47 aksidente në punë për tre muaj, ISHP: Fushatë kontrolli në ndërtim
Në vendin tonë vazhdon të ketë vdekje për shkak të mungesës së sigurisë në punë. Vetëm gjatë tre muajve të fundit kanë humbur jetën 7 persona, ndërkohë që 20 të tjerë janë aksidentuar, për shkak të kushteve të pakta të sigurisë që ka në tregun e punës. Për këtë arsye Inspektorati Shtetëror i Punës ka deklaruar se do të kryejë një fushatë kontrolli në biznesin e ndërtimit për të gjobitur kundravajtësit e ligjit.
“Gjate tremujorit të dytë të këtij viti do të jetë kontrolli i subjekteve të sektorit të ndërtimit dhe të prodhimit, në të cilat evidentohen probleme në lidhje me sigurinë dhe shëndetin dhe ku ka ndodhur dhe numri më i lartë i aksidenteve”, - paralajmëroi dje me anë të një njoftimi për shtyp, Inspektorati Shtetëror i Punës. Përgjatë tremujorit të parë janë gjobitur 41 subjekte private për shkelje të legjislacionit në fushën e sigurisë, me një vlerë totale prej 81 milionë lekësh të vjetra.
Aksidentet
“Gjatë periudhës janar-mars 2009, janë regjistruar 16 raste aksidentesh që lidhen direkt me punën dhe 3 raste janë me pasojë humbjen e jetës së punëmarrësit. Kryesisht, këto aksidente kanë ndodhur në sektorin e ndërmarrjeve prodhuese, ndërtim, regëti karburantesh. Në sektorin e minierave janë regjistruar 7 raste aksidenti me dëmtim të punëmarrësve, ndërsa 2 raste janë me pasojë humbjen e jetës së punëmarrësve. Aksidente në rrugë janë regjistruar 4 raste me dëmtime të punëmarrësit, ndërsa 2 raste kanë përfunduar me humbjen e jetës së tyre”, - deklaroi ISHP-ja.
Sipas këtij inspektorati, është vërejtur një ulje e numrit të aksidenteve në punë, ndonëse mbeten në nivel të lartë. “Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vihet re një ulje e numrit të aksidenteve. Ne total, gjatë tremujorit të parë të vitit 2009 janë regjistruar 27 të aksidentuar, nga të cilët 7 kanë rezultuar me pasoje humbje jete, ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2008 janë regjistruar 61 të aksidentuar, nga të cilët 10 me pasojë humbje jete”, - informoi ISHP-ja.
Ligji i ri
Ndërkohë, ISHP-ja deklaroi se po përgatit një ligj të ri për sigurinë në punë, në mënyrë që legjislacioni shqiptar të përafrohet me atë evropian. “Aktualisht, ISHP-ja është i angazhuar në punën për projektligjin e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, një detyrim që rrjedh nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Ky draft realizohet në kuadrin e përafrimit të legjislacionit shqiptar për sigurinë dhe shëndetin në punë, me atë të vendeve anëtare të BE-së”, - bëhet e ditur nga ISHP-ja.
Sipas këtij institucioni, hartimi i ligjit bëhet në kuadër gjithashtu dhe të realizimit të planit të masave të parashikuar në Dokumentin Strategjik të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, i cili është një plan afatgjatë për masat që do të merren në kuadër të përmirësimit të kushteve të punës, parandalimit të aksidenteve, konsolidimit institucional të ISHP-së dhe forcimit të bashkëpunimit me institucione të tjera homologe dhe partnerët socialë.
Përfaqësues të Organizatës Botërore të Punësimit kishin kritikuar pak ditë më parë në Tiranë punën dhe strukturimin e Inspektoratit Shtetëror të Punës.