A do ta shkatërrojë Eurozonën paketa financiare për Greqinë?
Wolfgang Schauble duket i zbehtë. Fytyra e tij është tërhequr dhe kostumi i rri pak i madh në shpatulla. Pasi ka kaluar tetë javë në spital për një operacion, ministri gjerman i Financave duket i lodhur. Fillimin e javës së kaluar, ministri u bëri mbledhjen e parë pas rikoverimit, ekspertëve financiarë të koalicionit gjerman të qendrës së djathtë dhe Partisë Demokratike të Lirë në lidhje me zhvillimet e fundit të krizës greke, e cila është intensifikuar shumë gjatë muajve dhe javëve të fundit. Schauble i informoi anëtarët e Parlamentit se tashmë ishte vendosur që Athina të aplikonte për asistencë financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Europian. Por, shtoi ai, kishte mbetur ende diçka e fundit. Schauble parashikon që për një gjë të tillë do të duheshin ende dy deri në tri javë, para se grekët zyrtarisht të paraqisnin kërkesën e tyre. Në fakt, ministri u gabua. Të premten e kaluar, Kryeministri grek, Papandreu, në peizazhin e bukur të një ishulli mesdhetar, deklaroi se vendi i tij nuk ishte më në gjendje që të përballonte situatën shumë të rëndë financiare dhe atë të tregjeve financiare, ndaj për të vazhduar me planin e reduktimit të deficitit buxhetor kishte nevojën e ndihmës financiare nga europianët. Pak pas kësaj, në fakset e Brukselit, ministri grek i Financave deklaroi se i kërkonte Brukselit që të “aktivizonte mekanizmin mbështetës”. Në fakt në një rrethanë të tillë, gjërat duken keq, jo vetëm për Greqinë, por edhe për Gjermaninë dhe vetë Bashkimin Europian dhe Eurozonën. Për javë të tëra, kancelarja gjermane Merkel i kishte premtuar qytetarëve të saj që Gjermania do t’i kishte ofruar para shpëtimi Greqisë, vetëm nëse do të bëhej fjalë për një situatë shumë kritike, pa rrugëdalje. Më pas Merkel kishte sqaruar elektoratin e saj të shqetësuar, se edhe nëse situata do të ishte përkeqësuar në Greqi, kjo nuk do të kishte ndodhur deri nga mesi i majit. Kjo të paktën ishte mënyra që Merkel kishte zgjedhur që të mbante larg etheve të fushatës çështjen shumë sensitive të paketës financiare greke. Më 9 maj do të ketë zgjedhje në një shtet shumë kyç të vendit, siç është North Rhine-Westphalia. Por tani thirrja e Athinës për ndihmë e ka bërë të qartë që strategjia e Merkelit ka dështuar plotësisht. Drama europiane po zhvillohet me një ritëm jashtëzakonisht të lartë dhe në të janë përfshirë borxhe, spekulime të larta financiare që po rrezikojnë edhe vetë ekonomitë e shteteve. E si pasojë, kancelarja do të përballet shumë shpejt edhe me një situatë aspak të këndshme në Berlin. Kritikët e monedhës së përbashkët europiane e kanë bërë tashmë të qartë se e konsiderojnë paketën financiare ndaj Greqisë një “dhunim” të traktateve europiane. Ata madje kanë ndërmend që të çelin një çështje gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese gjermane në Karlsruhe. Por edhe brenda administratës së Merkelit ka nga ata që mendojnë se Gjermania mund të paguajë faturën financiare për shkatërrimin financiar të Greqisë. Ekspertët në kabinetin e Merkelit dyshojnë se miliardat mund të gëlltiten nga Athina e uritur dhe pavarësisht kësaj, Greqia nuk do të mund që të shmangë të pashmangshmen, pra falimentimin si shtet. Kjo do të niste edhe një valë të re spekulimesh ndaj euros. Në njëfarë mënyre, kjo ka krijuar çarje të vogla në kabinetin qeveritar. Partia motër e CDU-së, bavarezja CSU, është duke kërkuar madje që në një rast ekstrem, Greqia duhet që të braktisë edhe vetë Eurozonën. Kancelarja, nga ana e saj, është e vendosur që të paktën të krijojë përshtypjen se është e hapur me kritikët dhe pranon të gjitha llojet e diskutimeve. Para se grekët të marrin ndonjë të hollë, Merkel kërkoi një javë më parë që ata ta shtrëngonin dhe më tej rripin. Por a është e mundur një gjë e tillë? Apo kjo do ta dërrmonte edhe më ekonominë tashmë në krizë të Greqisë? A mundet vallë që grekët të arrijnë që të paguajnë ndonjëherë sasinë e madhe të borxhit prej 300 miliardë eurosh?
Në fakt, tashmë, kjo është shndërruar edhe në një çështje që ka të bëjë në mënyrë të drejtpërdrejtë me reputacionin e Merkelit. çështja është se në Gjermani, ashtu si edhe në tregjet ndërkombëtare, askush nuk është më i sigurt se sa është në gjendje Greqia për të dalë nga kjo situatë dhe se kur do të ndodhë kjo. A do t’ia dalë Greqia? është një pyetje që e bëjnë me zë dhe nën zë të gjithë politikanët e spektrit politik në Gjermani. Presidenti i Bundestagut paralajmëroi se paketa e ndihmës financiare ishte shumë e rëndësishme për t’u aprovuar me shpejtësi në Parlament dhe se për aprovimin e saj duhej një ligj i posaçëm.
Tani që Greqia ka kërkuar ndihmë në mënyrë zyrtare, ministri i Financave të Gjermanisë do të duhet që të mbajë një tjetër qëndrim. Në fillim të kësaj jave, ai do të diskutojë me të gjithë ekspertët financiarë të vendit dhe politikanët në lidhje me dërgimin e paketës në Parlament, në një mënyrë sa më të qetë të mundshme. Sigurisht që ministri nuk mund të presë një mbështetje masive të paketës, sepse sipas shumë politikanëve vendas, vendimet në lidhje me asistencën financiare të Greqisë do të kenë rëndësi thelbësore për të ardhmen e Bashkimit Europian. Deri tani, të gjithë politikanët kanë qenë të mendimit se fillimisht Greqia duhet që të vërë rregull në shtëpinë e saj e më pas të kërkojë ndihmë nga jashtë. Por tani që Greqia ka bërë të ditur se nuk ka më asnjë rrugëdalje, përveç paketës, gjërat kanë ndryshuar dhe do të duhen pozicionime të reja. Ndërkohë ka politikanë që janë shumë skeptikë për përparimin e Greqisë. Njëri prej tyre, një politikan i vjetër i CSU-së, deklaroi se rënia ka probleme themelore të rritjes ekonomike, problemin e deficitit dhe për këtë arsye, ky vend duhet që të marrë seriozisht çështjen e daljes nga Eurozona. Dhe ai nuk është i vetmi që e ka shprehur hapur një alternativë të tillë. Aktualisht segmente të shumta të botës profesionale ndajnë shumë ide me euroskeptikët. Të paktë janë ata ekspertë të ekonomisë që mund të besojnë se futja e miliardave mund të shpëtojë ekonominë greke. Madje sipas tyre, këto fonde nuk janë aspak të mjaftueshme. Grekëve u duhet që të marrin hua 130 miliardë euro deri në fund të vitit 2012, kur kreditë do të maturohen. Megjithatë politikanët kanë deklaruar se për të marrë veten, Greqisë do t’i duhen rreth 80 miliardë dollarë. Por kjo shifër do të jetë e mjaftueshme deri në vitin 2011, çka do të thotë që Greqia do të duhet që të mbledhë pjesën e mbetur të parave në tregjet financiare.
Kjo do të jetë e vështirë. Ekonomistë të rëndësishëm nuk besojnë se situata do të zgjidhet me ndihmën financiare. Ekspertët thonë se vendi ka nevojë për reforma, në mënyrë që të arrijë që të paguajë brenda disa vitesh borxhin. Nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë, atëherë situata nuk do të zgjidhet kurrë. Të gjithë janë të mendjes se paratë do ta ndihmojnë Greqinë vetëm në këndvështrimin afatshkurtër dhe mbi të gjitha, Greqia duhet që të jetë e qartë dhe e sinqertë në lidhje me menaxhimin afatgjatë të krizës. Ndërkaq janë përvijuar dy skenarë të mundshëm për atë që mund të ndodhë. Në skenarin e parë, Greqia falimenton si shtet dhe kreditë ndërpriten, zgjaten apo ristrukturohen. Në skenarin e dytë, vendi detyrohet që të dalë nga Eurozona, duke kryer një reformë monetare dhe duke nisur kështu një fillim të ri. Në të dyja rastet, do të humbisnin sasi të mëdha të parave të paketës financiare. Ndërkaq bëhen paralele me të shkuarën. Në fillim të viteve ‘90, shefi i një fondi privat investimesh, Soros, gjunjëzoi Bankën e Anglisë dhe si pasojë paundi britanik doli nga sistemi i monedhës europiane që ishte në fuqi në atë kohë. I njëjti skenar mund të përsëritet këtë herë, edhe pse grekët, pas thirrjes për ndihmë, kanë nisur që të ngjallin sërish shpresa. Që nga e premtja e kaluar, ekspertë të FMN-së, BE-së dhe institucioneve të tjera financiare ndodhen në Athinë për të parë të gjitha detajet e një plani, në të cilin të gjithë do të derdhin para. E kjo nuk e përjashton faktin që këta ekspertë të lartë të zbulojnë edhe të papritura të tjera në shifrat greke, që shpesh janë manipuluar, si rasti i fundit i deficitit buxhetor që doli se ishte 1% më i lartë nga ai i deklaruar zyrtarisht prej qeverisë. Eurostat ka shprehur haptazi mendimin se ka shumë pak konfidencë te shifrat që i servir Greqia, duke qenë se shpesh, dhe për vite me radhë, kanë qenë të manipuluara. Ndërkaq një kërcënim i madh është edhe ulja e rritjes ekonomike. Nëse kjo do të ndodhte, atëherë e gjithë ekonomia do të vuante. Ngado që ta shohësh situatën aktuale të Greqisë, ajo rrezaton pak shpresë. Për disa ekonomistë, ky vend është tashmë i falimentuar.
#