Vasili: Kriza ekonomike, qeveria është e papërgjegjshme
Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideroi dje krejt të papërgjegjshëm dhe shumë larg realitetit qëndrimin e qeverisë lidhur me krizën ekonomike dhe zhvillimet ekonomike të rënda në Shqipëri. Sekretari i përgjithshëm, Petrit Vasili, tha se kriza ekonomike është një realitet i dhimbshëm dhe me pasoja shkatërrimtare. Sipas tij, Shqipëria nuk ka asnjë plan antikrize si dhe grup-bizneset që do të mbështeteshin nga ky plan. "Kjo situatë e rëndë ka prekur dukshëm edhe fasonistët, të cilët përfaqësojnë qindra biznese anembanë vendit, me rreth 100.000 vende pune dhe që realizojnë një xhiro vjetore me më shumë se 4 miliardë lekë", nënvizoi Vasili. Ai shtoi se situata e rëndë e tyre dhe papunësia e pandalshme është një goditje e rëndë që u jepet mijëra shqiptarëve, që punojnë në bizneset fasoniste, duke e çuar varfërinë e familjeve të tyre në ekstrem. LSI-ja i kërkoi qeverisë të bëjë rimbursimin e menjëhershëm të TVSH-së, si dhe rimbursimin e jo më pak se 50 për qind të sigurimeve shoqërore, si masa shumë të domosdoshme lehtësuese për këto biznese. Gjithashtu kjo parti i kërkon qeverisë të bëjë publike në mënyrë të menjëhershme planin antikrizë dhe ta miratojë atë në Parlament.