Arsimi i detyruar, që pesë vjeç
Strategjia: Ndryshon sistemi parauniversitar
Viti i fundit i kopshtit bëhet i detyruar
Dy dhjetëvjeçarë më parë u ndryshua rrënjësisht sistemi shkollor në vend, duke lejuar në klasë të parë të gjithë ata që ishin 6 vjeç e duke i përfshirë në këtë mënyrë në arsimin e detyruar. Një reformë e dytë e këtij niveli pritet që të vendoset gjatë viteve të ardhshme shkollore, por kësaj radhe, jo duke ulur moshën e pranimit në shkollat nëntëvjeçare, por në një formë tjetër: duke përfshirë në arsimin e detyrueshëm edhe vitin e fundit të kopshtit.
Kjo reformë përcaktohet në strategjinë afatmesme kombëtare të zhvillimit të arsimit parauniversitar 2007-2011, ku është përcaktuar si objektiv përfshirja në arsim të detyruar të miturit e moshës 5 vjeç, por kjo jo nëpërmjet uljes së moshës së pranimit në shkollë.
Shkollim që pesë vjeç
Shkollimi që pesë vjeç për herë të parë në vendin tonë është hedhur në vitin 2002, kur po diskutohej në lidhje me rinovimin e strategjisë së atëhershme për arsimin parauniversitar. Por, në atë kohë, ajo u pa e parealizueshme dhe e parakohshme, për shkak të mangësive që ekzistonin në sistemin parashkollor.
Ndërkohë, që kjo ide u përfshi për herë të parë në strategjinë ekzistuese dhjetëvjeçare për arsimin parauniversitar. Mënyra e zbatimit të kësaj metode është përfshirja në arsimin e detyrueshëm të vitit të fundit të kopshtit. Kjo nuk do të realizohet duke ndryshuar sistemin ekzistues të sistemit shkollor dhe parashkollor, por thjesht duke detyruar nxënësit që të kenë përfunduar vitin e fundit të sistemit parashkollor, përpara se të hyjnë në klasë të parë.
Strategjia
Sipas strategjisë 10-vjeçare për zhvillimin e arsimit parashkollor fëmijët 5-vjeçarë duke ndjekur një program të rregullt përgatitor, do të kenë mundësi të mësohen me kërkesat bazë të të nxënit: të mësojnë të flasin, të njohin numrat dhe të jetojnë në një mjedis të përbashkët. Për anëtarët e Grupit Këshillimor, Për Strategjitë Sektoriale të Arsimit dhe Kërkimit në MASH, kjo nismë do të realizohet përmes përvojës së deritanishme. Ata mendojnë se kalimi në ciklin fillor bëhet më i lehtë, kur fëmijët vijnë nga një përvojë e mirë e edukimit parashkollor. Këtë objektiv Grupi Këshillimor e konsideron një nga arritjet më të dobishme për të ardhmen e sistemit arsimor edhe pse vështirësitë ekonomike, mungesa e infrastrukturës është e dukshme, por këto nuk e bëjnë këtë nismë të pamundur.