E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuza kërkoi si masë ndëshkimore 10 vite burg për të pandehurin



Tiranë - Prokuroria kërkoi dje 10 vite burg për personin që mori pakon me disa pistoleta që vinin nga Holanda. Agim Shëngjoni për porosinë që kishte bërë ndaj vetes rrezikon një dekadë burg edhe pse ende nuk është thënë fjala e fundit nga kolegji penal që po gjykon dosjen. Gjatë seancës së djeshme, prokurori, pasi risolli edhe një herë faktet më të rëndësishme të kësaj dosjeje, kërkoi si masë ndëshkimore për të pandehurin 10 vite burg. Pritet që në seancën e radhës, pasi të shprehet mbrojtja, kolegji të japë dhe vendimin.
Trafiku
Trafiku i pistoletave nga Holanda drejt Elbasanit u zbulua nga sektori i sigurisë së Postës Shqiptare, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Drejtori i sigurisë në institucionin postar, Isak Tema, tregoi në atë kohë se gjithçka u zbulua pas sinjalizimit në skanerin që ndodhet në filialin e tranzitit te Kinostudio. Rreth orës 08:00 të mëngjesit, skaneri dha një sinjal të çuditshëm. Thirrëm punonjësit e doganës, pasi punonjësit e postës nuk mund të ndërhyjnë në pakot postare. Ata e hapën dhe panë se përveç një laptopi dhe xhupit, ndodhej edhe një kuti me tri pistoleta, disa dhjetëra fishekë dhe një bombol e vogël me përmbajtje të panjohur". Për zbulimin u njoftua Policia e Shtetit dhe Prokuroria, të cilët vendosën ripaketimin dhe dërgimin e pakos në destinacion. Të nesërmen, pakoja mbërriti në qytetin e Elbasanit, ndërsa policë të veshur civilë ishin vendosur në pozicione strategjike. Punonjësit e filialit postar të Elbasanit ishin instruktuar që të dorëzonin pakon pa krijuar probleme dhe të ruanin qetësinë. Agim Shëngjoni është paraqitur rreth orës 10:00 të paradites për të marrë dy pakot e dërguara prej tij nga Holanda. Ndërsa dilte nga ambientet postare, ai është arrestuar nga disa efektivë që morën në ngarkim edhe pakon e mbërritur nga larg.
Dërguesi
Pistoletat që vinin në vendin tonë nëpërmjet Aeroportit të Rinasit kanë pasur të njëjtin person si dërgues të pakos, por dhe pritës të saj. Këtë fakt e bëjnë të ditur burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Burime nga prokuroria kanë bërë të ditur se Shëngjoni ka qenë emigrant në Holandë. Ky i fundit mësohet se ka nisur pakon prej andej, ndërkohë që është nisur edhe vetë tri ditë përpara për t'i pritur pistoletat e paketuara në vendin tonë. Shëngjoni është paraqitur për të tërhequr një pako postare në emër të tij, e cila vinte nga Holanda e që destinacion kishte Shqipërinë, pikërisht qytetin e Elbasanit, ku jetonte edhe Agim Shëngjoni. Ky është rasti i dytë kur në Shqipëri mbërrijnë armë me postë. Vitin e kaluar i njëjti sektor i Postës Shqiptare kishte pikasur një pistoletë, duke i mundësuar policisë arrestimin e poseduesit të pakos.

Avokatët: David Braun është i pafajshëm
Tiranë - David Braun është i pafajshëm jo vetëm nuk ka kryer abuzime me të miturit, por edhe vetëm me një mision për t’i ndihmuar ata. Kjo ka qenë mbrojtja që paraqiti dje avokati i Braun para trupit gjykues. Ndërkohë që një seancë më parë prokuroria kërkoi 20 vite burg për anglezin David Braun që akuzohet se ka abuzuar me të miturit. Përfaqësuesi i akuzës, ndërsa risolli edhe një herë abuzimet e të miturve dhe faktet që ishin evidentuar gjatë procesit gjyqësor, kërkoi dënimin maksimal për shtetasin e huaj. Prokurori i çështjes paraqiti faktet ku të paktën në dy raste, sipas tij, David Braun ka abuzuar me të mitur që ai strehonte në qendër. Teksa akuzohej për abuzime seksuale me të mitur, Braun disa herë është përpjekur t’i hedhë poshtë këto akuza madje duke paraqitur edhe raporte ku ai rezultonte impotent. Por videokonferencat me të mitur kanë hedhur dritë mbi dramën brenda qendrës në Tiranë ku veç tij kanë abuzuar dhe dy britanikët e tjerë, Dino Kristodoulu dhe Robin Arnold. David Braun u vu në pranga në maj të vitit 2006. Skandali u zbulua pas arrestimit të një të mituri, i cili dyshohej për vjedhje. Teksa po e merrnin në pyetje, oficerët e policisë zbuluan se në qendrën ku strehohej i mituri ishte abuzuar seksualisht. Ndërkohë, prokuroria pritet të shprehet në ditët në vijim edhe për dy britanikët e tjerë.

“Kumbaro” Gjykata e Londrës do të bëjë identifikimin

Tiranë - Gjykata e Londrës pritet të mblidhet për të vendosur lidhur me çështjen e identitetit të Ilir Kumbaros, ish-oficerit të SHIK-ut, të shumëkërkuar nga Interpol Tirana për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, ngjarje kjo e disa viteve më parë. Kumbaro rezulton me dokumente çeke dhe prej tyre ka përfituar edhe azil politik në Angli, por gjykata do të vendosë lidhur me vërtetësinë e tyre dhe kërkesën për ekstradim të Kumbaros. Pritet që gjykata duhet të japë verdiktin nëse personi i arrestuar është Ilir Kumbaro. Kumbaro pretendon se është shtetasi nga Kosova Shaqir Shatri ose i njohur si Shaqo Shatri, i cili është paraqitur në vitin 1996, për azil në Angli me këtë emër, duke e fituar atë. Me këtë emër rezulton të ekzistojë dhe një shtetas çek. Personi që dyshohet të jetë Ish-oficeri i lartë i Shërbimit Sekret, Ilir Kumbaro i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, u arrestua në Londër me 18 tetor. Ai u arrestua nga Interpoli pas një kërkimi intensiv ndërkombëtar. Në banesën e shtetasit të arrestuar janë gjetur një sërë dokumentesh të falsifikuara. Këto dokumente dhe të tjera të dërguara nga Tirana do të paraqiten si argumente për të vërtetuar se personi i arrestuar është Ilir Kumbaro.

Arrestohet italiani, dyshohet se vodhi laptopin në Hotel Tirana

Tiranë - Mbrëmë specialistët e Seksionit kundër Vjedhjeve të Biznesit bënë të mundur ndalimin e shtetasit italian GA. DG., vjeç 51, lindur dhe banues në Brindizi. Ndalimi i tij u bë pasi akuzohet se në ambientet e Hotel Tirana Internacional ka vjedhur një monitor kompjuteri. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë për veprën penale të vjedhjes.

Ekstradohet nga Belgjika i dënuari për vrasjen e policit

Tiranë - Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, dje rreth orës 20:00, ekstradoi nga Belgjika në drejtim të Shqipërisë të shumëkërkuarin: Behar Bajri, vjeç 28, nga Shkodra, person me precedentë të theksuar kriminalë. Arrestimi i tij është bërë i mundur më 17 dhjetor 2007 mbas një ndjekje sistematike shumë profesionale të strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe bashkëpunimit e shkëmbimit të vazhdueshëm të informacionit ndërmjet Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me Interpolin dhe Policinë Belge. Ministri i Drejtësisë së Belgjikës firmosi ekstradimin e të shumëkërkuarit Behar Bajri më 18 tetor 2008. Shtetasi Behar BAJRI është i njohur si kontingjent kriminal për shkak të kryerjes së disa krimeve të rënda në qytetin e Shkodrës ndër të cilat: Vrasjen me armë zjarri të punonjësit të policisë Petrit Demiri, krim për të cilin pas arrestimit të tij është dënuar me vetëm dy vjet burgim. Është dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2(dy) milion lekë gjobë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë për kryerjen e veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Është autori i dyshuar për disa vrasje të kryera në qytetin e Shkodrës, ndërkohë është arrestuar disa herë nga strukturat e policisë dhe për veprën penale “armëmbajtje pa leje”. Arrestimi i shtetasit Behar Bajri është bërë në lokalitetin Gent/Belgjikë. Ky shtetas përdorte gjeneralitete false me emrin Mitko Kamenov, i datëlindjes 25.5.1978.
Mbi precedentët penalë të të shumëkërkuarit Behar Bajri

Më datë 28.01.2000 në fshatin Dobraç ka vrarë me armë zjarri shtetasin Petrit Demiri, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Shkodër. Për këtë vepër venale Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e ka dënuar vetëm me dy vjet burgim.
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendim të datës 27 shkurt 2007 e ka dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2(dy) milion lekë gjobë për kryerjen e veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Ngjarja për të cilën shtetasi Behar Bajri është deklaruar fajtor ka ndodhur me datën 12 shtator të vitit 2005, në qytetin e Shkodrës, ku ky shtetas përmes gjobvënies, ka kërkuar që të përfitojë pa të drejtë shumën prej 5 milionë lekësh të reja nga një banor i qytetit të Shkodrës. Këtë vepër penale shtetasi Behar Bajri (Rustemi) e ka kryer në bashkëpunim me kushëririn e tij Sead Rustemi.
Më datë 18.08.2006 shtetasi Behar Bajri është akuzuar për përdhunimin e dy vajzave të mitura, krim të cilin e ka kryer në bashkëpunim me një tjetër shtetas. Për këtë ngjarje Gjykata e rrethit Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” nën akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim”, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç”.
Po ashtu ky shtetas është autori i dyshuar i disa krimeve të tjera të rënda dhe konkretisht:
Më datë 14.01.1999 në lagjen Dobraç të qytetit të Shkdrës shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë kryer veprën penale të vjedhjes me armë ndaj dy shtetasve nga Berati, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip Kamion me targë të Vlorës.
Më datë 14.01.1999 në lagjen “Vojo Kushi”, janë vrarë me armë zjarri vëllezërit Osman e Artur Alibali. Autorë të dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj. Kjo vrasje është kryer menjëherë mbas vjedhjes me armë të kryer ndaj dy shtetasve nga Berati.
Më datë 15.02.2001 në lagjen Vasil Shanto të qytetit të Shkodrës është vrarë me armë zjarri shtetasi Arben Tuzi, vjeç 39 nga Shkodra. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri dhe Ilir Bajri.
Më datë 21.03.1999 shtetasi Behar Bajri në bashkëpunim me shtetasin Ilir Bajri kanë tentuar të kryejnë vjedhje me armë ndaj shtetasit Arben Tuzi dhe vëllait të tij. Nga shkëmbimi i zjarrit të dy palët kanë plagosur njëri-tjetrin.
Më datë 26.06.2002 në banesën e shtetasit Behar Bajri është gjetur e vrarë bashkëshortja e tij Fabiola Bajri, 16 vjeçe. Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se në këtë rast ishte vrasje dhe jo vetëvrasje siç deklaruan familjarët. Autor i dyshuar i kësaj vrasje është shtetasi Behar Bajri.

30 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›