Abuzimi me çmimet- Task Forca, kontrolle në tregjet e kryeqytetit
Tiranë- Aksionet intensive për monitorimin e tregjeve në kryeqytet, për të parandaluar abuzimet me çmimet me rastin e festave të fundvitit, nisen ditën e sotme nga Task Forca e Bashkisë së Tiranës.
Mesohet se katër grupe të përbashkëta të Agjensisë së Mbrojtjes së Konsumatorëve, Drejtorisë së taksave të Bashkisë dhe Policisë Bashkiake janë instaluar pranë katër tregjere me shumicë të kryeqytetit, atij tek Uzina Dinamo, tregu ushqimor tek Qyteti i Nxenësve, Sheshi Avni Rustemi dhe Tregu i Shumicës tek 21 Dhjetori. Ndërsa grupe të tjera të përbashkëta monitorojnë tregjet me pakicë dhe supermarketet e kryeqytetit.
“puna ka filluar me tregjet e hapura, sepse këtu është edhe masa më e madhe e konsumit, por do të vazhdojë edhe në supermarkete dhe në tregtarët e mallrave me pakicë”- është shprehur nënkryetari i bashkisë, Edmond Panariti.
Më tej nënkryetari i bashkisë së kryeqytetit, Panariti ka theksuar se qellimi nuk është ndërhyrja në mekanizmat e tregut, por ndalimi i spekulantëve.
“Nuk kemi ndërhyrë dhe nuk kemi ndërmend të ndërhyjmë në mekanizmin e kërkesë-ofertës. Për ne, tregu i lirë është i shenjtë, por ne do të ndalojmë me çdo kusht spekulantët, ata që abuzojnë me çmimet në dëm të konsumatorëve, por njëkohësisht ne ndihmojmë edhe tregtarët, sepse u garantojmë atyre mjedisin e duhur, për një konkurrencë të lirë dhe të ndershme- shtoi më tej Panariti.
Sipas Task Forcës nga fotografitë e bëra në disa tregje të kryeqytetit rezulton se mungonte tabela e çmimëve në disa prej rastëve.
“Për fat të keq konstatuam që në një pjesë të madhe të tregut, çmimet nuk janë të afishuara.”- deklaroi Panariti.
Më herët bashkia deklaroi ngritjen e Task Forcës e cila nuk do të lejojë një rritje abuzive çmimësh nga ana e tregtarëve, tani në prag të festave të fundvitit.
Nga ana tjetër, vetë kryebashkiaku Basha në një takim para pak ditësh me tregtarët e kryeqytetit u kërkoi atyre që të mos i rrisin çmimet me rastin e festave.
Dorina Bilbili/IDEA
Shkrime të tjera me interes: