Grindja mes fqinjëve degjeneron në goditje me thikë
Korçë- Një grindje për motive banale, mes dy fqinjëve në një orë të vonë të natës ka përfunduar me plagosjen e njërit dhe shpalljen në kërkim të tjetrit. Për policinë shkaku duket i paqartë, por nga dëshmitë e para të grumbulluar në vendin e ngjarjes duket se gjithçka ka ardhur për arsye krejt banale pas një grindje të çastit. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të Policisë së Korçës, mësohet se pak para mesnatës së kaluar një i plagosur në gjendje të rëndë shëndetësore është transportuar nga persona të panjohur në spitalin rajonal të Korçës. Bëhet fjalë për shtetasin Vladimir Doko, 39 vjeç, banor i qytetit të Korçës. Mjekët e spitalit juglindor kanë njoftuar policinë për shtetasin e plagosur, që është marrë në trajtim intesiv nga ana e tyre, ndërkohë që policia fill pas këtij momenti ka filluar hetimet për zbardhjen e plotë ngjarjes. Mësohet se i dëmtuari është grindur në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali” me fqinjin dhe mikun e tij Dhimitër Rrapi, 31 vjeçar edhe ky banor i qytetit juglindor. Një grup personash, mes të cilëve dhe protagonistët e ngjarjes në fjalë kanë qenë, duke diskutuar teksa biseda mes tyre ka degjeneruar në sherr. Por nuk është e thënë që sherri të mbyllej mes batutave dhe fyerjeve të ndërsjellta. 31-vjeçari Rrapi tashmë i shpallur në kërkim bashkë me bashkëpunëtorët e tij ka nxjerrë një thikë, të cilën e ka përdorur për të vrarë fqinjin pas debatit me të. Thika ka dëmtuar rëndë në disa organe jetësore të plagosurin, i cili po lufton me vdekjen në spitalin rajonal të Korçës. Ndërkaq i kërkuari, Dhimitër Rrapi është në kërkim dhe akuzohet për “vrasje me dashje në bashkëpunim e mbetur në tentativë”.