Meta: Kuçova s‘mund të jetë bastion i një individi
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me anëtarë dhe simpatizantë të LSI, në Kuçovë. Në këtë takim, Meta duke shprehur sigurinë për fitore të LSI në gjithë Qarkun e Beratit, paraqiti kandidatin për deputet Petrit Ago dhe deklaroi se "LSI do të dalë forcë e parë politike në Kuçovë dhe z.Ago do të jetë një përfaqësues i denjë i Kuçovës në Parlamentin e ardhshëm, pasi kuçovarët duan njerëzit e punës". Meta tha se më 28 qershor, Kuçova do të ndahet njëherë e mirë me ata që e kanë konsideruar këtë qytet si një vend që sipas tyre kandidatët mjafton të varin xhaketën dhe kuçovarët votojnë symbyllurazi. Por ata e provuan se kjo xhaketë nuk pati aspak mirënjohje, respekt apo dashuri për popullin e Kuçovës. Ndaj, tha Meta, Kuçova është bastion i punës dhe dinjitetit njerëzor dhe jo bastion i asnjë lloj partie apo individi. Duke folur më pas për krizën ekonomike në të cilën e ka zhytur vendin qeveria "Berisha", Meta u shpreh se janë 100 mijë vende pune që rrezikojnë të humbasin nga falimentimi, që është në prag i gjithë atyre bizneseve të fasoneve në të gjithë Shqipërinë.