Kriza botërore; Bie vlera e shitblerjes së anijeve
Vlera e shitje-blerjeve të anijeve duket se ka pësuar rënie të ndjeshme muajt e fundit në tregun botëror. Rënie në mënyrë të ndjeshme në tregun ndërkombëtar ka pasur vlera e anijeve të mallrave. Një pjesë shumë e madhe e tyre prej disa muajsh kanë krijuar stoqe në pjesën dërmuese të porteve të Evropës, ku qëndrojnë të ankoruara. Një situatë e ngjashme është krijuar edhe në Portin e Durrësit ku një pjesë e madhe e tyre, edhe pse janë nxjerrë në shitje, nuk kanë mundur që të ndryshojnë pronarë. Armatorët tanë (apo poseduesit e biznesit të shitblerjes së anijeve), të cilët janë kryesisht nga qytetet-porte, shprehen se situata në tregun botëror e shitblerjeve të anijeve të përdorura është në gjendje ngërçi. Kjo gjendje është reflektuar edhe për anijet e flotës sonë, të cilat janë shpallur në shitje. Pronarët e tyre shprehen se anijet e tonazhit të vogël, nga 500 tonë deri 2500 tonë, të tonazhit të mesëm, nga 2500 deri 5000 tonë, nuk preferohen më në treg. Nëse deri vitin e kaluar këto anije vlerësoheshin nga 2 milionë dollarë deri 4 milionë dollarë në vartësi të tonazhit, sot vlera e tyre ka rënë në shifra minimale.
A. Ajazi