Shtëpia tek rruga Fortuzi

Kush ishte 28-30 vjeçari në takimin mes biznesmenëve amerikanë të municioneve dhe Pinarit e Delijorgjit. Afërsia e vendtakimit me shtëpinë e vjetër të kryeministrit Berisha. Kosta Trebicka: Hetuesit amerikanë e dinë mirë se ku u bë takimi e kush ishte aty, ka foto...
TIRANË - Pas intervistës së Kosta Trebickës, një nga njerëzit që pretendon se është në dijeni të skandalit të shit-blerjes së municioneve, ngelen ende disa pika të errëta, të cilat sjellin jo pak hije dyshimi. Nga përshkrimet e Trebickës, i cili për momentin nuk ndodhet në Shqipëri, ngelet për t’u verifikuar fakti se kush është identiteti i personit i cili përshkruhet rreth moshës 27-30 vjeç, e që pretendohet se i është paraqitur si “shefi” i drejtorit të ndërmarrjes “Meico”, e që më vonë nga Ylli Pinari është “servirur” si Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit, ndërkohë që e errët mbeti në intervistë dhe vendi ku është mbajtur takimi i shumëpërfolur. Në intervistën e dhënë dy ditë më parë, Kosta Trebicka, thotë “se pas ardhjes së Diverolit, ishte vet drejtori i “MEICO”, Ylli Pinari dhe Aleks Podriftin, i cili ishte përfaqësuesi i amerikan i “AEY”-së në Shqipëri dhe njëkohësisht punonjës i forcave aleate të NATO-s, që e pritën në aeroport. Pasi qëndrojnë për pak në hotel “Sheraton”, largohen të tre drejt një rruge që kalon midis Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Drejtësisë. Është një shkolle 8-vjeçare aty, nuk e di sesi e ka emrin kjo rrugë dhe aty shkojnë në një apartament, ku zotit Diveroli dhe zotit Aleks, i paraqitet zoti Delijorgji dhe një person tjetër në moshën 27-30-vjeçar”. Për të sqaruar këto dy detaje, “Korrieri” kontaktoi mbrëmjen e djeshme me z.Kosta Trebicka, i cili tha se “nuk kujtoj shumë detaje nga vendi ku është mbajtur takimi, por dhe nëse do dija diçka, nuk më takon mua ta them. Dihet shumë mirë se ku është bërë takimi. Për këtë strukturat e specializuara amerikane që kanë hetuar çështjen kam bindjen se kanë prova, që mund të jenë fotografime dhe filmime”. Ndërsa burime konfidenciale dhe jozyrtare të gazetës, duke u nisur nga përshkrimi i Trebickës dhe njohja e vendbanimeve të dy personave të tjerë që morën pjesë në takim, Ylli Pinarit dhe Mihal Delijorgjit, thanë se ky vend është në një nga rrugicat më të njohur të Tiranës. “Të gjitha përshkrimet e dhëna nga Kosta Trebicka të çojnë pranë, ose në rrugicën ku për vite me radhë ka banuar kryeministri Berisha”- citohen të kenë thënë burime të gazetës. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, gazeta “Korrieri” bëri verifikimet në terren nga ku rezultoi se banesa e vjetër e kryeministrit ndodhet në pallatin nr.31 në rrugën “Fortuzi” në kryeqytet, fare pranë dy shkollave 9-vjeçare, asaj “Jeronim Derada” dhe “Migjeni”, në njërën prej rrugëve që ndan dy ministritë, atë të Drejtësisë dhe atë të Arsimit. Kjo banesë që ndodhet në katin e dytë të pallatit nr.31 nuk banohet prej disa vitesh. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga fqinjët që banojnë prej vitesh në këtë pallat, të cilët thonë se u bënë vite që nuk shohin të hyjë dhe të dali njeri nga ky apartament.