E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet 27-vjeçari, “gjobiti” drejtorin e bankës arabe me 100 mijë euro



Policia e Tiranës ka vënë në pranga personin, i cili gjobiti me mesazhe telefonike drejtorin e Bankës së Bashkuar Arabe në Shqipëri. Sipas burimeve policore, në prangat e specialistëve të Seksionit Kundër Krimeve Seksuale dhe të Lirisë së Personit u ndalua Lulëzim Makisti, banues në Tiranë. Ai akuzohet se ka nisur në celularin e bashkëshortes së egjiptianit Ehab Shukri Saad, mesazhe, me anë të të cilave ai kërkonte 100 mijë euro, ose në të kundërt do t’i vriste ata. Ndalimi i tij u krye mbi bazën e urdhrit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi në ngarkim të tij, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të datës 26 prill 2009, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, duke e akuzuar për konsumim të veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie” në bashkëpunim. Referuar burimeve policore, në muajin shkurt të këtij viti, drejtori i Bankës së Bashkuar Arabe shkoi në polici, ku kreu një denoncim, ku ai dhe familja e tij kërcënoheshin me vdekje. Në datën 28 të këtij muaji, Prokuroria e Krimeve të Rënda filloi hetimet dhe drejtori egjiptian i bankës, 43 vjeç, bashkë me të shoqen dhe vajzën e tij, u morën në pyetje për më tepër se tri orë. Në mënyrë të prerë, autorët e ngjarjes i kanë kërkuar drejtorit të bankës një shumë prej rreth 100 mijë eurosh. Sipas rrëfimit të egjiptianit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në rast refuzimi për dorëzimin e shumës së kërkuar, gjobëvënësit kanë kërcënuar me vrasje dhe me veprime të dhunshme ndaj të afërmve të 43-vjeçarit dhe anëtarëve të familjes së tij. Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Sektorin e Antiterrorit në Policinë e Tiranës identifikuan dy numra celularë, nga të cilët janë kryer thirrjet telefonike kërcënuese në adresë të egjiptianit me banim në Tiranë. Shumica e mesazheve ishte dërguar në celularin e Almara Read, gruas së drejtorit të bankës. Mesazhet niseshin nga Egjipti, por pas punës së kryer u arrit që të identifikohej njëri prej autorëve. Policia e Tiranës vuri në pranga 27-vjeçarin Lulëzim Makisti, ndërkohë që po punohet për kapjen e bashkëpunëtorit të tij. 27-vjeçari u shoqërua në qelitë e paraburgimit. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të “shtrëngimit me dhunë për dhënie të pasurisë”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›