E Shtunë, 31 Tetor 2026

50 vjet Festival i Këngës në RTSH, vazhdojnë përgatitjet

TIRANË- Këngëtarët pjesëmarrës në Festivalin e Këngës së RTSH-së, prej ditësh po zhvillojnë provat me orkestrën, ndërkohë që edhe 13 ditë kanë mbetur nga hapja e edicionit të 50-të.

Festivali si çdo vit do të zhvillohet në skenën e Pallatit të Kongreseve, në datat 26, 27, 28 dhe 29 dhjetor. Ndërkohë që ky edicion i 50-të i festivalit do të ketë katër netë, njëra prej të cilave Mbrëmja Gala.

Në natën e parë dhe të dytë të festivalit do të prezantohen për publikun 28 këngët pjesëmarrëse, nata e tretë do t’i kushtohet historisë së këtij festivali, që në retrospektivë do të sjell këngët fituese ndër vite. Ndërsa nata e katërt do të jetë dhe nata e ndarjes së çmimeve, që do ta çojë fituesin në Eurovizion.

Pesëdhjetë vjetori i Festivalit të Këngës në RTSH rikthen edhe një herë në skenë brezin e "vjetër" të kompozitorëve shqiptarë, Lejla Agolli, Shpëtim Kushta, Flamur Shehu, Ilir Dangëllia, Luan Zhegu, etj., që do të ngjisin këngët e tyre në skenën e festivalit.

Edhe ky edicion i festivalit të dhjetorit do të ketë një ndërthurrje brezash. Krahas Bashkim Alibalit e Frederik Ndocit do të këndojë edhe Mariza Ikonomi e Rona Nishliu, Bojken Lako, Elton Deda, deri tek më të rinjtë si Sindi Berisha e Toni Mehmetaj.

Tashmë është hedhur shorti dhe natën e parë do të ngjiten në skenë artistët si Bashkim Alibali, Samanta Karavello, Endri dhe Stefi Prifti, Rona Nishliu, Orinda Huta, Alban Kondi, Altin Goci, Elton Deda, etj.

Ndërsa natën e dytë radhën do ta kënë këngëtarët Dr. Flori, Kamela Islamaj, Frederik Ndoci, Marsida Saraçi, Bojken Lako, Mariza Ikonomi, Kujtim Prodani, Iris Hoxha, Saimir Braho, etj.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›