E Diel, 1 Nëntor 2026

Asnjë ofertë nga kompanitë shqiptare për Telekomin. Dje, në orën 18.00 skadoi afati.

04/12/2004  Asnjë ofertë shqiptare për privatizimin e Telekomit. Dje ishte “dead line” zyrtar për shpalljen e emrave që kanë shfaqur interes për Telekomin. Por lajmi i dhënë nga drejtori Noti është kthyer mbrapsht nga Ministria e Ekonomisë. Burime nga kjo e fundit konfirmojnë vetëm se janë të paktën tetë konkurrentë që kanë shfaqur interes për kompaninë më të madhe dhe të vetme që ofron shërbimin e telefonisë fikse në Shqipëri. Dy nga këto kanë dashur të shtyjnë edhe për dy ditë shfaqjen e interesit. Në emrat amerikanë dhe evropianë të kërkesave për Telekomin, nuk figuron asnjë ofertë shqiptare. Kështu, kërkesa e biznesmenëve shqiptarë për të qenë pjesë e Telekomit, nuk ka fort gjasa të bëhet realitet. Procesi i privatizimit të Telekomit ka filluar që në janarin e 2001-shit. Privatizimi i gjigantit shqiptar ka qenë shpesh edhe “mollë sherri” për politikën shqiptare. Shitja e Telekomit u përfol edhe si arsyeja kryesore e ndarjes politike të Partisë Socialiste. Megjithatë, qeveritë socialiste e kanë “dështuar” disa herë privatizimin e Telekomit. Duket e çuditshme që kompania, edhe pse ndërkombëtarët e kanë cilësuar tregun si të papërshtatshëm për privatizime, ka shfaqur interes në këtë fundviti. Privatizimi i Telekomit është parashikuar të përfundojë me ngulm brenda janarit të vitit 2005, vit që koençidon me zgjedhjet e përgjithshme parlmentare. Paratë e privatizimit të Telekomit janë parashikuar të shkojnë për investime publike, gjë që mund të përdoret edhe si një “qeverisje e mirë” nga partia në pushtet për fushatën elektorale. Sidoqoftë, Telekomi është parashikuar të shitet me një çmim që varion te 80 milionë euro. Kësaj vlere i duhet shtuar edhe vlera e 20 milionë eurove, që është çmimi i liçensës së tretë të celularëve. Shumë prej specialistëve, duke përjashtuar arsyet politike, e shohin zgjidhjen e problemit të shitjes së Telekomit, pikërisht nga bashkimi i “Eagle Mobile”. Kjo do të duhet të konkurrojë AMC-në dhe Vodafone, ndërsa Telekomi, i vetëm në treg, nuk arrin të sigurojë klientë as sa Maqedonia fqinje, me 2 milionë banorë. Në kushte të tilla, duket se aseteve të Telekomit nuk i është shtuar „Eagle Mobile“, por kjo e fundit do të shesë edhe Telekomin. Fakti që për më shumë se 3 vjet nuk ka asnjë ofertë për Telekomin, dhe brenda gjashtë muajsh pas bashkimit të liçensës së tretë me asetet e Telekomit kanë ardhur rreth tetë oferta për privatizim, që do të thotë se Telekomi është ekonomikisht një kompani që nuk josh investitorë.

Fitimet e AMC dhe Vodafone arrijnë në disa qindra milionë dollarë në vit. Ndërhyrja në treg e një kompanie të tretë, sigurisht që do të merrte pjesë nga ky fitim. Aq më tepër që tarifat e “Eagle Mobile” janë parashikuar të jenë shumë më të ulëta se ato të dy kompanive të tjera. Për të bërë sa më të sigurtë rritjen e konkurrencës në ligjin e privatizimit të Telekomit është parashikuar që kompanitë konkurrente të mos jenë nga i njëjti shtet i atyre ekzistuse, pra jo nga Greqia. Megjithë procesin e privatizimit, që do të jetë ose jo i suksesshëm, një gjë është e sigurtë. Në janar, shqiptarëve u është premtuar se do të fillojë nga puna “Eagle Mobile”. Kjo do të thotë se do të kemi mundësi të zgjedhim mes tre kompanive, 068, 069 dhe 067.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›