E Hënë, 2 Nëntor 2026

7 milionë dollarë për spitalin e Durrësit

24/05/2005  Qendra Universitare, kërkon edhe shërbimin e hotelerisë

DURRES - Modernizimi i plotë i spitalit të Durrësit do të quhet i përfunduar kur të realizohet edhe projekti për hotelerinë e këtij spitali. Deklarimi është bërë nga kryetari i bordit drejtues të këtij spitali, Gjergj Koja, i cili është shprehur se infrastrukura e shërbimit në spitalin e Durrësit është përmirësuar ndjeshëm. Deputeti ka thënë se pas investimit në 11 milionë dollarë për ndërtimin e spitalit të ri, me fonde të OPEC-ut dhe Bankës Islamike për Zhvillim, në këtë spital do të investohen shumë shpejt edhe 7 milionë dollarë të tjerë për ndërtimin e dy kullave me 140 shtretër. “Dhënia e statusit Qendër Universitare spitalit të Durrësit do të kërkojë edhe ndërtimin e prapavijës, pra hotelerinë, dhe projekti pritet të vjelë investimet e kërkuara në një kohë shumë të shkurtër”, ka thënë Koja. Sipas kryetarit të bordit drejtues, spitali parashikon t’u shërbejë 350 mijë shtetasve pas vënies në funksionim të plotë, që për Kojën do të thotë shërbim edhe për pacientë nga rrethe të tjera, kryesisht në realizimin e operacioneve. Aktualisht në spitalin e Durrësit kalojnë çdo vit mijëra pacientë, të cilët ose marrin ndihmën e parë, ose i nënshtrohen terapive mjekësore të ndryshme, apo operacioneve kirurgjikale. Spitali i Durrësit gjatë viteve të fundit i është dashur që të përballet me një fluks gjithnjë dhe në rritje të vëllimit të punës, për shkak dhe të rritjes së popullsisë në këtë qytet bregdetar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›