Agasi: Do të bashkëpunojmë dhe me LZHK-në
04/12/2004 Socialistët do të kenë aleatë dhe do të bashkëpunojnë me çdo forcë politike dhe kjo në shërbim të interesave madhore të vendit", ka deklaruar nënkryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bardhyl Agasi, i pyetur për bashkëpunimet që do të preferojë të bëjë PS-ja me partitë jo aleate. Sipas tij, "PS-ja ka qenë vazhdimisht një partia e hapur dhe e gatshme për të bashkëpunuar me forca të tjera politike, sidomos për probleme të rëndësishme kombëtare". Ai ka mohuar kategorikisht bashkëpunimin me Lëvizjen Socialiste për Integrim pas procestit zgjedhor të qershorit 2005. Duke iu referuar dhe deklaratave të bëra nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, "që bashkëpunimi me PS-në është i mundshëm vetëm nëse largohet Fatos Nano", deputeti Agasi shprehet se "Kryeministri Fatos Nano e ka marrë mandatin në kongresin e PS-së, ndërkohë që LSI-ja nuk e njeh këtë Kongres. Për këtë arsye deputetët e kësaj partie u larguan nga PS-ja". Agasi thekson se "në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005 secila palë do të konkurrojë për të fituar zgjedhjet dhe mundësia është më e madhe për PS-në që të dalë forcë kryesore". Duke larguar si aleancë LSI-në, Agasi shprehet se "PS-ja po përqëndron vëmendjen tek aleatët e deritanishëm dhe jo me forca që na janë kundërvënë pa hyrë mirë akoma në zgjedhje". Ndërkohë që më e pranueshme nga deputeti socialist është aleanca dhe bashkëpunimi pas zgjedhor me monarkistët e LZHK-së. Kjo deklaratë vjen dhe pas prononcimit të Leka Zogut se do të bashkëpunojë me të gjitha partitë, që kanë në themel interesat e vendit. Në këtë qëndrim, Zogu nuk ka përjashtuar as të majtët dhe as të djathtët.