Tenton të vetëvaret, këputet kablli i korrentit
24/05/2005 TIRANË- I këputet kablli i korentit, gjatë momentit të vetëvarjes. Nëse 66-vjeçari Sokrat. N, lindur e banues në Allias, do të ishte pak më i dobët, ai do të kishte përfunduar aktin e vetëflijimit. Rastësia pruri prapa derës së dhomës së gjumit, bashkëshorten e tij, e cila kur e pa shtrirë dhe me kabllin e korrentit në fyt, lajmëroi fqinjët, të cilët më pas e dërguan në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza", ku u mjekua nga mjekët. Më pas ai u dërgua urgjentisht për një vizitë tek spitali numër 5, për arsyen se dyshohej se ishte me të meta mendore. Pra edhe pse i shpëtoi mrekullist vdekjes, për shkak të peshës së tij të tepërt, 66-vjeçari ka përfunduar në ambientet e brendshme të spitalit numër 5, ku ende vazhdon të kurohet. Ngjarja, sipas burimeve të komisariatit numër 4, ka ndodhur në brendësi të banesës së Sokratit, në Allias, në orët e mesditës së djeshme. Si shkak i këtij veprimi, sipas burimeve policore, deri më tani është marrë gjendja jo e mirë psikike e tij, sepse gjendja ekonomike e tij ishte brenda parametrave normalë. Ndonëse në vendngjarje kanë mbërritur efektivë të shumtë të këtij komisariati, është konkluduar në faktin se ai e kishte kryer këtë veprim në mënyrë të pavullnetshme, i shtyrë nga gjendja e rënduar depresive. Sakaq, ky është rasti i dytë brenda dy javëve, ku dy persona tentojnë t i japin fund jetës, por fatmirësisht i shpëojnë vdekjes. Vetëm rreth një javë më parë, Majlinda Marku, 41 vjeçe tentoi të mbytej në Liqenin Artificial në Tiranë, por u shpëtua nga peshkatarët, të cilët mundën ta ndalonin atë, teksa ishte duke u zhytur në ujë. Marku kishte probleme të shumta familjare.