Uidhers: Brenda 40 ditëve, Shqipëria pjesë e NATO-s
Shqipëria ka nisur numërimin mbrapsht për Samitin e NATO-s që do të mbahet në muajin prill në Strasburg. Vetëm 40 ditë përpara mbledhjes së nivelit të lartë të Aleancës së Atlantikut të Veriut, ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, sqaroi dje në mënyrë të qartë dhe direkte pozicionin e ardhshëm të Shqipërisë në NATO. "Në më pak se dy muaj, Shqipëria do të bëhet anëtare e NATO-s me të drejta dhe privilegje të barabarta. Po e përsëris edhe një herë, sepse tingëllon bukur: me të drejta dhe privilegje të barabarta", u shpreh kryediplomati amerikan në Tiranë, Uidhers. Konfirmimi i ambasadorit amerikan erdhi në një tryezë të përbashkët pune me mazhorancën dhe opozitën, gjatë së cilës nuk u la asnjë hije dyshimi për anëtarësimin e vendit tonë në aleancë. Qëndrimi i palës amerikane duket se nuk është aspak rastësor, kur Shqipërinë e ndajnë edhe pesë javë e gjysmë nga Samiti i NATO-s, por vjen gjithashtu edhe në momentin kur në samitin joformal të ministrave të Mbrojtjes në Krakov të Polonisë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, shprehu shqetësim për Kroacinë, kundër së cilës një parti sllovene ka marrë pesë javë kohë për të mbledhur 40 mijë firma për referendum. Megjithëse çështja nuk ka lidhje direkte me Shqipërinë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s sqaroi në Krakov të Polonisë se "zhvillimet në Slloveni, me të drejtë, ngrenë shqetësimin se në Samitin e prillit në Strasburg dhe Këln, mund të mos krijohen kushtet e duhura për të mirëpritur Shqipërinë dhe Kroacinë në familjen e NATO-s". Por në Shqipëri, klasa politike nuk është shfaqur e shqetësuar nga këto zhvillime. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, bën me dije se është hera e parë që një opozitë bëhet konstruktive për integrimin e Shqipërisë, duke e parë vendin drejt sfidave të së ardhmes dhe është hera e parë që një opozitë bëhet iniciatore dhe angazhohet për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore. Sipas Leskajt, prova e parë janë zgjedhjet e 28 qershorit. Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha, deklaroi se "me anëtarësimin në NATO nuk do të shterojë procesi i reformave, përkundrazi, qeveria është e bindur të vazhdojë rrugën e ndërmarrë deri tani".