E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria kompenson dëmtimet nga tërmeti në Korçë

04/12/2004  Qeveria akordoi dje fondin prej 58.270.000 lekë, ndihmë për familjet e dëmtuara nga tërmeti i rënë në datën 23 nëntor të 2004 në Qarkun e Korçës, si dhe për riparimin e banesave. Duke qenë se është situatë dimri dhe në pamundësi që banorët të rindërtojnë apo riparojnë banesat e dëmtuara, Qeveria ka akorduar këtë fond për njësitë e qeverisjes vendore të Qarkut. Dëmtimet më të mëdha janë shkaktuar në komunat Barmash, Bashkinë Leskovik, komunën Qendër Leskovik, si dhe në komunën Novoselë, komunën Qendër Ersekë dhe në Bashkinë Ersekë. Pas vlerësimeve të dëmeve nga Komisioni i Ekspertëve në Këshillin e Qarkut Korçë, është bërë kategorizimi i objekteve: në ato të pabanueshme dhe në ato me dëmtime mesatare dhe të lehta. Mbi këtë bazë, vendimi i qeverisë përcakton që për familjarët e shtëpive që janë të pabanueshme nga dëmtimet, të akordojë fonde ndihme, shpërndarja e të cilave do të bëhet nga organet vendore përkatëse. Ndërsa për banesat me dëmtime mesatare dhe të lehta është menduar që fondi i ndihmës t’u jepet organeve të qeverisjes vendore në çdo njësi, për t’u përdorur për riparimin e objekteve të dëmtuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›