E Shtunë, 31 Tetor 2026

50 mijë komisionerë për të administruar zgjedhjet e qershorit

Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 pritet të administrohen nga një trupë elektorale jo më e madhe se 50 mijë persona. Në krahasim me zgjedhjet e kaluara për pushtetin lokal, numri rezulton të jetë përgjysmuar. Burimet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqarojnë se në total do të jenë rreth 5 mijë Komisione të Qendrave të Votimit. Secili prej tyre do të ketë shtatë anëtarë dhe një sekretar, ndaj në total numri shkon rreth 40 mijë komisionerë. Një tjetër element i rëndësishëm i procesit janë Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor. Në të gjithë shtrirjen gjeografike të vendit numërohen gjithsej 66 të tilla, në 12 qarqet e vendit. Edhe në këtë rast, çdo komision ka shtatë anëtarë dhe një sekretar, ndaj sipas llogaritjes në këtë instancë angazhohen 528 persona. Grupi i tretë i administruesve të zgjedhjeve është te grupet e numërimit të votave, thënë ndryshe GNV. Në çdo Komision Zonal të Administrimit Zgjedhor pritet të ketë nga dhjetë grupe numërimi me nga dy persona. Mesatarisht shkon një numër prej 20 komisionerësh të numërimit të votave për çdo KZAZ dhe në total, numri shkon 1320 persona. Pasi mbledhim këto shifra shohim se arrihet numri prej 41.848 komisionerësh. Burimet nga institucioni i menaxhimit të zgjedhjeve thonë se duke përfshirë edhe pjesën tjetër të të angazhuarve në procesin zgjedhor, numri total i asaj çka mund të cilësohet trupa zgjedhore nuk shkon më shumë se 50 mijë persona. Në zgjedhjet e fundit për pushtetin lokal, më 18 shkurt 2007, llogaritej që trupa zgjedhore të arrinte deri në 100-110 mijë persona. Kjo duke pasur parasysh se me Kodin e vjetër Zgjedhor, çdo komision zgjedhjesh kishte në përbërje 13 anëtarë dhe një sekretar. Sipas Kodit të ri Zgjedhor, KZAZ-ja përbëhet nga shtatë anëtarë dhe sekretari, të cilët emërohen nga KQZ-ja, sipas procedurës së mëposhtme: a)dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e shumicës parlamentare, dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e opozitës parlamentare, një anëtar propozohet nga partia e dytë e shumicës parlamentare dhe një anëtar propozohet nga partia e dytë e opozitës parlamentare. Në rast se nuk arrihet baraspeshimi politik, sipas kësaj shkronje, grupi përkatës kompensohet me kandidaturat e partisë kryesore deri në baraspeshimin politik shumicë-opozitë;

b) anëtari i shtatë propozohet në gjysmën e KZAZ-ve nga partia e parë e shumicës parlamentare, kurse gjysma tjetër nga partia e parë e opozitës parlamentare, sipas kritereve objektive. KQV-ja përbëhet nga shtatë anëtarë dhe një sekretar dhe formohet sipas mënyrës dhe kritereve të anëtarëve të KZAZ-ve. Anëtarët dhe sekretari i KQV-së emërohen vetëm për periudhën e zgjedhjeve. Propozimet për anëtarë dhe sekretar të KQV-së bëhen jo më vonë se 45 ditë para ditës së zgjedhjeve. KZAZ-ja emëron anëtarët e KQV-ve jo më vonë se pesë ditë nga paraqitja e propozimeve, kur konstaton se propozimi është në përputhje me kërkesat e Kodit. Në çdo rast, emërimi i tyre bëhet jo më vonë se 20 ditë para datës së zgjedhjeve. Grupet e numërimit përbëhen nga katër anëtarë ku në çdo rast një anëtar emërohet pas propozimit të partisë politike që i përket kryetari i KZAZ-së, një anëtar pas propozimit të partisë që i përket nënkryetari, ndërsa anëtari i tretë propozohet nga partitë e mazhorancës qeverisëse dhe anëtari i katërt emërohet pas propozimit të partive të opozitës që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të GNV.

Filmimi

GNV-të, 500 kamera vëzhguese

KQZ-ja vendos përdorimin e kamerave regjistruese dhe të monitorëve (ekraneve) për shfaqjen e fletëve të votimit përpara vlerësimit të tyre. Kamerat me rezolucion të lartë instalohen mbi tavolinën e numërimit, në mënyrë të tillë që bëjnë të mundur regjistrimin e vlerësimit të çdo flete votimi. Regjistrimi filmik transmetohet në kohë reale në monitorë (ekrane) të vendosura përballë vëzhguesve të subjekteve zgjedhore. Burimet sqarojnë se pritet të jenë rreth 500 kamera që do të blihen me tenderim nga KQZ-ja.

Kostoja

KQZ bën gati buxhetin e detajuar

Institucioni qendror i administrimit të procesit zgjedhor, brenda pak ditësh, do të nxjerrë një vendim për buxhetin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Komisioni Zgjedhor do të detajojë të gjithë zërat e buxhetit dhe shpenzimet që do të kryhen për organizimin e sfidës së ardhshme elektorale. Deri më tani, Ministria e Financave, në buxhetin e shtetit për vitin 2009, kishte akorduar një fond të njëjtë me atë të zgjedhjeve të shkuara. KQZ, pasi të hartojë buxhetin e detajuar, mund të kërkojë shtesë fondi.

Procedura

Listat paraprake të zgjedhësve

Jo më vonë se nëntë muaj para mbarimit të mandatit të organeve për të cilat zhvillohen zgjedhjet, zyrat e gjendjes civile, nën autoritetin e kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore dhe në zbatim të udhëzimeve të ministrit që mbulon pushtetin vendor, harton listën paraprake të zgjedhësve për çdo zonë qendre votimi, duke nxjerrë nga të dhënat elektronike të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile të njësisë përkatëse, të gjithë shtetasit që do të mbushin moshën 18 vjeç deri në datën e fundit për zhvillimin e zgjedhjeve.

Parashikimi

Zgjedhjet, do të shtypen 3.2 milionë fletë votimi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të kërkojë shtypjen e 3.195.913 fletëve të votimit për zgjedhjet e 28 qershorit. Nga të dhënat e publikuara nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, numri në total i zgjedhësve pritet të jetë 3.133.248. Sipas Kodit Zgjedhor, KQZ duhet të kërkojë shtypjen e fletëve të votimit të barabartë me numrin e zgjedhësve plus 2 për qind të kësaj shume. Fletët e votimit për zgjedhjet përgatiten nga KQZ-ja. Ato duhet të jenë prej letre, me ngjyrë, trashësi ose elemente konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj, si dhe të përmbajnë elemente sigurie, sipas përcaktimeve të KQZ-së. Fletët e votimit prodhohen në blloqe me kundër fletë. Numri i serisë shënohet vetëm në kundër fletë. Emrat e partive politike, koalicioneve apo kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit vendosen në fletën e votimit sipas rendit alfabetik të emrit të tyre. Përbri emrit të partisë vendoset sigla. Partitë pjesëtare në një koalicion zgjedhor shënohen të renditura njëra pas tjetrës në pjesën e fletës së votimit që i përket koalicionit zgjedhor. Radha e renditjes së tyre përcaktohet sipas rendit alfabetik.

Zgjedhësit, përballë fletës së votimit

Në zgjedhjet për Kuvendin, në qendrën e votimit, vendoset vetëm një kuti votimi. Fleta e votimit përmban siglat dhe emrat e koalicioneve që garojnë për në zgjedhje. Brenda çdo koalicioni janë të renditura partitë përbërëse të tij. Rreshtimi në këtë rast kryhet në rendin alfabetik sipas shkronjës nistore të subjektit politik. Zgjedhësi, pas hyrjes në qendrën e votimit,

thotë emrin dhe paraqet para KQV-së një nga dokumentet zyrtare të identitetit: kartë identiteti ose pasaportë. Një prej anëtarëve, i caktuar me vendim të KQV-së, kontrollon zgjedhësit në të dyja duart, në çastin e paraqitjes para KQV-së, nëse është timbruar ose jo me lëndën e posaçme. Në rast se zgjedhësi është timbruar, anëtari i KQV-së ia bën të ditur menjëherë këtë fakt anëtarëve të tjerë të KQV-së, të cilët e verifikojnë menjëherë. Kryetari i KQZ-së, pasi verifikon se të dhënat e identitetit të zgjedhësit përputhen me të dhënat në listën e zgjedhësve, shënon në listën e zgjedhësve llojin dhe numrin e serisë të dokumentit të identitetit dhe i heq vizë emrit të zgjedhësit në këtë listë. Zgjedhësi timbroset në dorën e majtë nga një anëtar i caktuar me vendim të KQV-së me një lëndë të posaçme, të dukshme me shikim të lirë dhe që nuk hiqet për jo më pak se 24 orë, me qëllim shmangien e votimit më shumë se një herë dhe më pas i jepet fleta e votimit. Pasi merr fletën e votimit, zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe në fletën votimit, shënon në krah të emrit të partisë a koalicionit shenjën "x" ose "+" apo një shenjë tjetër që tregon qartë zgjedhjen e bërë prej tij. Votuesi ka mundësinë të zgjedhë një subjekt politik të shënuar në fletën e votimit. Vota e dhënë për këtë subjekt është automatikisht votë edhe për koalicionin ku bën pjesë ky subjekt politik. Zgjedhësi, pasi bën shënimin në fletën e votimit, palos fletën e votimit, në mënyrë që shenja të mos jetë e dukshme, por të paktën një nga vulat në pjesën e pasme të fletës të jetë e dukshme. Zgjedhësi pasi del nga dhoma e fshehtë, e hedh fletën e votimit në kutitë përkatëse të votimit dhe largohet nga qendra e votimit. Gjykimi mbi partitë politike bëhet për listën e kandidatëve që publikohet në media dhe dorëzohet në KQZ për çdo qark, por nuk ndodhet në fletën e votimit.

Tabela

Fletë votimi shembull

Koalicioni 1

Partia A

Partia B

Partia C

Koalicioni 2

Partia A

Partia B

Partia C

Koalicioni 3

Partia A

Partia B

Partia C



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›