Trafiku i armëve, 5 muaj pa u hetuar

Kosta Trebicka
Kosta Trebicka i kishte premtuar Sollakut se do ti jepte provat për të hapur hetimin, por nuk u paraqit kurrë në Prokurori. Organi i akuzës ende nuk vendos të hap zyrtarisht hetime për dyshimet e ngritura
TIRANË – Të paktën prej 5 muajsh, organi i akuzës në vend është vënë në dijeni se ka hije dyshimesh në mënyrën e shitjes së armëve një kompanie amerikane nga ana e “Meico”-s. Dy kryeprokurorët, Sollaku i pari, në ditët e tij të fundit të detyrës, mori një e-mail, që e ka marrë më pas dhe pasardhësja e tij në detyrë, kryeprokurorja Ina Rama. Në asnjërin rast hetimet zyrtarisht nuk filluan. As mish, as peshk Dje “Korrieri” pyeti nëse të paktën tani pas tragjedisë së Gërdecit, ku në “skenë” dalin pak a shumë një “dorë” emrash që përfshihen dhe në aferën e shit-blerjes së armëve, a do të ketë zyrtarisht një hetim për të ashtuquajturin trafik të armëve dhe nëse do të merren në pyetje Kosta Trebicka, Geri Kokalari si persona që hedhën të parët dyshimet, apo dhe të tjerë që mund të kenë më tepër përfshirje në këtë histori. Por përgjigjja zyrtare ishte në fakt “as mish, as peshk”. “Të gjitha faktet dhe dokumentet që kanë lidhje me hetimin e kësaj çështje, patjetër që do të janë pjesë e hetimit.” Ndërsa nga burime pranë organit të akuzës mësohet se gjatë ditës së djeshme u bë administrimi i transkriptimeve të bisedave që presupozohet se janë bërë mes biznesmenit Kosta Trebicka dhe presidentit të kompanisë amerikane AEY, Efraim Diveroli. Ndërkohë që bëhet e ditur se një sërë dokumentesh që mendohet se do të jenë të nevojshme dhe të rëndësishme për hetimin u sekuestruan dhe në ndërmarrjen shtetërore “MEICO”. Marrja e këtyre dokumenteve nga grupi hetimor pritet që të hedh dritë në jo pak pika ende të errëta të ngjarjes tragjike të ndodhur një javë më parë në Gërdec. Denoncimi i parë Pak ditë pasi u ngrit komisioni hetimor “Sollaku 2”, në zyrën e kryeprokurorit mbërrin një e-mail nga Geri Kokalari, i cili i kërkon organit të akuzës që të nis hetimet siç dyshonte ai për përfshirjen e zyrtarëve të lartë në trafik, ose për korrupsion në shit-blerjen e armëve, ku “viktimë” po bëhej një kompani amerikane, e cila po paguante gati dyfishin e çmimit për municionet ë kërkonte të blinte në Shqipëri. E-maili i dërguar në fund të tetorit, vetëm 1 muaj para se Sollaku t’i linte detyrën Ina Ramës, mësohet se megjithëse fliste për përgjime nuk i përmbante ato. Kokalari adreson Prokurorinë të Kosta Trebicka, për të cilin thotë se ka në dispozicion dokumente dhe prova që hedhin hije dyshimi. Burime konfidenciale pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se në atë kohë, megjithë atmosferën e krijuar dhe kërkesat e vazhdueshme për shkarkimin e Sollakut, kryeprokurori i atëhershëm u angazhua personalisht me çështjen. Po të njëjtat burime konfidenciale të gazetës “Korrieri” bëjnë me dije se në kuadër të marrjes së informacioneve prokuroria ka kontaktuar të paktën tre herë me Kosta Trebickën, i cili në atë kohë ndodhej jashtë Shqipërisë. Ftesës së prokurorisë, Trebicka i është përgjigjur pozitivisht duke u shprehur se do vij patjetër t’ju vë në dispozicion, por nuk është paraqitur asnjëherë në prokurori.