjetike të klasifikuara janë të vakëta në lidhje me çëshjten e përshkallëzimit bërthamor nga skena europiane te një shkëmbim ndërkontinental BS-SHBA. Të dhënat e paklasifikuara karakterizohen nga të tilla përshkallëzime si ky që thamë më lart.
Të dhënat e fundit nuk nxjerrin në pah synimet sovjetike në drejtim të kufizimit të një sulmi të Paktit brenda në Francë. Sovjetikët mund të preferojnë të mos përfshijnë francezët në një konflikt sepse, pavarësisht kapacitetit bërthamor francez, mund të rritet rreziku i përshkallëzimit bërthamor. Për shkak të pasigurive në vlerësimin tonë të doktrinës së tanishme bërthamore të sovjetikëve dhe mungesës së informacionit nga ana jonë, mbi të cilën të gjykosh se si autoritetet politike sovjetike mund të përgjigjen te një propozim nga ushtria sovjetike që të përdorë armë bërthamore, ne nuk mund të parashikojmë me siguri se si Pakti i Varshavës mund të riveprojë ndaj nisjes së luftës bërthamore të NATO-s. Por, ne gjykojmë se goditjet vendimtare ende favorizojmë përshkallëzimin e shpejtë të armëve bërthamore, kohë që shënon edhe fillimin e luftës në Europë.
Tre frontet e luftës sovjetike
Traktati i Varshavës ka rreth 150 divizione, në varësi të fuqisë së shteteve dhe gatishmërisë për luftë, dhe rreth 4200 avionë taktikë ushtarakë në Europën Lindore dhe të shpërndarë në Bashkimin Sovjetik, për të luftuar kundër NATO-s. Në anën tjetër, 22 divizione dhe 250 avionë luftarakë në qendër të Bashkimit Sovjetik ndoshta mund të përbëjnë një rezervë të përgjithshme për përdorim kundër çdo vendi të NATO-s apo Kinës. Pajisjet e anijeve të Traktatit, sulmi strategjik dhe forcat mbrojtëse gjithashtu mund të përdoren në një luftë europiane. Në mënyrë të dukshme, plani i sovjetikëve për operacionet ushtarake kundër NATO-s është i ndarë në tri hapësira:
a- Në veriperëndim të Bashkimit Sovjetik dhe Skandinavisë, që të mbrojë Murmanskin dhe instalimet e Flotës Veriore, që të neutralizojnë apo pushtojnë pozicionet e NATO-s në Norvegjinë Veriore dhe të sulmojnë forcat detare të NATO-s dhe anijet tregtare në detin norvegjez.
b- Në Europën Qendrore dhe Perëndimore, që të shkatërrojnë forcat e NATO-s në Gjermaninë Perëndimore dhe vendet e Beneluksit (Belgjikë dhe Luksemburg) dhe duke përdorur forcat ajrore dhe amfibe kundër ishujve kyç danezë; të lidhura me sulmet tokësore përmes Jutlandit dhe të mbështesë anijet e Traktatit në marrjen nën kontroll të Detit Balltik dhe të sigurojnë kalimin nga Balltiku në oqean të hapur.
c- Në Europën Juglindore, kundër Greqisë dhe Turqisë, që të sigurojnë ngushticat turke dhe të mbështesin operacionet detare në Mesdheun Lindor. Gjithashtu, operacionet kundër Italisë Veriore, nënkuptojnë të sigurojnë krahët jugorë të Traktatit, ku forcat duke sulmuar Gjermaninë Perëndimore mund të nisin nga Hungaria përmes Jugosllavisë ose Austrisë.
Vijon në numrin pasardhës
Në numrin e së shtunës do të ndiqni
Si mund të shmangen sulmet tokësore të sovjetikëve në vendet e NATO-s
Publikohen dokumentet sekrete të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes të 4 shtatorit të vitit 1975
Skemat për mbrojtjen e Gjermanisë Perëndimore dhe vendeve të tjera komuniste që janë fqinje me NATO-n.
Futja në lojë e arsenalit të avionëve ushtarakë. Ekspertët amerikanë parashikojnë skemat e luftës mes blloqeve
Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës
31 Tetor 2008