Emigrimi, shtohen kriteret për vizë në Britani
Ministrat e qeverisë britanike kanë vendosur përfundimisht zgjerimin e testeve të gjuhës angleze për emigrantët në Mbretërinë e Bashkuar, edhe për të gjithë ata që aplikojnë për të migruar. Janë rreth 150 mijë emigrantë që do t`i nënshtrohen testimit në fjalë, sipas gazetës britanike “The Guardian”. Kjo do të thotë se tashmë, për të emigruar në Britaninë e Madhe, do të duhet paraprakisht të kesh mbrojtur gjuhën angleze ose të kesh njohuri shumë të mira për të. Nisma në fjalë është pjesë e strategjisë së re britanike për të ndaluar emigracionin ilegal e mbi të gjitha, edhe në rastet kur ky lloj emigracioni nuk mund të ndalohet, t`i vendoset kufizim, për të mos përfituar nga shërbimet publike, si blerja e shtëpive, shërbimi mjekësor apo edhe në sektorin privat, si në atë bankar. Për herë të parë, qeveria britanike do të shpërndajë libra të posaçëm për të gjithë emigrantët, të cilët, sipas ministrave britanikë, janë të detyruar të marrin pjesë në jetën publike të vendit dhe në aktivitetet vullnetare, në mënyrë që të parandalohet punësimi ilegal i emigrantëve. “Të jemi të sinqertë, ne nuk kemi arritur të parandalojmë emigracionin ilegal, - tha dje ministri i Brendshëm britanik, Xhon Rid, - e për më tepër nuk e kemi ndaluar atë që të përfitojë nga shërbimet publike të vendit tonë”. “Do you speak english?” Nëse kësaj pyetjeje i përgjigjen pozitivisht, emigrantët që jetojnë në Angli do të kenë shumë më shumë përfitime nga sa kanë deri më sot. Të gjithë emigrantët që jetojnë dhe punojnë në Mbretërinë e Bashkuar do të kenë mundësinë të përfitojnë më lehtë lejen e qëndrimit dhe nënshtetësinë britanike. Ministri britanik për Emigracionin, Lian Brim, deklaroi dje mënyrën e re për të aplikuar për leje qëndrimi dhe nënshtetësi, e cila vërtitet vetëm rreth gjuhës angleze dhe mënyrës së të jetuarit në ishullin e madh. Në këtë mënyrë, të gjithë ata që dëshirojnë të pajisen me dokumentet e mësipërme, mjafton të japin provimin e gjuhës dhe të përgjigjen në disa pyetje për kulturën dhe temperamentin e britanikëve për të marrë vërtetimin e shumëpritur. Nga ana tjetër, ata të cilët nuk janë folës të mirë të gjuhës më të folur në botë, do të duhet të regjistrohen sa më shpejt në kurset e mësimit të anglishtes, për të përfituar sa më parë statusin e ri. Shpenzimet për këto kurse do të mbulohen në mënyrë private, pasi shteti britanik nuk ka përcaktuar asnjë fond për këtë bashkësi të emigrantëve. Në rast se emigrantët do të arrijnë të marrin testin e gjuhës, atëherë ata do të kalojnë në stadin e dytë, atë të kulturës dhe të historisë britanike. Pa dyshim, me një respekt ndaj mbretërisë, që trumbetohet së tepërmi nga historia britanike emigrantët, shqiptarë apo jo, do të plotësojnë testin prej 100 pyetjesh të përcaktuar për këtë pjesë të “intervistës” së tyre për nënshtetësinë. Në rast se ata arrijnë t’ia dalin me sukses edhe testit të dytë, atëherë automatikisht ata do të jenë mbajtësit më të rinj të nënshtetësisë britanike. “Të kesh rrënjë të mira në anglishte është parësore për emigrantët, në mënyrë që ata të luajnë një rol qendror në shoqëri dhe të integrohen ashtu siç duhet në komunitetin tonë”, - deklaroi ministri britanik. “Është shenjë suksesi që puna në vendin tonë ka tërhequr kaq shumë persona nga shtete të tjera”. Në të njëjtën kohë, Briam shtoi se edhe vende të tjera si Australia kanë ngritur grupe pune për të parë mundësinë e krijimit të një sistemi të ngjashëm.