E Diel, 1 Nëntor 2026

Reformat e qeverisë “‘Berisha”, bindën aleatët për pranimin e Shqipërisë në NATO

Jaap de Hoop Scheffer, viziton Tiranën zyrtare dhe shpreh mirënjohje, për sukseset e Shqipërisë në rrugën e integrimit euro-atlantik

TIRANE - Me finalizimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke e renditur vendin tonë si të barabartë përkrah vendeve dhe kombeve më të fuqishme, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Jaap de Hoop Scheffer, në prag të fundit të mandatit të tij, zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Shqipëri. Scheffer u prit fillimisht në një takim të ngrohtë nga kryeministri Sali Berisha, i cili i shprehu mirënjohjen e thellë për angazhim e tij dinjitoz në anëtarësimin e shpejtë të vendit tonë në aleancë, pas një kalvari të gjatë përpjekjesh, 17 vjeçare.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Scheffer, e falënderoi përzemërsisht kryeministrin Berisha, për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, duke vlerësuar se për të është një kënaqësi e veçantë që takohet me kryeministrin që udhëhoqi vendin e tij në NATO. Scheffer i shprehu kryeministrit Berisha mirënjohjen e tij, për përpjekjet dhe reformat e jashtëzakonshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare si edhe për kontributin personal të kryeministrit Berisha për kryerjen me sukses të tyre.
“Ishin arritjet e këtyre reformave të rëndësishme ato, që binden aleatet të pranojnë Shqipërinë si anëtare e plotë e NATO-s”,  u shpreh Scheffer.
Sekretari Scheffer shtoi se Aleanca vlerëson lart faktin, që Shqipëria është sot një kontribuuese reale për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, përmes politikave të saj konstruktive e të moderuara si dhe kontributin e rëndësishëm, që ushtarakët shqiptarë japin në shërbim të paqes dhe sigurisë në Afganistan dhe në vende të tjera.
“Ju jam shumë mirënjohës për politikat tuaja të moderuara e konstruktive në shërbim të sigurisë e stabilitetit në rajon, si dhe për kontributin e Shqipërisë në Afganistan dhe jemi të lumtur të vazhdojmë këtë bashkëpunim me ju tashmë si vend anëtar i NATO-s”, deklaroi Scheffer.
“Ajo çfarë nënvizoj është kontributi i vendit si eksportues i sigurisë në mbështetje të misioneve paqeruajtëse të NATO-s, para dhe pas anëtarësimit. Më lejoni t’ju përgëzoj ju dhe popullin shqiptar. Shkel për herë të parë këtë tokë, tashmë anëtare të NATO-s dhe është e para gjë që dua të them. Besimi im i thellë është se integrimi euroatlantik i rajonit është e vemja rrugë që garanton stabilitet. Është një arritje e rëndësishme dhe siç diskutuam me zotin kryeministër, procesi i reformës do të vazhdojë përpara, pa asnjë mëdyshje. Shqipëria do të marrë pjesë në diskutimet për hartimin e një koncepti strategjik për NATO-n. Jam i sigurt se Shqipëria, e cila gjithnjë ka qenë një zë i moderimit në rajon, do të vazhdojë në këtë rrugë, e cila është në interesin e të gjithëve”, u shpreh Scheffer.
Në takim u diskutua dhe mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryeministri Berisha e siguroi Sekretarin Scheffer se qeveria është tërësisht e angazhuar për të realizuar zgjedhjet më të mira, që plotësojnë tërësisht standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në këtë kuadër, qeveria shqiptare ka ndërtuar infrastrukturën zgjedhore më moderne dhe po pajis qytetarët shqiptarë me kartat e identitetit më të sigurtat në Evropë.
Në vijim, kryeministri Berisha e njohu Sekretarin Scheffer me reformat e tjera të ndërmarra nga qeveria shqiptare në të gjitha fushat dhe arritjet e rëndësishme gjatë këtyre katër viteve. Duke u ndalur në veçanti, në luftën me zero tolerancë kundër krimit e korrupsionit, reformat ekonomike e fiskale, modernizimin e forcave të armatosura dhe kthimin e tyre në një ushtri tërësisht profesioniste, etj.
Gjithashtu u diskutua edhe për zhvillimet në rajon, në veçanti Kosova. Kryeministri Berisha theksoi në këtë kontekst se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka kontribuuar realisht në forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe se njohja e shtetit më të ri të Evropës, Republikës së Kosovës, është faktor vendimtar për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e qëndrueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e falënderoi Sekretarin Scheffer me mirënjohje të thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të Aleancës dhe KFOR-it në Kosovë.
“I rikthyer nga pas afro tre vitesh në Shqipëri, Scheffer do të mbahet mend për theksimin në Tiranë në vitin 2006, të politikës së dyerve të hapura si një filozofi që udhëheq NATO-n. Një deklarim që shënoi fillimin e një ere të re në marrëdhëniet e vendit me aleancën që do të kurorëzohej me anëtarësimin e plotë të vendit në prill të këtij viti:, u shpreh kryemsitri Berisha.

Scheffer merr titullin “Honoris Causa” nga UT dhe Urdhrin “Gjergj Kastrioti”

“Anëtarësimi Shqipërisë në NATO, shpërblim për reformat e qeverisë”

TIRANE _ Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hoop Scheffer deklaroi se anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancë nuk ishte dhuratë, por shpërblim për punën e palodhur dhe suksesin e reformave. Në ceremoninë e dhënies së titullit Doktor “Honoris Causa”, nga senati i Universitetit të Tiranës, në prani dhe të kryeministrit Sali Berisha, Scheffer u shpreh se procesi deri në integrimin e plotë nuk ishte aspak i lehtë dhe erdhi si rezultat i kryerjes se reformave.
“Muajin e kaluar në samitin e Strasburg-Kehl, në Francë e Gjermani, Shqipëria dhe Kroacia morën më në fund vendin që u takon në një nga organizatat më të rëndësishme euroatlantike. Anëtarësimi i vendit tuaj, zoti kryeministër dhe shkëlqesi ambasadorë, nuk ishte një dhuratë, nuk ishte diçka që jepet lehtë. Ishte një shpërblim për punën e palodhur të shumë viteve dhe suksesin e reformave të vështira dhe të shumanshme të cilat u ndërmorën me vendosmëri të palëkundur, vërtet”, u shpreh Scheffer.
Vizita e sekretarit Scheffer në rektoratin e Universitetit të Tiranës, u kurorëzua me akordimin e titullit “Honoris Causa”.
Vlerësime për kontributin e madh dhënë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO, Scheffer mori dhe gjatë takimit, me presidentin Bamir Topi. Kryetari i shtetit e nderoi Sekretarin e Përgjithshëm me Urdhrin “Gjergj Kastrioti”, në shenjë mirënjohje të thellë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›