E Shtunë, 31 Tetor 2026

57 vendet islamike miratojnë Rezolutë të re për Kosovën, vlerësohet progresi

Në seancën përmbyllëse të Ministerialit të Organizatës së Konferencës Islamike, mbajtur në Dushanbe, Taxhikistan, ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare miratuan Rezolutën e re mbi situatën në Kosovë. Kjo rezolutë, e iniciuar nga Shqipëria dhe miratuar

me unanimitet të plotë nga 57 shtetet anëtare të OKI, ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe përbën një sukses të madh për Kosovën dhe njohjen e saj të mëtejshme. OKI i referohet në dokumentin e saj, deklaratës së pavarësisë së Kosovës, dhe përmes kësaj rezolute evidenton qartë se që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosova ka bërë progres të dukshëm në ndërtimin e institucioneve demokratike, forcimin e shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik dhe integrimin në familjen evropiane. Rezoluta evidenton, gjithashtu, se Kosova është bërë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Rezoluta reflekton gjithashtu zhvillimet më të fundit në Kosovë, veçanërisht zgjedhjet e 15 nëntorit 2009, të administruara për herë të parë nga institucionet e Kosovës dhe të vlerësuara ndërkombëtarisht për klimën paqësore dhe rritjen e pjesëmarrjes së pakicës serbe në to; angazhimin e autoriteteve vendore e ndërkombëtare për forcimin e sundimit të ligjit dhe të rendit në të gjithë territorin e Kosovës, si dhe sigurimin e kushteve më të mira të jetesës për të gjithë qytetarët e saj.  Vendet anëtare të OKI, për herë të parë, mirëpresin përpjekjet e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës dhe të të gjithë Ballkanit Perëndimor, si një kontribut vendimtar për stabilitetin dhe prosperitetin rajonal.  Në Rezolutë, u bëhet thirrje vendeve anëtare të Organizatës dhe komunitetit ndërkombëtar, që të vazhdojnë të mbështesin forcimin e shtetit të Kosovës dhe ekonomisë së saj. Rezoluta gjithashtu ngarkon Sekretarin e Përgjithshëm të OKI që në sesionet e radhës të Ministrave të Jashtëm të Organizatës të raportojë mbi dinamikën e zhvillimeve në Kosovë, duke e vendosur kështu shtetin e ri në agjendën e përhershme të OKI.


Hyseni përshëndet miratimin e rezolutës nga OKI
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, ka përshëndetur miratimin e rezolutës për Kosovën në sesionin e 37-të të Organizatës së Konferencës Islamike, në Dushanbe të Taxhikistanit. Ministri Hyseni me këtë rast falënderoi të gjitha vendet anëtare të Konferencës Islamike për votën unanime për rezolutën. Në veçanti, Hyseni me këtë rast falënderon diplomacinë shqiptare dhe përgjithësisht institucionet e Republikës së Shqipërisë për përkrahjen që po i japin Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Po ashtu, mirënjohje e veçantë me këtë rast i jepet iniciuesit, Republikës së Shqipërisë dhe sponsorizuesve të kësaj rezolute. Kalimi i kësaj rezolute është edhe një pranim dhe konfirmim i kontributit vital dhe të pazëvendësueshëm që pavarësia e Kosovës ka për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, ka vlerësuar Hyseni.

Last Updated on E Enjte, 20 Maj 2010 20:18

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›