E Hënë, 2 Nëntor 2026

54 parti për 140 kandidat

24/05/2005  KQZ përfundon regjistrimin e forcave politike për zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut

Nuk ka financime për partitë që skanë shlyer borxhin e mëparshëm

Në datën 3 korrik, 54 parti politike do të konkurrojnë për të qenë pjesë e parlamentit të ardhshëm shqiptar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot deklaron mbylljen e afatit të regjistrimit të partive. Ndërsa procesi do të vazhdojë në Komisionet Zgjedhore Zonale deri më 25 qershor, ku do të zyrtarizohen kandidatët për deputetë. Gjatë këtyre tri ditëve, KQZ do të vendosë formulën e shpërndarjes së 50 për qind të parave të dhëna nga Buxheti i Shtetit. Gjatë një konference për shtypin, zëdhënësi i KQZ-së ka shprehur shqetësimin për problemet që po shfaqen në KZZ. Sipas Sinanit, partitë politike ende nuk kanë përfunduar procesin e paraqitjes së emrave për anëtarët, që ata do të kenë në Komisionet Zgjedhore Zonale. Burimet kanë bërë të ditur se problemet konstatohen në 22 KZZ. Ndërsa prej ekspertëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka nisur trajnimi i anëtarëve të KZZ-ve.

Regjistrimi

Veç 13 partive parlamentare, kandidaturën për zgjedhjet e kësaj vere e kanë hedhur dhe përfaqësues të partive, të cilat nuk janë shprehur asnjëherë mbi programin e tyre që prej themelimit. Madje, ka parti që nuk janë shprehur as për problemet që kanë lidhje me emrin e tyre. Sipas të dhënave në Gjykatën e Shqipërisë, janë regjistruar 90 parti politike që prej vitit 1991. Ndërsa vihet re se në vitin 2004-2005 ka pasur një fluks më të madh regjistrimi. Megjithatë, ende nuk është deklaruar shkrirja e ndonjë force politike, dhe pse nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet e radhës.

Financimet

Shumë prej partive politike kanë borxhe të mëdha në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. KQZ ka vendosur që këtë vit të mos u japë financime partive që kanë borxhe, duke rritur kështu shpërblimin për partitë e mëdha. Ky është hapi i parë që ka hedhur KQZ-ja në frenimin e regjistrimit të partive fiktive. Në rezultatet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zbardhur në votimet e fundit, janë vënë re parti politike që nuk kanë marrë më shumë se 20 vota. Pra, nuk kanë marrë as mbështetjen e personave që kanë dhënë firmën për krijimin e kësaj partie. Ndërsa do të jetë vota e datës 3 korrik, që do të vendosë se cila parti politike do të ketë mbështetjen e elektoratit.

Koalicionet

Deri më tani janë deklaruar tri koalicione zgjedhore. PD do të jetë në votime së bashku me PR, PDR, PBK, PDK, Të Gjelbrit dhe PBL, ndërsa PS do të jetë me PSD, PAD, PAA dhe PDS. Ndërsa dhe LZHK e Leka Zogut do të jetë në koalicion me një grup partish.

Partia Të Gjelbërit e Shqipërisë PGJSh Edlir Petanaj

Partia Balli Kombëtar PBK Adriatik Alimadhi

Partia Demokracia Paqësore e Shqipërisë PDP Haki Hysa

Partia Lëvizja Socialiste për Integrim LSI Ilir Meta

Partia Lëvizja e Legalitetit PLL Ekrem Spahiu

Partia e Punës e Shqipërisë PPSH Xhevdet Pataj

Partia Demokrate e Re PDR Genc Pollo

Partia Demokratike Peza Gjirokastër e Shqipërisë PDPGJSH Fetah Dedej

Partia Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut LDLNJ Ligoraq Karamelo

Partia Emigracioni Shqiptar PESH Kostaq Papa

Partia e Unitetit Kombëtar PUK Idajet Beqiri

Partia Ambientaliste PA Nasi Bozheku

Partia Demokracia e Re Europiane Shqiptare PDRESH Koçi Tahiri

Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve PMDPSH Kadri Isufaj

Partia Konservatore PKons Armando Ruço

Partia Demokracia Sociale e Shqipërisë PDSSH Paskal Milo

Partia Lidhja e Blertëe Shqiptare LBSH Brixhida Kokëdhima

Partia Bashkësia Kombëtare Shqiptare PBKSH Henry Perolli

Partia Socialkristiane Shqipërisë PSKSH Fran Bruka

Partia Demokristiane e Shqipërisë PDK Nikollë Lesi

Partia Alenca Demokratike AD Neritan Ceka

Partia Socialiste e Shqipërisë PSSH Fatos Nano

Partia Forca Albania PFA Iledin Pillati

Partia për Drejtësi dhe Integrim PDI Tahir Muhedini

Partia Socialdemokrate e Shqipërisë PSD Skënder Gjinushi

Partia Republikane PR Fatmir Mediu

Partia Aleanca për Mirëqënie dhe Solidaritet AMS Koço Danaj

Partia Demokratike e Rinovuar PDRn Dashamir Shehi

Partia Komuniste e Shqiprisë PKSH Hysni Milloshi

Partia Demokratike Demokracia e Re e Djathtë Shqiptare PDDRDSH Petrit Kallçishta

Partia Lëvizja Monarkiste Demokrate Shqiptare PLMDSH Guri Durollari

Partia Aleanca Liberal Demokrate e Shqipërisë PALD Pirro Prifti

Partia Aleanca Popullore PAP Fatjon Softa

Partia e Reformave Demokratike Shqiptare PRDSH Skënder Halili

Partia Agrare Ambientaliste PAA Lufter Xhuveli

Partia Demokratike PD Sali Berisha

Partia Komuniste e Shqipërisë 8 Nëntori PKSH 8 Nëntori Preng Çuni

Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar BDSH Ylber Valteri

Partia Shqiptare Atdheu PSHA Artan Vucaj

Partia Lidhja Kombëtare Shqiptare LKSH Ismet Mehmeti

Partia e Sigurisq Kombqtare Shqiptare PSKSH Haxhi Bardhi

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut PBDNJ Vangjel Dule

Partia Rruga e Lirisë PRRL Shukrane Muda

Partia Ardhmëria Shqiptare PASH Emin Subashi

Partia Balli Kombëtar Demokrat PBDK Hysen Selfo

Partia Integrimi Social Kombëtar PISKSH Petrit Memia

Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare PRVSH Muharrem Doda

Partia e Çështjeve Shqiptare PÇSH Bujar Shurdhi

Parti për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve PMDE Ymer Kurti

Partia Bashkimi Liberal Demokrat BLD Arjan Starova

Partia Bashkimi Republikan Shqiptar PBR Zane Llazi

Partia e Pajtimit Kombëtar Shqiptar PPKSH Spartak Dobi

Partia e të Drejtave të Mohuara PDM Eduart Ypi

Partia Aleanca Nacionale Shqiptare PAN Eduart Perjaku

Republikani Christopher Smith: SHBA do dërgojë vëzhgues në Shqipëri

Qeveria përgjegjëse për mbarëvajtjen e zgjedhjeve

Një anëtar i Kongresit amerikan thotë se asgjë nuk e dëmton më shumë demokracinë sesa zgjedhje që janë të manipuluara. Republikani Christopher Smith, bashkëkryetar i Komisionit të Helsinkit, tha, në një intervistë për Zërin e Amerikës, se me rezolutën për zgjedhjet në Shqipëri, SHBA do të dërgojë mesazhin se mënyra se si zhvillohen zgjedhjet, ndikon në politikën e jashtme amerikane ndaj një vendi.

Zoti Smith, Shtetet e Bashkuara thonë se nuk ka arsye që zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti në Shqipëri të mos i përmbushin standardet ndërkombëtare ashtu siç janë vendosur nga OSBE-ja. Vilët do të mbahen përgjegjës nëse këto standarde nuk përmbushen?

Sigurisht që qeveria ka përgjegjësinë kryesore që të garantojë që zgjedhjet të jenë të lira dhe të drejta. Partitë e opozitës kanë shumë pak në dorë, megjithëse mund ta vështirësojnë procesin zgjedhor. Unë shpresoj që zgjedhjet e 3 korrikut të jenë plotësisht të lira dhe të drejta. Vëzhguesit ndërkombëtarë do t’i ndjekin ato, gjë që do të ndihmonte që të garantohej një gjë e tillë. Gjithkush vepron me më shumë ndershmëri dhe integritet, kur e di që ka vëzhgues. Ka një sistem kontrolli. Kjo ndodh edhe në SHBA, pasi republikanët nuk i besojnë demokratët dhe anasjelltas. Është një mosbesim i shëndetshëm dhe besoj se do të ishte në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, pavarësisht se cili është rezultati, që zgjedhjet të jenë vërtet të lira dhe të drejta. Ne kështu shpresojmë.

Këtë radhë në Shqipëri në fakt do të ketë një numër shumë të madh vëshguesish. Pse ky interesim?

Nuk është përcaktuar ende se sa amerikanë do të marrin pjesë, por do të ketë anëtarë të stafit tonë përfshirë këshilltarin Bob Hand nga OSBE-ja, specialist për atë rajon si edhe shumë të tjerë nga Shtetet e Bashkuara. Mendoj se sa më i madh të jetë delegacioni, përsa kohë të mos e kalojë masën, aq më mirë do të jetë për popullin shqiptar që edhe ata ashtu si komuniteti ndërkombëtar, por ç’është më e rëndësishme, shqiptarët të sigurohen që gjithçka është nën kontroll dhe që asnjëra palë nuk ka vjedhur vota, sepse asgjë nuk e dëmton më shumë demokracinë sesa zgjedhjet e manipuluara, pasi njerëzit humbin besimin, dhe besueshmëria te qeverisja vihet në dyshim. Është e rëndësishme për Shqipërinë, veçanërisht në arenën ndërkombëtare, për marrëdhëniet si në rajon ashtu edhe me Evropën dhe me vetë Shtetet e Bashkuara, që vullneti i popullit të çohet në vend, përmes votës së tyre, që të gjithë të jenë të bindur që kushdo që të dalë fitues, të flasë me autoritetin e atij që është zgjedhur nga populli. Nëse zgjedhjet janë korrekte dhe transparente dhe vëzhguesit dhe njerëzit e tjerë që i ndjekin ato, i gjykojnë të tilla, unë mendoj se besimi rritet se vendimi merret vërtet në emër të votuesve.

Zëri i Amerikës: Rezoluta e fundit për Shqipërinë pak a shumë vinte në dukje dhe linte të kuptohej që nga ecuria e këtyre zgjedhjeve, varet edhe bashkëpunimi i mëtejshëm i Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë dhe ky është një nga paralajmërimet më të forta që bëhet për Shqipërinë. Çfarë do të thotë kjo në të vërtetë? Çfarë pasojash do të kishte Shqipëria nëse këto zgjedhje nuk zhvillohen të lira dhe të drejta?

Po, është një deklaratë shumë e fortë, me të cilën ne përpiqemi ta themi hapur dhe që para se të zhvillohen zgjedhjet, se ne duam të kemi të bëjmë me një qeveri, që është zgjedhur nga populli, që është një demokraci e vërtetë dhe se nëse ka vjedhje votash, një gjë e tillë sjell pasoja dhe implikime për sa i takon politikës sonë të jashtme ndaj vendeve të tjera. Mendoj se çdo vend duhet të aspirojë drejt demokracisë, në mënyrë që populli të ketë në krye qeverinë që ka zgjedhur vetë dhe nëse kjo nuk ndodh, Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin disa veprime për sa i takon bashkëpunimit, në fushën ekonomike dhe në drejtime të tjera. Kështuqë, nëse zgjedhjet e korrikut janë të lira dhe të drejta, kjo do të ishte shumë pozitive për popullin shqiptar.

Zëri i Amerikës

Hidhen dyshime mbi shpenzimet gjatë fushatës elektorale

Financimet e kandidatëve zbardhen vetëm pas zgjedhjeve

Procesi zbardhjes së fondeve që do të përdoren për të zhvilluar fushatën elektorale nga kandidatët për deputet nuk është e saktësuar qartë në Kodin e ri elektoral. Madje, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhje mund të kërkojë transparencën vetëm në raset që do të ketë dyshime për pastërtinë e financimeve të përdorura. Por, dhe ky institucion vepron kur zgjedhjet kanë mbaruar dhe deputetët janë mandatuar në Kuvend. Transparenca e financimeve që përdoren për fushatë sipas zëdhënësit për shtyp pranë KQZ-së, Erton Sinani, do të shqyrtohen në rastet që do të ankimohen subjekte të ndryshme në institucionin e lartë zgjedhor. Sipas tij, “nëse do të ketë ankesa KQZ-ja, do të detyrohet që t'i marrë në konsideratë por ashtu siç e thashë do të ngelet në dorë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të gjejë mënyrën se si do të verifikojë kandidatët. Do të verifikojë në bazë ankimore apo do të verifikojë rast pas rasti të gjitha partitë politike dhe kandidatët e pavaruar". Pra, ashtu siç e parashikon dhe kodi zgjedhor, deklarimi i fondeve, që është përdorur nga kandidatët për deputetë, do të fillojë të bëhet brenda 45 ditëve, nga 3 korriku dhe KQZ-ja brenda 90 ditëve nga data e zgjedhjeve duhet të publikojë raportet e çdo partie dhe kandidati. Për shkeljet që mund të konstatohen do të vendosen sanksione. Ndërkohë që dhe ndërkombëtarët vazhdojë në shprehin të njëjtat shqetësime si në momentin që u miratua kodi zgjedhor, duke përsëritur se ky kod është miratuar në minutat e fundit. Sipas komisionerit të Këshillit të Evropës, Lutz Salzman, “ka patur disa pengesa në proces, por ka patur gjithmonë një zgjidhje, edhe pse ka qenë zgjidhje në minutat e fundit, të cilat lënë mundësi për diskutime më vonë”. Kështu debati për fondet që do të përdoren në fushatë do të jetë një hallkë, që do të ngjallë debate të ashpra, ndoshta për katër vitet e ardhshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›