E Diel, 1 Nëntor 2026

“5 vjet më parë nuk e besoja Shqipërinë në NATO”

Berisha pret në takim Kongresmenin amerikan Eliot Engel

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Kongresmenin Eliot Engel, njëkohësisht anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme dhe Kryetar i Nënkomitetit për Evropën, së bashku me disa bashkëpunëtor të tij dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Amerikë.
Kryeministri Berisha e falënderoi për përkrahjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme, që senatori Engel, Kongresi Amerikan, administrata e Presidentit Obama, administrata e ish-presidentit Bush dhe Shtetet e Bashkuara i dhanë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. Kryeministri shprehu falënderime edhe për kontributin e madh që Kongresmeni Engel, si edhe përkrahjen e Kongresit dhe gjithë institucioneve të tjera të SHBA-së për pavarësinë e Kosovës.
Nga ana e tij, Kongresmeni Engel e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, si dhe i theksoi atij se për të është një kënaqësi e jashtëzakonshme të takohej me kreun e qeverisë shqiptare, i cili me përkushtimin, angazhimin dhe reformat e jashtëzakonshme dhe të suksesshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, udhëhoqi Shqipërinë drejt anëtarësimit në NATO.
“Në qoftë se dikush do të më kishte thënë në vitin 2004 që Shqipëria do të hynte në NATO në 5-vjeçarin e ardhshëm, unë nuk do ta kisha besuar kurrë, por tashmë falë reformave që ju ndërmorët dhe lidershipit tuaj, kjo është realitet”, u shpreh Kongresmeni Engel.
Më tej, Kongresmeni Engel i theksoi kryeministrit Berisha se SHBA-të do të vazhdojnë të përkrahin dhe mbështesin Shqipërinë dhe se në Kongresin Amerikan do të ketë përherë miq të mirë.
Kreu i qeverisë shqiptare i paraqiti Kongresmenit Engel një ekspoze të të gjitha reformave të ndërmarra nga qeveria, për sa i përket luftës me zero tolerancë kundër korrupsionit, reformave për zhvillimin ekonomik të vendit, reformave fiskle e derregullatore, për krijimin e klimës më të favorshme për biznese dhe investime e të tjera.
Për sa u takon zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, kryeministri e siguroi Kongresmein Engel, se qeveria është tërësisht e përkushtuar për të realizuar zgjedhjet më të mira të organizuara ndonjëherë në Shqipëri, në përputhje të plotë më të gjitha standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për këtë qëllim, tha Kryeministri, qeveria ka ndërtuar infrastrukturën më të mirë zgjedhore dhe po pajis qytetarët shqiptar me dokumente identifikimi nga me të sigurtat në Evropë.
Në takim u diskutuan gjithashtu zhvillimet me të fundit në rajon duke u ndal ne veçanti në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
“Pavarësia e Kosovës është faktor vendimtar për paqe e siguri të qëndrueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh ndër të tjera, shefi i ekzekutivit Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›