E Shtunë, 31 Tetor 2026

50-vjetori i Universitetit të Tiranës



Në pesëdhjetëvjetorin e themelimit të universitetit më të madh në vend, atij të Tiranës, kryeministri Berisha premtoi se numri i studentëve do të trefishohet.

“Në një hark kohor të shkurtër, qeveria bëri të mundur dyfishimin e numrit të studentëve dhe po synohet trefishimi i tyre. Gjithashtu, kryeministri tha se po bëhet çdo përpjekje për të nxitur universitetet private, të cilat edhe sot japin një kontribut madhor në jetën akademike të vendit. Reforma të thella dhe të gjithanshme janë ndërmarrë e do ndërmerren, në mënyrë që arsimi në Shqipëri të ecë me hapat e kohës, të përgatisë të rinjtë e të rejat shqiptare me orën e kohës, me orën globale”, nënvizoi kryeministri.

Ndërkohë, rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kule deklaroi se ky është një moment i veçantë në historinë akademike shqiptare, kur universiteti i parë në vend mbush gjysmë shekull jete.

Ndërkohë, kryeministri, duke kujtuar vitet që ishte profesor tha se “I themeluar 50 vjet më parë, Universiteti i Tiranës u shndërrua në një lokomotivë të dijes sonë kombëtare, por mbi të gjitha, në një moment të caktuar të historisë sonë, tejet të hidhur e të vështirë, u shndërrua në lokomotivë të lirive të shqiptarëve. Sot Shqipëria nuk ka asgjë më të lidhur me lirinë e qytetarëve të këtij vendi sesa Universitetin e Tiranës.”

Me rastin e 50-vjetorit të universitetit u zhvillua edhe një ceremoni për përfundimin e programit Master për dhjetëra studentë të postdiplomuar në Fakultetin e Ekonomisë është zhvilluar gjatë ditës së djeshme. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Dhori Kule, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Dr. Omer Stringa, përfaqësues të Trupit diplomatik, pedagogë, studentë e familjarë të tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›