50 vitet e pilulës që ndryshoi gratë
Gjithmonë në çantë, mbi komodinë para se të flemë, apo në mëngjes përkrah furçës së dhëmbëve. Prej më shumë se gjysmë shekulli janë takimi i përhershëm, nga të cilat është e vështirë të heqësh dorë. Një grua në tre në Europë nuk bën dot pa to. Në fillim dukeshin si një objekt i paidentifikuar dhe quheshin “Enovid”. Hynë në tregun amerikan më 9 maj të vitit 1960. “Pilula që çliroi seksin”, shkroi “Time”. Me kalimin e kohës mori gjithmonë e më shumë femërorë: “Arianna”, “Minesse”, “Yasmine”, “Kaira”. Paketimet kanë ndryshuar shpesh, ngjyrat si dhe format. Pas zbulimit revolucionar nga mjeku hebre Gregory Pincus, kërkimi përparoi aq shumë, saqë sot ekzistojnë më shumë se 40 produkte të kontracepsionit oral. I përdorin më shumë se 100 milionë gra në të gjithë botën. Por, nëse pesë dekada më parë u cilësuan si simbol i vetë revolucionit seksual, kontraceptivët sot nuk përdoren më vetëm për të shmangur shtatzënitë e padëshiruara. Përkundrazi, ndryshimet kimike e kanë bërë atë një ilaç të fuqishëm, që përdoret për kurimin dhe shqetësimet e shumë sëmundjeve. Sipas statistikave, pjesa më e madhe e grave sot në botë nuk e marrin vetëm për të shmangur shtatzënitë, por edhe për shqetësime të tjera, të lidhura me shëndetin. Më e reja në treg quhet “Yaz” dhe synon të bëjë për vete gratë që nuk e përdorin vetëm për t’u mbrojtur, sepse është ndërtuar në mënyrë të tillë që eliminon dhembjet menstruale dhe e bën më të lehtë përdorimin pa asnjë periudhë pushimi. Me këto karakteristika, në SHBA, “Yaz” ka pushtuar më shumë se 20 për qind të tregut, me shitje që i kalojnë 600 milionë dollarë në vit. Por “Yaz” nuk është e vetmja, sepse këto vitet e fundit në treg gjen pothuajse për të gjitha “shijet”: pilula normale dhe minipilula, nga ato që kanë përmbajtje hekuri për të parandaluar aneminë e lidhur me menstruacionet, apo acid folik, në rastin kur tentohet për të pasur fëmijë; me efekte të veçanta e pozitive mbi humorin, për të rregulluar lëkurën dhe flokët. Një gamë e gjerë ofertash, që për disa janë vetëm çështje marketingu. Prej një viti, në treg gjendet edhe pilula bio, krejtësisht natyrale. Ato lëshojnë estradol, të njëjtin estrogjen të prodhuar nga trupi i femrës. Pavarësisht formave të jashtëzakonshme në të cilat mund të gjendet në treg, pilula e vogël e rrumbullakët mbetet e pavdekshme. Metoda kontraceptive është më e sigurta dhe më e preferuara. Sipas të gjitha kërkimeve europiane, gratë që i përdorin kanë raporte seksuale më të qeta dhe më të shpeshta në krahasim me të tjerat. “Për vite me radhë ka ekzistuar një mendësi e gabuar për këtë metodë, e lidhur me sterilitetin, patologjitë tumorale dhe ato kardiovaskulare. Asgjë nga ato që thuhen nuk janë të vërteta dhe studimet shkencore e kanë vërtetuar këtë”, tregon një gjinekolog italian. Një studim i publikuar muajin e kaluar në “British Medical Journal” konfirmoi se gratë që përdorin kontraceptivë rrezikohen më pak për t’u prekur nga tumori në vezore dhe qafën e mitrës dhe kanë një reduktim të vdekshmërisë si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare. Edhe efektet anësore janë reduktuar ndjeshëm. “Pjesa e estrogjenit që përmban pilula është reduktuar gradualisht dhe kjo ka çuar në zvogëlim të fenomeneve tromboembolike”. Ishte aktivistja amerikane Margaret Sanger, themeluese e “Planned Parenthood Federation”, e cila e bindi Pincus për nevojën e krijimit të kontracepsionit oral. Në vitet ‘50, eksperimentimi me pilulat e para u bë me gratë “kavje” të Portorikos, Haitit, Meksikës. Vetëm pasi “Food and Drug Administration” i hapi dritën jeshile, “Envoid” zbarkoi në tregun amerikan. Në vitin 1961, pilula hyri në Gjermani. Feministja Margaret Sanger ishte e bindur se më këtë pilulë nuk do të kishte më shtatzëni të padëshiruara. çdo grua mund të zgjidhte se kur donte apo nuk donte fëmijë. Por edhe sot, gjysmë shekulli më vonë, gjysma e shtatzënive në SHBA nuk janë të programuara, ka shkruar “Wall Street Journal”. Femrat vazhdojnë të mbeten shtatzënë për kënaqësi, gabimisht, apo më thjesht sipas natyrës. “Në fillim ishte krijuar përshtypja se pilula mund të prishte skemën e seksualitetit femëror”, kujton mjekja Lea Melandri. Italianet janë gratë e vetme që sillen ndryshe në Europë. Ato renditen të fundit në Europë për sa i përket përdorimit të kontraceptivëve oralë me një përqindje prej 16 përqindësh kundrejt 50 për qind në Holandë, 40 për qind në Francë dhe 30 për qind në Suedi. Shumë vende, ashtu si Italia, kanë një përqindje të ulët të përdorimit të tyre dhe këtu hyjnë vendet në zhvillim. Në këto vende, një grua në dy deklaron se nuk përdor asgjë gjatë raporteve seksuale. Shpesh mes të rinjve ndodh dhe për shkak të injorancës. Shumë vajza të reja besojnë se gjatë ditës nuk mund të ngelesh shtatzënë apo duke u larë me “Coca-Cola” eliminon rreziqet. Nga revolucioni i “Pincus” në të gjitha vendet europiane është regjistruar rritje e vazhdueshme e përdorimit të kontraceptivëve oralë. Pavarësisht ofertës që sot nuk mungon, gratë vazhdojnë të diskutojnë, të pyesin dhe shpesh të refuzojnë kontracepsionin si metodë për t’u mbrojtur nga shtatzënia e padëshiruar. Ndërkaq, shkencëtarët premtojnë të kalojnë kufij të rinj. “Zbulimi më parë te shpendët dhe pastaj te njeriu i një proteine të prodhuar nga Hipotalamusi me funksion frenues mbi sintezën dhe çlirimin e gonadotropinës është i rëndësishëm”, thonë gjinekologët. Kështu ajo mund të veprojë direkt në organet femërore dhe mashkullore. Prej vitesh flitet për një kontraceptiv hormonal për meshkujt. “Dalja nga tregu më duket shumë e largët”, tregojnë mjekët. Pilula do të vazhdojë ende për shumë kohë të përfaqësojë për gratë metodën kontraceptive më të sigurt dhe të besueshme. Për pilulat e meshkujve duhet të presim revolucionin tjetër. Në vende si Britania e Madhe, kontraceptivët për të shmangur shtatzëninë, shiten si produkte në supermarket, sepse konsiderohen si shumë të sigurt. Virtytet e këtyre preparateve hormonale nuk ndalen këtu, gjë që e kanë kuptuar mirë edhe prodhuesit. Për më tepër që faktet shkencore e kanë treguar më së miri këtë. “Ka shumë rrethana që lidhen me aspektin hormonal dhe në mënyrë të veçantë me prodhimin e androgjenëve, mbi të cilat kontraceptivët kanë efekt pozitiv, sepse ndalojnë prodhimin e hormoneve mashkullore. Pastaj, me kalimin kohës, vezorja futet në një lloj qetësie dhe kjo ka efektet e saj pozitive. Edhe pse duhet përmendur se çdo grua reagon në mënyrë të ndryshme”, vazhdojnë më tej specialistët.
#