E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wall Street Journal VS New York Times

Gazeta e Murdoch është duke planifikuar një sulm ndaj rivales së saj të fuqishme. Mediat njujorkeze parashikojnë një betejë të ashpër, që do të zgjasë shumë

Në vitin 1950, kur Rupert Murdoch ishte vetëm 19 vjeç, bëri një turne me të atin, Keith. Duke qenë një figurë e fuqishme mediatike në Australi, Murdoch plaku e prezantoi të birin në qarqe shumë të fuqishme dhe njerëzish të pushtetshëm e të famshëm. Më pas, patën edhe një audiencë me Presidentin e atëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Harry Truman dhe më pas të dy, babë e bir, shkuan në Hillandale, shtëpia verore në Konektikat, ku jetonte e famshmja familja Sulzberger, pronarja e gazetës “The New York Times”

Në fakt, ishte një takim shumë domethënës dhe mbresëlënës për Murdoch-un e ri. Madje një takim, që sipas biografit të tij e obsesionoi shumë të riun, i cili zgjati gjatë gjithë jetës. “Në atë vizitë, i ati i komunikoi faktin e pandryshueshëm se gazeta e Sulzbergërve ishte më e mira që bota kishte pasur deri më atëherë. Kjo fjali vazhdon ta përndjekë Murdoch, edhe sot e kësaj dite, ndërsa e kuoton shumë mirë se nëse do të dojë që të mbetet një emër i pavdekshëm në fushën e mediave, i duhet që të kujtohet të paktën si njeriu që arriti të ndeshej me “New York Times”.

Aktualisht Murdoch do të kryejë lëvizjen e radhës në masterplanin për t’u përballur dhe ndeshur me gazetën më prestigjioze të botës. “The Wall Street Journal”, gazeta që Murdoch e bleu me një shifër jashtëzakonisht të madhe 28 muaj më parë, do të lançojë një seksion të përditshëm kushtuar sfidës për të mposhtur në treg rivalen. Bëhet fjalë për lançimin e një seksioni njujorkez, një suplementi prej 12 faqesh çdo ditë me politikë, sport, art, biznes dhe njoftime imobiliare. Të gjitha për sa i përket ngjarjeve që kanë të bëjnë me Nju Jorkun dhe rrethinat e tij.

Murdoch është duke i investuar paratë në një mënyrë të jashtëzakonshme dhe në shuma të mëdha. Në një kohë krize si kjo për gazetarinë e shkruar, kur gazetat e tjera vetëm sa po reduktojnë shpenzimet, duke shkurtuar kësisoj edhe numrin e stafit, ai po derdh 15 milionë dollarë në vit për këtë suplement të gazetës dhe ka rekrutuar ndërkohë një staf prej 35 gazetarësh. Një pjesë e madhe e stafit vjen nga një tjetër gazetë e famshme, që tashmë ka falimentuar, por që vetë Murdoch e ka dashur shumë “New York Sun”. Pritet që suplementi i ri ta sfidojë “Times” edhe me ofertat dhe çmimet më të ulëta për reklamat, një taktikë që Murdoch e ka aplikuar edhe me media të tjera të tij nëpër botë. Murdoch dhe grupi i tij i punës nuk e fshehin faktin se qëllimi pas kësaj tentative të re është “të dëmtojë ‘Times’”, një ambicie që Murdoch nuk e ka fshehur as kur bleu “Dow Jones”, kompaninë binjake me gazetën e tij, për shifrën 5 miliardë dollarë në vitin 2007. Një ish-gazetare e gazetës, libri i së cilës “Luftë në ‘Wall Street’” do të botohet javën e ardhshme, kujton se si Murdoch ka kohë që po synon të mundë gazetën më me reputacion të botës dhe se në një letërkëmbim me botuesin e saj, disa kohë më parë, në fund të një letre i kishte shkruar: “Le të fillojë beteja”. Pak pasi mori në dorë frenat e gazetës, Murdoch, në një mbledhje me shefat e lartë të “Dow Jones” dhe të gazetës së tij tha: “Do të na duhet që të gjejmë mënyrën se si të gjymtojmë ‘New Yourk Times’”.

Një luftë e tillë, që duket e ashpër që në fillim, është një fenomen i rrallë në peizazhin mediatik njujorkez, ku gjithmonë imazhi dhe forca e “Times” ka qenë një faktor i padiskutueshëm. Gazeta në fjalë kishte një vend të padiskutueshëm dhe për sa i përket marrëdhënieve mes “New York Times” dhe pronarëve të mëparshëm të “Wall Street Journal”. Ajo ishte një marrëdhënie kortezie, ku të dyja palët e dinin mirë se ku e kishin vendin.

E ndërsa pritet lançimi i suplementit të ri, po afron edhe stuhia për të dyja gazetat. Në fakt, është një stuhi që Murdoch e ka përgatitur prej kohësh. Dhjetorin e kaluar, ish-kryeredaktori i “Times” të Londrës, të cilin Murdoch e parashutoi si kryeredaktor të gazetës së sapoblerë, sapo mori në dorë postin, lançoi një artikull të hidhur ndaj rivales njujorkeze. Pas kësaj nisi një luftë artikujsh me akuza e thumba të mprehta. Ndërsa në muajin shkurt, Murdoch i bëri një sulm personal dhe të drejtpërdrejtë vetë Sulzbergut. Për “New York Magazine”, ai tha se besonte që gazeta njujorkeze ishte kapur fort pas së shkuarës dhe kjo kryesisht sepse në krye të saj vazhdonin të ishin Sulzbergët. E ndërkohë ndaj “Times” është duke u përgatitur gjithashtu për luftë. Sipas analistëve mediatikë do të jetë beteja më e madhe dhe më e rëndësishme që kanë parë deri më tani gazetat njujorkeze. Kundërsulmi i parë erdhi kur “New York Times” i mori “Wall Street Journal” disa nga gazetarët dhe madje edhe shefin e marrëdhënieve me publikun, i cili është një nga më të mirët dhe të zotët në ambientin mediatik. Më pas ata kanë ndërmarrë një fushatë me posterë në të gjithë Nju Jorkun, ku kanë nënvizuar pikat me të cilat ndihen dominantë në tregun mediatik dhe superiorë ndaj gazetës rivale. “New Youk Times” nuk është një gazetë që do të vazhdojë të durojë për një kohë të gjatë sulmet e hidhura të Murdoch dhe stafit të tij. Ndërkohë është duke bërë një sërë ndryshimesh, për sa i përket faqes së saj në internet dhe brendisë së rubrikave të ndryshme. Beteja e Murdoch me Sulzberger do të jetë pa dyshim e ndikuar shumë nga mënyrat me të cilat sillet Murdoch, që shpesh janë arrogante dhe prepotente, por që atij i kanë dhënë shumë pushtet dhe fitore gjatë viteve kur ka ngritur dhe shtuar perandorinë e tij mediatike. është një fushë që Murdoch e njeh shumë mirë dhe e zotëron mjeshtërisht e që së fundi, shpreson se do ta bëjë fitimtar edhe ndaj gazetës më të famshme të Nju Jorkut dhe të botës. Por ai do të duhet të bindë ende analistët e
mediave se përse mendon se broshura e re, që pritet të nxjerrë në treg, ka vlera dhe mbi të gjitha do të jetë një investim i mirë biznesi mbi të gjitha. Suplementi i ri do të trajtojë problemet dhe do të ketë një format ndryshe nga ai i gazetës mëmë, pra i “Wall Street Journal”, si dhe do të synojë që të bëjë për vite disa nga bizneset më fitimprurëse në vend. A do t’ia dalë mbanë? Beteja sapo ka filluar.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›