E Shtunë, 31 Tetor 2026

6 të plagosur në një ditë



Krimet e Rënda, 300 kërkesa përgjimi në 6 muaj

Mbi 300 kërkesa për leje përgjimi telefonik për persona të dyshuar për veprimtari të organizuara kriminale janë depozituar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në harkun kohor janar -korrik 2008 nga organi i prokurorisë.

Shifra u bë e ditur të shtunën nga burime pranë prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilat pohuan se marrja e lejes nga Gjykata për përgjime telefonike u ka shërbyer hetuesve të grumbullojnë informacione të vlefshme në funksion të dokumentimit ligjor të aktiviteteve të krimit të organizuar grupeve te trafikut të drogës, armëve, qenieve njerëzore etj.

Shumë episode të krimit të organizuar ndër to edhe vrasje, janë zbardhur nëpërmjet të dhënave të përftuara përmes kësaj procedure të ligjshme hetimore, ndërsa shumë persona kanë përfunduar në pranga si autorë të dyshuar të tyre. Përgjimi telefonik dhe ambiental është pjesë e metodave speciale hetimore që përdoren nga organet kompetente ne kuadër të luftës kundër krimit.

Përleshje me armë për motive banale kanë shkaktuar 6 viktima në tre qytetet të vendit vetëm gjatë ditës së djeshme

6 persona janë plagosur gjatë ditës së djeshme pas përfshirjes në konflikte me armë me njëri tjetrin në tre qytete të vendit. Ngjarja më e rëndë ka qenë ajo e Peqinit ku 5 të rij, janë grindur dhe qëlluar me thika pas një sherri banal. Ndërkohë që në orët e vona të mbrëmjes, janë plagosur edhe 3 persona të tjerë në qytetet e Elbasanit dhe Shkodrës. Policia njoftoi kështu plagosjen e Artur Bajramit, i cili sipas policisë dyshohet se është qëlluar nga thjeshtri i tij në një rrugicë në qendër të qytetit, ndërsa në Shkodër një person i paidentifikuar ka qëlluar nga biçikleta me kallashnikov mbi të cilët kanë mbetur të plagosur rëndë.

Rasti i Peqinit

Një konflikt midis 2 grupeve të rinjsh në fshatin Çengelaj ne rrethin e Peqinit, mbrëmjen e së premtes, ka përfunduar me plagosjen e 3 personave. Të rinjtë mes tyre kanë përdorur armë të ftohta dhe si pasojë tre prej tyre janë masakruar me thika. Sipas burimeve zyrtare të policisë, pas këtij konflikti mbetën të plagosur, Adriatik Bullari 27 vjeç, Beqir Bullari 20 vjeç dhe Enver Bullari 18 vjeç të afërm me njëri tjetrin. Mbi ta dyshohet se kanë qëlluar me thika disa herë Xhevahir Çullhaj 24 vjeç dhe Kujtim Tabaku 22 vjeç nga fshati Shezë. Ndërsa të plagosurit janë transportuar me urgjencë nga të afërmit në Spitalin Kirurgjik të Elbasanit autorët e dyshuar të krimit janë arrestuar dy orë pas ngjarjes. Ata akuzohen për vrasje me dashje në bashkëpunim të mbetur në tentativë.

Plagosja e njerkut

44-vjeçarë është qëlluar vonë në qendër të qytetit të Elbasanit. Policia njoftoi se Artur Bajrami ishte plagosur me armë zjarri dhe ndodhej në spital në rrezik për jetën. Menjëherë pas ngjarjes policia ka shpallur në kërkim Arben Harkan 25 vjeç i cili dyshohet si autorë i plagosjes. Motivet janë ende të paqarta, por sipas policisë i plagosuri ishte njerku i 25-vjeçarit dhe ka qenë një konflikt familjarë ai që ka çuar në plagosjen. Burime nga policia thanë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21.50 të ditës së djeshme dhe kanë qenë dëshmitarë e të pranishëm në vendin e ngjarjes që kanë njoftuar menjëherë policinë për të shtënat dhe plagosjen e 44-vjeçarit. Policia menjëherë ka shkuar në vendin e ngjarjes, ndërsa është bërë transportimi për në spital i të plagosurit të cilin plumbi e ka marrë në qafë. Mjekët që i kanë dhënë 44-vjeçarit ndihmën e parë kanë njoftuar se ai ende ndodhej në rrezik për jetën dhe mbahej në reanimacionin e spitalit.

Atentati në Shkodër

Një person u ka bërë pritë dy burrave në lagjen Dërgud të Shkodrës dhe i ka qëlluar me pistoletë ndërsa ishte në lëvizje duke i plagosur që të dy. Artur Kola, 36 vjeç dhe Nail Gresda 45 vjeç, kanë mbetur të plagosur rëndë dhe kanë përfunduar në spital ndërsa është ende e paqartë se cili është personi që i ka qëlluar ata. Policia tha se ka filluar hetimet mbi ngjarjen, por deri në orët e vona të ditës së djeshme identiteti i autorit të plagosjes ishte i paqartë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›