E Diel, 1 Nëntor 2026

Paratë e “Cenajt”, 35 milionë dollarë fshihen në bankat angleze



Ekstradimi i Lefter Cenajt pritet të zbardhë disa enigma.

Së pari, paratë e zhdukura në Greqi, si dhe refuzimin e autoriteteve të larta shqiptare për të dëshmuar në gjykatën greke

Ekstradimi i bosit të kompanisë rentiere, Lefter Cenaj, do të krijojë mundësinë e zbardhjes së dy enigmave që kanë ndjekur prej 11 vitesh çështjen ndaj tij. Cenajt i janë identifikuar 35 milionë dollarë të fshehura në bankat greke, por që aktualisht ndodhen të depozituara në një bankë në Angli. Autoritetet shqiptare kanë dyshuar gjithnjë se në shtetin helen ndodhen shuma të mëdha të fshehura të kreditorëve shqiptarë, jo vetëm të kompanisë “Cenaj”, por edhe të kompanive të tjera rentiere. Ish-zëvendësministri i Drejtësisë, aktualisht Avokati i Shtetit shqiptar, Eduard Halimi, ka konfirmuar faktin se në Greqi janë evidentuar 35 milionë dollarë të kompanisë “Cenaj”. Halimi është shprehur se vite më parë Kryeprokurori i Athinës kishte lëshuar një urdhëresë për konfiskimin e rreth 35 milionë dollarëve që i përkisnin Lefter Cenajt, të cilat u lëvizën me makina policie greke nga një bankë në Janinë për në Athinë, çka ishte e paligjshme. “Kryeprokurori lëshoi urdhëresën e konfiskimit të tyre, por ndodhi diçka, pasi një pjesë e tyre u depozituan në një llogari bankare në Angli, duke i shpëtuar konfiskimit të shtetit grek”, - është shprehur Halimi.

Enigmat

Krahas evidentimit dhe tërheqjes së parave, pritet të zbulohet edhe një enigmë e dytë. Në gjyqet që janë bërë në Greqi ndaj Lefter Cenajt janë thirrur nga drejtësia greke, ish-ministri i Financave, Malaj dhe kreu i Grupit Mbikëqyrës, Arapi, të cilët nuk pranuan të dëshmojnë. Mungesa e dëshmisë së tyre është interpretuar edhe si neglizhencë, duke bërë që paratë e “Cenajt” në Greqi të mos rimerren nga shteti shqiptar, për t’i kaluar tek kreditorët e kompanisë rentiere. Lefter Cenaj pritet të dëshmojë edhe në lidhje me këtë fakt. Halimi është shprehur më tej se Greqia ka nënshkruar një konventë ndërkombëtare në vitin 2001, e më pas Shqipëria në vitin 2002, e cila përcakton qartë që të gjitha aktivitetet e krimit që konfiskohen nga shtetet, duhet të kthehen si pasuri në vendin përkatës, në rastin tonë të kthehen në Shqipëri për t’u rikthyer tek kreditorët. Tashmë është ngritur edhe një grup ekspertësh shqiptarë, prej katër vetash, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Jashtme dhe një përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme, do të shkojnë në Greqi, por edhe në vende të tjera, për të verifikuar të gjitha shumat e konfiskuara, të cilat do t’i kthehen Shqipërisë. Ky grup do të kontrollojë edhe shuma të tjera në rast se evidentohen, të cilat mund të kthehen në Shqipëri dhe të përdoren për kreditorët. Këshilli Mbikëqyrës i firmave piramidale shqiptare, i kryesuar nga Farudin Arapi ka mundur të zbardhë se kapitali i humbur në të gjitha firmat piramidale kap vlerën e 1 miliard e 400 milionë dollarëve. Në skemat piramidale humbën kapitalet e tyre rreth 1 milion e 600 mijë shtetas shqiptarë, çka përbënte edhe 70 për qind e popullsisë. Humbja vjetore e të gjithë kreditorëve ishte gati 780 milionë dollarë, e konvertuar kjo me kursin e periudhës, me të cilat këshilli bëri llogaritjet analitike. Fazat e tjera të këtij procesi kishin të bënin me transaksionet e pronave dhe të debitorëve dhe këtu flitet për një pjesë që kishin përfituar në mënyrë joligjore në krahasim me pjesën tjetër të qytetarëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›