I dehuri plagoset duke luajtur me armën
Një 35-vjeçar nga Tirana është vetëplagosur, ndërsa luante me një automatik model 56. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, kur Lulzim Aliu, 35 vjeç, në gjendje të dehur ka shkrehur në mënyrë të pavullnetshme automatikun model 56, duke mbetur i plagosur në këmbë në banesën e tij. 35-vjeçari Aliu është transportuar menjëherë në Spitalin Ushtarak në gjendje kritike për jetën, ndërkohë policia që ka marrë njoftimin për krismat ka shkuar menjëherë në vendngjarje për të bërë të mundur zbardhjen e saj. Burimet nga forcat e Rendit thanë se kishin sekuestruar në cilësinë e provës materiale automatikun model 56, 4 krehër me 110 copë fishekë, të cilat i plagosuri i mbante pa leje. Kjo çështje i kaloi për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale “Të mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.