E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, e pafuqishme të lirojë shtëpitë e pronarëve

Qeveria shqiptare deklaroi se do të "subvencionojë interesat e kredive për të pastrehët që jetojnë në shtëpi private", por sot për sot, ajo nuk ka asnjë mekanizëm ligjor për t‘i detyruar qiraxhinjtë të pranojnë kredinë, bëhet e ditur nga përfaqësues të pronarëve.

Bëhet fjalë për rreth 2900 familje, të cilat jetojnë në shtëpi private të sekuestruara gjatë kohës së komunizmit dhe që iu rikthyen pronarëve në fillim të viteve ‘90. Këto familje paguajnë qira të paliberalizuar dhe të parishikuar që nga koha e rënies së komunizmit. Zakonisht, detyrimet e tyre mujore për qiratë variojnë nga 50 në 200 lekë në muaj, por në të paktën një rast, qiraja mujore është 33.3 lekë në muaj. Çështja mbetet e pazgjidhur që prej 20 vjetësh. Kur shtëpitë iu kthyen pronarëve, në vitin 1993, kontratat e lidhura mes Ndërmarrjes Komunale dhe qiramarrësve mbetën në fuqi. Shumë prej të pastrehëve në shtëpi private janë kuadro të kohës së komunizmit që vijojnë të gëzojnë vila superluksoze që qenë ndërtuar nga elita e viteve ‘30 dhe shumica dërrmuese e tyre nuk dëshiron të pranojë asnjë ofertë nga shteti për t‘u larguar.

Në vitin 1993, ligji "Për kthimin dhe kompensimin e pronave" sanksionoi që kjo kategori njerëzish do të trajtoheshin me kredi me terma të buta nga qeveria brenda vitit 1996. Pak muaj më vonë, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi këtë klauzojë me argumentimin se "shkelen të drejtat sociale" të qiramarrësve. Në vitin 2004, kur Kodi i ri Civil u hartua, dikush u kujtua të përjashtonte nga kapitulli "mbi kontratat", qiramarrësit në shtëpi private. Kodi Civil sanksionon se kontratat e qirasë nuk mund të jenë të vlefshme për më shumë se pesë vjet. Për këtë kategori, kjo dispozitë nuk aplikohet.

Në vitin 2000, një ligj i ri mbi strehimin, sanksionoi që kjo kategori të trajtohej me banesë në masën 80% nga shteti dhe me kontribut në masën 205 nga qiramarrësit. Sipas hartuesve të ligjit, në këtë mënyrë, kjo kategori shqiptarësh merrnin trajtim njësoj si privatizuesit e apartamenteve. Ligji nuk u zbatua kurrë. Bashkitë ofruan trajtim ligjor përmes Entit Kombëtar të Banesave për shumë familje të kësaj kategorie, por këto të fundit refuzuan trajtimin e varfër shtetëror dhe parapëlqyen të vijonin të qëndronin me qira të paliberalizuar.

Në vitin 2004, ligji i ri "Për kthimin dhe Kompensimin e pronave" rivendosi detyrimin e shtetit për të zgjidhur këtë problem dhe po në atë kohë, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi sërish. Qeveria e re riamendoi ligjin, duke e vendosur trajtimin e këtyre familjeve sipas një zgjidhjeje të ofruar nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por Kushtetuesja e shfuqizoi për herë të tretë. Sot, qiramarrësit nuk kanë asnjë detyrim ligjor për të liruar shtëpitë private dhe qeveria nuk ka asnjë mekanizëm për t‘i detyruar. Normat e strehimit të ofruara nga qeveria nuk janë rishikuar që nga vitet ‘80 dhe janë sot jashtë realitetit të tregut të banesave në Shqipëri.

Zgjidhja sipas Gjykatës Evropiane

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut shqyrtoi një rast të ngjashëm nga Polonia për të dhënë një zgjidhje të njëjësuar. Një pronare polake u ankua se qeveria kishte vendosur një "qira të paliberalizuar" njësoj si në rastin e Shqipërisë. Gjykata sanksionoi se ndonëse qiraja e kontrolluar është një koncept i gjithëpranuar në botën perëndimore, sërish, kjo qira nuk mund të ishte simbolike. Sipas vendimit "qiraja duhet të mbulojë koston e amortizimit të ndërtesës, si dhe një normë minimale fitimi për pronarin". Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk e pranoi as këtë zgjidhje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›