E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Edhe 127 ditë na ndajnë nga fundi i kësaj qeverie

Në ndalesën e djeshme në qytetin e Librazhdit, kreu i socialistëve, Edi Rama, u përqendrua në keqqeverisjen dhe korrupsionin që është kthyer sipas tij në sistem nga njeriu i cili u votua në 2005-ën për luftën ndaj tij. Rama sqaroi se vizioni i socialistëve për një politikë të re synon rimëkëmbjen e Shqipërisë. "Asnjëherë papërgjegjshmëria dhe i pari i punëve të këtij vendi nuk kanë qenë më bashkë sesa sot. Asnjëherë paaftësia dhe i pari i qeverisë së këtij vendi nuk kanë qenë më të njehsuar sesa sot. Asnjëherë korrupsioni dhe Kryeministri i këtij vendi nuk kanë qenë më të lidhur me njëri-tjetrin sesa sot", u shpreh Rama. Ai ftoi qytetarët e pranishëm për t‘u ndarë nga politika e urrejtjes dhe e trajtimit të kundërshtarit si armik që duhet mbytur me akuza, shpifje, fyerje. "Për t‘u ndarë nga politika pa vizion, pa ideale e ide, pa program e aftësi transformuese në të mirë të njerëzve, është koha që çdo qytetar që s‘do ta humbë rastin e pastër të 28 qershorit, të merret me politikë. Jo për t‘u bërë politikan, po për ta vënë politikën në shërbim të tij", nënvizoi Rama. Në vlerësimin e kreut të opozitës është koha që asnjë qytetar e qytetare të mos e lërë bosh vendin e vet në këtë përpjekje për t‘i dhënë fund së vjetrës në pushtet dhe për t‘i dhënë jetë një pushteti të së resë. Ne, vijoi ai, nuk kemi ardhur këtu për të bërtitur poshtë Sali Berisha, por ne kemi ardhur këtu për të ngritur lart Shqipërinë, duke ngritur lart njëri-tjetrin. "Na takon neve t‘i japim jetë një politike të re, duke u mbështetur mbi të vërtetën e thjeshtë se politika ka lindur për t‘u dhënë njerëzve mundësinë të zgjidhin së bashku probleme që të vetëm nuk i zgjidhin dot kurrë", u shpreh Rama. Në këndvështrimin e tij, politika e re nuk është një skenë ku një grusht burrash shahen e kacafyten dhe ku fiton ai që bërtet e shan më shumë, po një hapësirë ku njerëzit mund të zgjidhin së bashku problemet e bashkëjetesës së tyre në këtë vend, duke përmirësuar jetën e secilit. Gjatë fjalës së tij, kryesocialisti është ndërprerë nga ikja e energjisë elektrike në sallë, çka ka shkaktuar një reagim të fortë të banorëve të Librazhdit, të cilët kanë shtuar me forcë thirrjet për ndryshim. Megjithatë takimi me vullnetarët në këtë qytet nuk është ndërprerë edhe pas ikjes së energjisë elektrike, pjesëmarrësit kanë insistuar që takimi të vazhdojë. Rama është ndalur në premtimin për 24 orë drita të 2005-ës për të cilin Kryeministri Berisha betohet se e ka mbajtur solemnisht, por në fakt realiteti ofron fakte të tjera. "Sot, jemi 127 ditë nga përfundimi i mandatit të kësaj qeverie, e cila u votua me shumë premtime dhe një nga këto premtime ishte 24 orë drita, 24 orë ujë, por sot kur duhet të ishte mbajtur ky premtim dhe kur ne në ora 4 pasdite, në një qytet jemi pa drita, dhe kur të gjitha fshatrat e vendit kanë rregullisht mungesë dritash, nga 4 deri në 8 orë, Sali Berisha thotë e mbajtëm premtimin", nënvizoi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›