E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Kosova ka bërë progres. Luftoni korrupsionin dhe krimin!



Komisioni Europian ka vlerësuar se Kosova ka bërë përparime në përmbushjen e standardeve europiane. Megjithatë, problem mbetet korrupsioni dhe krimi i organizuar. Një pjesë e raportit të KE-së që do të dalë më 5 nëntor u bë publike dje nga Radio Televizioni i Kosovës. Në raport përmendet si përparim politika kosovare ku skena më e dominuar është shpallja e pavarësisë më 17 shkurt të këtij viti. Në raport, citon RTK-ja korrupsioni është i përhapur dhe autoritetet kosovare kritikohen për mosangazhim të mjaftueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Autoritetet kosovare, sipas këtij dokumenti, nuk kanë strategji se si ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Gjithashtu sistemi gjyqësor, sipas raportit, ka mangësi të mëdha.
Në kapitullin e ekonomisë, sipas raportit, është vërejtur një zhvillim i limituar por, siç thuhet, “jo edhe aq i mjaftueshëm për t’u përballur me rritjen e numrit të njerëzve që hyjnë në tregun e punës”. Gjithashtu nënvizohet se ekonomia e tregut funksionon pamjaftueshëm. Raporti i Komisionit Europian, i cili do të publikohet më 5 nëntor, do të miratohet më pas nga kolegji i komisionerëve një javë më vonë.

Doris Pak: “Vendosja e EULEX-it sipas Kushtetutës dhe Ahtisarit”

Deputetja e Parlamentit Europian, Doris Pak, është shprehur se vendosja e EULEX-it duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe planin e Ahtisarit. Pak kundërshtoi zërat që flasin në favor të një qëndrimi neutral të EULEX-it ndaj statusit të Kosovës në këmbim të marrjes së pëlqimit nga Beogradi për vendosjen e misionit europian në pjesën veriore të Kosovës.
Eurodeputetja Pak tha në Prishtinë se sikur të mos ishte plani i Ahtisarit, as EULEX-i nuk do të ishte në Kosovë. Komentet e saj u bënë pas një takimi me nënkryetaren e Lidhjes Demokratike të Dardanisë në opozitë, Besa Gaxherri me të cilën bisedoi për çështje të përfaqësimit gjinor në Kosovë. Deputetja Pak po qëndron në Kosovë për një vizitë dyditëshe.

Maqedoni, Parlamenti miratoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Parlamenti i Maqedonisë miratoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor pas debatit treditor. Pro ndryshimeve votuan 85 deputetë dhe 6 të tjerë ishin kundër. Kodi i ri Zgjedhor i mundëson diasporës të votojë, ndërsa tre deputetë nga diaspora do të kenë vendet e garantuara në Parlamentin e Maqedonisë. Ndryshimet kanë pasuar një marrëveshje të para pak javëve ndërmjet drejtuesve të katër partive më të mëdha në vend. Amendamentet e Partisë Demokratike Shqiptare të opozitës nuk u përfillën. Partia, mes tjerash kërkonte ndryshimin e kufijve të zonave zgjedhore. Zgjedhja e Presidentit të vendit do të vazhdojë të bëhet përmes votimit popullor. Në raundin e parë duhet të dalin më shumë se pesëdhjetë për qind e votuesve ndërsa në raundin e dytë të votimit mjafton që në zgjedhje të dalin dyzetë për qind e votuesve që zgjedhjet të quhen të vlefshme. Zgjedhjet presidenciale dhe vendore do të mbahet në pjesën e dytë të muajit mars të vitit të ardhshëm.

Greqi, kompania ajrore “Olympic Airlines”, në grevë

Kompania ajrore kombëtare greke “Olympic Airlines” ka anuluar dje mbi 48 fluturime të brendshme dhe ndërkombëtare të parashikuara për shkak të zhvillimit të një greve 24-orëshe, me vendim të sindikatës dhe personelit të saj. “Fluturimet e anuluara përfshijnë linjat me Milanon, Londrën, Frankfurtin, Dyseldorfin, Beogradin, Stambollin, Nikozinë, Mançesterin dhe Munihun, ndërsa 46 fluturimet do të kryhen”, - u bë e ditur në një komunikatë. Vendimi për zhvillimin e grevës u mor nga Federata greke e Sindikatave të Aviacionit Civil (OSPA) për të protestuar kundër vendimit të qeverisë për privatizimin e kompanisë që përballet me një problem likuiditeti. Sipas sindikatës, privatizimi rrezikon të komprometojë cilësinë e shërbimeve që i kanë dhënë reputacion kompanisë, kryesisht në fushën e sigurisë. Greva e djeshme nuk ka përfshirë kompaninë private “Aegean Airlines”.

31 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›