E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harasani: Koncesioni mbi Devoll, praktika korruptive

Partia Socialiste deklaroi dje se do të mbështesë çdo koncesion dhe investim direkt që sjell zhvillim, veçanërisht në sektorët e ndjeshëm si energjia, infrastruktura dhe ujësjellësi. Por, sipas sekretarit për programin, Andis Harasani, PS në asnjë mënyrë nuk mund të bashkohet dhe të mbështesë procedura koncesionare joreale, jo transparente dhe korruptive si ajo mbi lumin Devoll. Sipas tij, është e papranueshme që për asete me rëndësi kombëtare jo vetëm që nuk bëhet asnjë studim, jo vetëm që gënjehet ditën për diell, por akoma dhe më keq, shkelet çdo ligj dhe konkurrim duke aplikuar procedura që shkelin çdo barazi në tender. "Jemi të bindur se në këtë rast, ministria ka konsumuar një vepër të rëndë penale. Në rastin e hidrocentralit mbi lumin Devoll, kjo është më evidente se kurrë!", nënvizoi Harasani. Ai sqaroi se nuk ka asnjë studim mbi nevojën dhe kriteret e ndërtimit të një HEC-i në këtë lum, konkurrimi është bërë mbi bazë kriteresh që e bëjnë projektin jo fleksibël, duke sjellë largimin e 11 kompanive serioze dhe me përvojë në këtë fushë jetike për Shqipërinë. "Një kompani nga më seriozet në Evropë dhe në botë pasi skualifikohet nga tenderi si e paaftë për të ndërtuar veprën, pak ditë më vonë i kërkohet t‘i bashkëngjitet fituesit", tha Harasani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›