Qeveria merr përsipër kompensimin e çmimit të kartave të identitetit
Eljona Ballhysa
Këshilli i Ministrave ka miratuar, gjatë mbledhjes së djeshme, vendimin për kompensimin e çmimit të kartave të identitetit për disa kategori individësh. Në vendimin e qeverisë është parashikuar kompensimi i shtresave në nevojë, pensionistëve, studentëve dhe buxhetorëve. Këta individë do ta blejnë kartën e identitetit me çmimin e saj normal, por do të përfitojnë kompensim nga shteti për një pjesë të çmimit të saj. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, kryeministri Berisha, ndërsa ka kërkuar që qendrat e aplikimit të punojnë me orar të zgjatur, ka replikuar me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani. Ai është shprehur se, “në këto zyra që ditën e hënë është punuar me 12 orë”. Por kjo deklaratë e Nishanit është rrëzuar nga Berisha, i cili ka bërë të ditur se “qytetarët që kanë shkuar pas punës për të aplikuar për dokumentet i kanë gjetur zyrat të mbyllura. E kuptoj që ata bëjnë një punë të lodhshme, të pandërprerë dhe që kërkon përqendrim, por, zoti ministër i Brendshëm, duhet të ngarkoni një Task Force për të ushtruar kontroll të përgjithshëm. Të njoftohet publiku që zyrat do të jenë të hapura deri në 12 orë në dispozicion të qytetarëve dhe ky orar duhet të zbatohet”.
Kategoritë
Në vendimin e djeshëm të qeverisë është parashikuar që shtresave në nevojë do t’u kompensohet pagesa për pajisjen me kartë identiteti në masën 700 lekë. Pra, këtë kompensim e përfiton çdo anëtar i familjes, që trajtohet me ndihmë ekonomike dhe që është mbi 18 vjeç, si dhe ata që e mbushin këtë moshë para datës 30 qershor 2009.
Kompensimin prej 700 lekësh e përfitojnë dhe personat me aftësi të kufizuar, ata që përfitojnë pagesë papunësie dhe studentët. Në vendim është parashikuar kompensim nga shteti në masën prej 400 lekësh të çmimit të kartës së identitetit për të gjithë personat që përfitojnë pension pleqërie, në fshat apo qytet, të plotë ose të pjesshëm, si dhe pension invaliditeti; personat në ngarkim të pensionistëve, të cilët janë pa të ardhura. Ndërsa punonjësit e institucioneve buxhetore me pagë mujore bruto jo më të madhe se 35 mijë lekë, si dhe personat në ngarkim të tyre pa të ardhura, do të përfitojnë kompensim në masën e 200 lekëve. Pra, vendimi i qeverisë parashikon që punonjësit e administratës të paguajnë vetëm 1000 lekë për kartën e identitetit, e cila kushton 1200 lekë; pensionistët të paguajnë 800 lekë, ndërsa studentët dhe qytetarët në ndihmë ekonomike ta blejnë kartën me vlerën prej 500 lekësh.
Procedura
Vendimi i qeverisë parashikon që pagesa e kompensimit për marrjen e letërnjoftimit të kryhet vetëm për aplikimet e bëra deri në 30 maj 2009. Pas kësaj date nuk kompensohet asnjë pagesë. Kompensimet jepen, përkatësisht, nga zyrat ku bëhen pagesat për pagat, ndihmën ekonomike, papunësinë dhe pensionet. Për studentët, pagesa bëhet nga universitetet ku ata studiojnë. Pagesa e kompensimit bëhet në mënyrë të menjëhershme, pasi personi përfitues paraqet fotokopje të dokumentit të dhënë nga zyra e gjendjes civile, pas aplikimit për pajisjen me letërnjoftim, të shoqëruar me mandatin e pagesës së bërë nga përfituesi. Në fund të muajit, çdo institucion buxhetor dhe njësi e qeverisjes vendore raporton, përkatësisht, në ministritë ose institucionin qendror nga i cili varet dhe në Ministrinë e Brendshme listëpagesën e përfituesve të kompensimit të paguar për muajin, së bashku me fotokopjet e mandateve të përfituesve. Ministritë dhe institucionet qendrore, bazuar në këto raporte, bëjnë një kërkesë përmbledhëse për rimbursimin e fondeve të shpenzuara në Ministrinë e Financave, e cila bën çeljen e menjëhershme të fondeve për ministritë dhe institucionet qendrore. Këto të fundit bëjnë, më tej, rimbursimin për institucionet vartëse dhe njësitë e qeverisjes vendore. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, në shumën 500 milionë lekë do të përballohen nga fondi rezervë i vitit 2009.
15 Janar 2009