E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Më 3 korrik zgjedhësit do të votojnë për investimet”

24/05/2005  Luan Rama ka lindur më 9 mars 1966. Është diplomuar në qershor 1990, në Fakultetin Filologjik, dega gjuhë-letërsi, në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër. Pas diplomimit, është emëruar në gazetën “Zëri i Popullit”, në të cilën ka punuar për 9 vjet me radhë nga redaktor deri në kryeredaktor. Që prej vitit 1997 e në vazhdim është deputet në Kuvendin e Shqipërisë, i zgjedhur në dy legjislatura radhazi. Gjatë periudhës 1997-2001 ka qenë anëtar i Komisionit të Politikës së Jashtme, ndërsa gjatë periudhës 1999-2001 ka qenë edhe kryetar i delegacionit të parlamentit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Në shtator 2001 është emëruar ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në shkurt 2002, ministër i Mbrojtjes dhe që prej gushtit 2002 deri në tetor 2003 ministër i Rendit Publik. Luan Rama është anëtar i Kryesisë së PSSH-së që prej vitit 1998, ndërsa gjatë periudhës 1999-2001 ka qenë i zgjedhur sekretar i Marrëdhënieve Publike të PSSH. Nga 1992 deri me 1996 ka qenë anëtar i këshillit bashkiak të kryeqytetit.

Në CV- në e zotit Rama gjen dhe shumë specializime e kualifikime brenda dhe jashtë vendit, ndër të cilat veçojmë mars-prill kualifikim në SHBA në “Zërin e Amerikës” dhe Chiko University, ndërsa janar-maj 1999 ka kryer studime pasuniversitare për politikat e mbrojtjes dhe të sigurisë, në qendrën amerikane “George C. Marshall” në Garmish-Partenkirchen, Gjermani.

Luan Rama thotë se, nëse fiton, do të angazhohet për punësimin dhe investimet në infrastrukturë

Kandidati i Partisë Socialiste, në zonën 32 të Tiranës (Selvia), Luan Rama, është shprehur, në një intervistë për “Metropol”, se fushata e tij do të jetë në formën e dialogut, ku me qytetarët do të diskutohet mbi problemet. Duke kritikuar mënyrën e drejtimit të bashkive nga opozita aktuale, Rama tha se në mandatin e ardhshëm do të përqëndrohet në punësimin dhe ndërtimin e parqeve, ku njerëzit do të kenë mundësinë e argëtimit.

Si i vlerësoni kandidatët që keni përballë në zonën tuaj elektorale?

Të denjë për të konkurruar në një garë qytetare dhe në një mjedis qytetar. Shumicën e tyre i njoh edhe personalisht, madje ndonjërin syresh edhe prej kohësh, si për shembull zotin Mustafaj. Përzgjedhja e kandidaturave në zonën elektorale numër 32, ndryshe nga gjetiu, është shenja e parë e repsektit dhe e vlerësimit për banorët e kësaj zone. Na mbetet ne të dimë të shfaqim më tej në proces këtë respekt, duke u sjellë si qytetarë dhe duke dhënë mesazhe qytetarie. Ndërkohë, unë e kam thënë dhe e ripërsëris që nuk jam përballë rivaleve të mi, jam përballë qytetarëve, jam përballë votuesve, përballë halleve dhe shqetësimeve që ata kanë. Së këtejmi, e gjithë fushata ime do të jetë fushatë dialogu me ta, bashkëpunimi dhe programesh me banorët e kësaj zone. Kredoja ime politike është “gjithçka për qytetarët në mënyrë qytetare”, sepse unë kam hyrë në politikë për të shërbyer, dhe jo për të më shërbyer.

Ndaj, duke e lënë me kaq konsideratën time për kandidatët e tjerë, mbetet që vlerësimin ta bëjnë zgjedhësit më 3 korrik, përmes ushtrimit të pushtetit të tyre që është VOTA.

Cilat do të jenë prioritetet tuaj dhe të Partisë Socialiste në zonën ku kandidoni, duke pasur parasysh se është një zonë e cilësuar bastion i Partisë Demokratike?

Në thelbin e platformës time qëndron angazhimi real dhe i bazuar në projekte konkrete për të kapërcyer diferencat zhvëllimore që zona 32 ka me pjesën tjetër të kryeqytetit, pasi vërej se opozita që drejton minibashkinë dhe strukturat të tjera të lidhura me të kanë bllokuar pothuajse gjithçka. Përmirësimet në infrastrukturë, rikonstruktimi i të gjitha rrugëve dhe rrugicave duke filluar me rrugën e Dibrës, rrugën “Qemal Stafa”, rrugën “Siri Kodra”, rrugën e Tafajve, rrugicën e Saraçëve...

Detyrë e dorës së parë do të jetë për mua, dhe për këtë po punoj që tani me Bashkinë e Tiranës, zgjidhja e problemit të furnizimi pa ndërprerje me ujë dhe energji elektrike. Sakaq, implementimi i projekteve të punësimit, sidomos për të rinjtë, rivlerësimi dhe rujtja me ekzigjencë e vlerave histrorike e kulturore të Tiranës, ku do të veçoja sidomos disa prej figurave të lëna në harresë, apo të mohuara gjatë viteve të regjimit komunist, krijimi i lobingut parlamentar për të ndërtuar një muze të Tiranës, zgjidhja e problemit të legalizimeve dhe orientimi i zhvillimit urban vetëm sipas planeve urbanistike të kryeqytetit, do të jenë prioritetet e punës time në katër vitet e ardhshme. Jo vetëm kaq, por të një rëndësie të dorës së parë do të jenë për mua investimet në infrastrukturë arsimore, duke nisur me ndërtimin e një kompleksi arsimor në ish-zonën industriale apo siç njohet ndryshe te frigoriferi, investimet per mjedise shlodhëse, argëtuese etj.

Mund t`ju duken shumë. Janë vetëm një pjesë e projekteve të shumta që përfshijnë gjithë Tiranën dhe që do të kenë prioritet këtë zonë edhe sepse asnjë prej përfaqësuesve të opozitës nuk ka ditur në rastin më të mirë dhe nuk ka dashur në rastin më të keq të bëhet pjesë e lobingut progresist të Tiranës dhe për Tiranën. Për të gjitha këto punë, “A“-ja e punës time do të jetë bashkëpunimi me komunitetin dhe gjithë autoritetet përfaqësuese të tij, vendimmarrja transparente dhe me pjesëmarrjen e komunitetit, kontrolli i vazhdueshëm për çdo lek dhe informimi i publikut për gjithçka. E veçoj këtë element, pasi për mua është shumë e rëndësisshme përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje, si kusht i qenësishëm për një demokraci të shëndetshme dhe funksionale. Madje, kjo është edhe kryearsyeja për të cilën votojnë qytetarët, që njeriu i votuar nga ata të mos ndjehet pronar i mandatit të deputetit, por i mandatuar për të përfaqësuar vullnetin e tyre, për të folur në emër të tyre, për të votuar në interes të tyre, domethënë për të qenë realisht njeri nga ata dhe për ata.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›