E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patentat, kursantët me autorizim 1-vjeçar për drejtimin e mjetit

Ndonëse të marrësh një patentë për drejtim automjeti nuk do të jetë më aq e lehtë, tashmë e tutje kursantët që të paktën kanë fituar provën e njohurive teorike, do të kenë mundësi të pajisen me një autorizim të drejtimit të mjetit për kategorinë e kërkuar me një afat kohor njëvjeçar.

Çka do të thotë se kursantët kanë të drejtën e drejtimit të automjetit për një vit, edhe pa e kaluar provën e detyrueshme praktike. Për këtë të fundit, kandidati ka të drejtën të japë provën praktike deri në pesë herë, por brenda afatit njëvjeçar të autorizimit të ushtrimit të drejtimit të mjetit. Gjithçka është vendosur një ditë më parë nga Këshilli i Ministrave, ku me propozim të ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit janë bërë ndryshimet në nenet përkatëse në “Rregulloren e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, që përfshijnë marrjen e lejes së drejtimit të mjetit.

Kontrolli teorik

Në ndryshimet e bëra në nenin 311 të Rregullores së Kodit Rrugor për marrjen e patentës, thuhet se Sektori përkatës i DRSHTRR-së merr në provën e kontrollit të njohurive teorike personat e interesuar në rastet kur:

a) ky person ka kryer programin teorik për kategorinë e kërkuar dhe ka plotësuar afatet kohore nga data e regjistrimit në sektorin përkatës të DRSHTRR -së, sipas udhëzimit të ministrit, që mbulon veprimtarinë përkatëse; b) dokumentacioni i paraqitur nga autoshkolla për provën e kontrollit të njohurive teorike të personit të interesuar është në përputhje me kërkesat e Kodit Rrugor dhe të rregullores, në zbatim të tij. Kur dokumentacioni nuk është i plotë, i kthehet autoshkollës për të bërë plotësimet, brenda 5 (pesë) ditëve;

c) personi paraqitet brenda orarit të kontrollit të njohurive teorike dhe jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga dorëzimi i kërkesës së autoshkollës. Nëse personi i interesuar fiton në provën e kontrollit të njohurive teorike, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga dalja në provë, Sektori përkatës i DRSHTRR-së e pajis atë me autorizimin e ushtrimit të drejtimit të mjetit, për kategorinë e kërkuar, me afat kohor një vit. Nëse personi i interesuar nuk e fiton provën, duhet të vazhdojë përgatitjen teorike dhe mund të rifutet në provë vetëm pas 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, deri në pesë herë, por brenda afatit njëvjeçar të regjistrimit.

Kontrolli praktik

Ndryshimet kanë prekur edhe aspektin e provës teorike për marrjen e patentës, ku tashmë Sektori përkatës i DRSHTRR-së do të marrë në provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes personat e interesuar kur:

a) ky person ka kryer programin e ushtrimit të drejtimit të mjetit, për kategorinë e kërkuar, dhe ka plotësuar afatet kohore nga data e marrjes së autorizimit në sektorin përkatës të DRSHTRR-së, sipas udhëzimit të ministrit, që mbulon veprimtarinë përkatëse;

b) dokumentacioni i paraqitur nga autoshkolla për provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes së personit të interesuar është në përputhje me kërkesat e Kodit Rrugor dhe të rregullores, në zbatim të tij. Kur dokumentacioni nuk është i plotë, i kthehet autoshkollës për të bërë plotësimet, brenda 5 (pesë) ditëve;

c) personi paraqitet brenda orarit të provës së verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes dhe jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e dorëzimit të kërkesës së autoshkollës. Nëse personi i interesuar fiton në provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes dhe dokumentacioni është i plotë, jo më vonë se 7 (shtatë) ditë nga dalja në provë, sektori përkatës i DRSHTRR-së e pajis atë me lejedrejtimi, për kategorinë e kërkuar. Nëse personi i interesuar nuk e fiton provën, duhet të vazhdojë përgatitjen e aftësive drejtuese dhe të sjelljes dhe mund të rifutet në provë vetëm pas 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, deri në pesë herë, por brenda afatit njëvjeçar të autorizimit të ushtrimit të drejtimit të mjetit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›