E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenderi në muajin mars, qeveria blen 4,6 milionë certifikata

Aplikimi për pajisjen e shtetasve me karta identiteti nuk e ka frenuar kërkesën për certifikata. Ministria e Brendshme pritet të blejë 4.629.500 certifikata gjatë muajve të parë të vitit 2009. Në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve Publike është nxjerrë njoftimi zyrtar për prokurimin me procedurë të hapur. Objekti i prokurimit (n.q.s ka lote, i ndarë sipas loteve): "Blerje certifikatash për Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile".

Blerja

Sipas këtij njoftimi të publikuar, fondi limit (n.q.s ka lote, i ndarë sipas loteve) është në shumën 16.666.666 lekë. Afati për mbarimin e punimeve, për dorëzimin e mallit dhe kryerjen e shërbimit është vendosur 25 ditë nga lidhja e kontratës. Agjencia e Prokurimit Publik njofton se data e zhvillimit të tenderit është më 10 mars, në orën 11:00. Sakaq, afati i fundit për pranimin e dokumenteve është data 10.03.2009. Në dokumentet e tenderit thuhet se Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të Ministrisë së Brendshme kërkon të blejë certifikata për përdorim brenda vendit në sasinë 4.629.500 (katër milionë e gjashtëqind e njëzetë e nëntë mijë e pesëqind) copë. Në planin e bashkangjitur dokumenteve të tenderit figuron një tabelë e ndarjes së programuar nëpër qarqe të këtyre dokumenteve të identifikimit. Një numër prej 251.000 certifikatash do të shpërndahen në Qarkun e Beratit; 210.500 janë planifikuar për Qarkun e Dibrës; 420.000 për njësitë vendore të Qarkut të Durrësit, 482.000 certifikata në Qarkun e Elbasanit; 506.000 janë planifikuar për Qarkun e Fierit; 412.000 do të ndahen në Qarkun e Korçës; 199.000 në njësitë vendore të rajonit të Gjirokastrës. Qarku i Kukësit planifikohet të marrë 153.000 certifikata; 206.500 të tilla do të ndahen në rajonin e Lezhës; 229.500 certifikata të programuara për në Qarkun e Shkodrës; 1.164.000 do t‘u shpërndahen njësive vendore në Tiranë dhe në Qarkun e Vlorës parashikohet të dërgohen 396.000 certifikata.

Teliti

I kontaktuar me telefon nga "Shqip", drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme, Armand Teliti, konfirmoi kërkesën për blerje certifikatash. Sipas tij, kjo është një blerje normale që parashikohet të kryhet për vitin 2009. Pyetjes se cila është shifra e certifikatave që mesatarisht konsumohen në një vit në Shqipëri, Teliti iu përgjigj se ajo është afërsisht 5-6 milionë. Në vlerësimin e tij, drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile thotë se kërkesa për certifikata, pas pajisjes së shtetasve me karta identiteti, duhet të bjerë. Por, shton ai, duke qenë se gjashtëmujori i parë i këtij viti do të shoqërohet me procedurën e lëshimit të kartave, ministria ka marrë masat për të mos pasur vështirësi në pajisjen me certifikata të shtetasve. Krahasuar me vitin e kaluar, vijon Teliti, numri i certifikatave të parashikuara për t‘u blerë është më i vogël.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›